Qytetarët paguajnë energjinë, shteti jo, borxhi i institucioneve arrin në 588 milionë euro

Paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në vend mbeten familjarët të cilët kanë vijuar të ulin borxhin e tyre ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në gusht borxhi që kjo kategori i kishte OSHEE-së ishte 380 milionë euro duke shënuar rënie me 3 për qind në raport me fundin e vitit 2018.

Ajo që vihet re është tendenca në ulje e këtij borxhi të akumuluar nga kategoria e familjarëve vit pas viti duke nisur nga viti 2014 kur totali ishte 451 milionë euro dhe përkon me nisjen e aksionit për ndërprerjen e lidhjeve të jashtëligjshme si dhe futjen në skemën e pagesë së debitorëve afatgjatë përmes skemave të ndryshme që përfshinin aktmarrëveshje.

Por teksa për familjarët kanë ulje të borxhit krejt e kundërta ka ndodhur këtë vit me institucionet jobuxhetore që kryesisht janë ujësjellësit, shkollat e kopshtet që kanë një borxh të akumuluar ndër vite.

Këto të fundit kanë rritur borxhin gjatë këtij viti me 2.45 milionë euro duke regjistruar në fund të periudhës së raportimit që korrespondon me gushin 2019 një total prej 84.62 milionë euro. Në fund të 2018-ës ky borxh ishte 74.66 milionë euro.

E njëjta situatë paraqitet edhe tek borxhi që privatët kanë ndaj OSHEE që nënkupton bizneset. Këto të fundit kanë rritur nga viti 2018 deri në gusht 2019 me 3.63 milionë euro borxhin që në total deri në gusht 2019 llogaritet 95.5 milionë euro.

Institucionet buxhetore, të cilat mbajnë edhe pjesën më të vogël të borxhit në totalin që të gjithë kategoritë i detyrohen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, deri në gusht 2019 kishin 28.17 milionë euro të pashlyera. në raport me fundin e 2018 edhe institucionet në varësi direkte nga buxheti i shtetit kanë rritur detyrimet me jo pak por 2.49 milionë euro.

Tek institucionet debitore një pjesë të borxhit e kanë edhe bashkitë të cilat kanë fatura të akumuluara nga mospagesa e ndriçimit rrugor në qytet.

E ndërkohë që mali me borxhe ndaj OSHEE-së ka vit pas viti ulje falë meritës së pagesave të rregullta nga familjarët, kategoritë e tjera kanë shfaqur luhatje të tendencës herë duke i ulur detyrimet e herë duke i rritur ato.

Aktualisht vetë OSHEE ka deklaruar se ndodhet në një situatë të vështirë financiare e lidhur kjo me blerjet e larta në tregun e lirë për shkak të mungesës së shirave e për rrjedhojë prodhimit të KESH.

Në total borxhi për të gjithë kategoritë është 72.3 miliardë lekë apo 588 milionë euro. Kjo shifër ka mbetur e pandryshuar nga viti 2013 si rrjedhojë e rritjes së detyrimeve nga institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, ndryshe nga pagesat e familjarëve që ishin në ulje.

Pas një uljeje të stokut të borxhit në 2015, ai u rrit sërish në vitet e mëpasshme.

“Monitor”

Exit mobile version