Dega e Partisë Demokratike në Durrës ka ngritur zërin me forcë sot për krizën e mbeturinave, të cilat kanë përmbytur qytetin bregdetar që është në pritje të turistëve. Për problemin që ka agravuar dukshëm, siç shihet edhe nga fotot më të fundit, bashkia e Durrësit është treguar e papërgjegjshme dhe demokratët kanë akuzuar funksionarët e “Rilindjes”.
“Është bërë problem disa herë nga dega e PD Durrës çështja e pastrimit të mbetjeve nëpër qytet, deklaroi kreu i PD në rrjetet sociale. Ndonëse një funksion bazik i Bashkisë, për të cilin paguajmë rregullisht taksa, problemi mbetet i pazgjidhur.
Në prag të sezonit turistik, por edhe në cdo ditë të vitit, qytetarët e Durrësit meritojnë minimalisht një qytet të pastër. Por, as minimalja nuk garantohet nga Rilindja dhe funksionarët e saj të papërgjegjshëm.
Sot, në 12:00, Këshilli Bashkiak do të mblidhet për të shqyrtuar pikën: “Për miratimin e skenarit të menaxhimit të mbetjeve, bazuar në vendimin nr. 6 datë 20.05.2021 të komitetit për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe vendimin nr. 3 datë 02.06.2021 të këshillit të qarkut Durrës”.
Kjo mbledhje më 10 qershor të 2021 është e turpshme! Një çështje kaq bazike nuk duhet të ketë nevojë për mbledhje të jashtëzakonshme, por kur vjen puna tek Bashkia e Durrësit, papërgjegjshmëria nuk njihka kufi”.