Pronarët e objekteve që do të shemben në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë janë përplasur me forcat e policisë ku si pasojë ka patur edhe disa të plagosur. Aksioni për prishjen e 3 objekteve nisi që në orët e para të mëngjesit, por pronarët kanë bërë rezistencë ndaj forcave të shumta të policisë. Të ndihmuar edhe nga qytetarë të shumë ata nuk kanë lejuar mjetet e IKMT-së që të nisin prishjen e objekteve. Forca të shumta policie kanë shkuar në ndihmë të inspektorëve të IKMT, ndërsa gjatë përplasjes me policinë ka patur edhe disa të plagosur nga radhët e qytetarëve.
Menjëherë sapo kanë mbërritur fadromat për shembjen e objekteve, pronarët dhe banorët e zonës janë përleshur me forcat e policisë. Pronarët e tyre kundërshtojnë shembjen, pasi objektet i kanë me leje, procese gjyqësore të fituara deri në Strasburg. Së bashku me punonjësit pronarët e objekteve bënë rezistencë duke paralajmëruar se nuk do të lejojnë prishjen.
Shumë prej tyre kanë pasur procese gjyqësore deri në Strasburg ku kanë arritur dhe të përfitojnë një vlerë shpronësimi me të cilën nuk kanë qenë dakord. Në njërin prej tyre e kanë pritur IKMT me pankarta me thirrje në drejtim të Kryeministrit Rama. Ata kanë kërkuar praninë e tij në Vlorë sikurse dhe prezencën e kreut të Bashkisë Vlorë për t’u shpjeguar se pse është tjetërsuar projekti dhe çfarë po ndodh realisht me Lungomaren, por dhe për t’i vënë para përgjegjësisë për prishjen e objekteve të tyre.
Ata kanë paralajmëruar Ramën se, Vlora ashtu siç e bëri deputet do ta përzërë. “Kreu i Bashkisë të vijë këtu të na përgjigjet. Rama ka ndryshuar projektin e Lungomares, në projektin e parë nuk parashikohej prishja e objekteve. Ai duhet të vinte sot këtu. Vlora ashtu siç e bëri deputet, ashtu do ta përzërë”, u shprehën pronarët. Pronarët e objekteve u shprehën se, vlera e dëmshpërblimit është shumë e ulët.
Inspektorët kanë hasur në rezistencën e pronarëve dhe punonjësve të tri objekteve të planifikuara për t’u prishur, por dhe banorëve të zonës që kishin dalë në mbështetje të tyre. Ndaj policisë nuk u kursyen as gurët, ndërsa të plagosur mbetën disa prej protestuesve që po marrin mjekim në spital.
Ndërhyrja e IKM është shoqëruar me masa të larta sigurie. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, FNSH duke rrethuar zonën. Pronarët nuk janë tërhequr për asnjë çast, duke vazhduar të përleshen me policinë.
“Kanë qenë tri objekte të planifikuara për t’u prishur, ndërkohë që rezistenca e banorëve ka qenë prej momenteve të para kur kanë mbërritur forca të shumta të policisë së bashku me mjetet e rënda të IKMT. Janë përplasur me forca të policisë, kanë qëlluar me gurë, ka pasur edhe njerëz që janë drejtuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës me plagë, kryesisht në pjesën e kokës”, bënë të ditur burime nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë IKMT ka arritur të ndërhyjë në njërin prej objekteve duke prishur kështu objektin e parë që ndodhet përgjatë rrugës Skelë-Uji i Ftohtë. IKMT është i vendosur për të prishur të tri objektet e parashikuara për t’u shembur gjatë ditës së djeshme edhe pse mendohet se edhe në dy objektet e tjera do të ketë rezistencë të pronarëve dhe të punësuarve ashtu si në objektin e parë. Bëhet fjalë për tre njësi shërbimi hoteleri, restorante dhe menaxhim plazhesh që operojnë prej shumë vitesh në Vlorë.
Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa e gjithë zona është blinduar nga forca të shumta policie, mes tyre edhe ato të FNSH.
R.POLISI