“Qytetari dixhital” i merr “suksesin” policisë për dorëzimin e Balilit, ishin përgatitur kapuçonët

Ish-Kryeministri Berisha postoi përmes një mesazhi të shkurër të “qytetarit dixhital” vetëdorëzimin në polici të atij që konsiderohet si baroni i drogës në Ballkan, Klement Balili. Vetëm pak minuta pas mesazhit të “qytetarit dixhital” reagoi edhe avokati i Balilit, Sollaku, i cili konfirmoi se Balili ishte dorëzuar në polici. balili
“Qytetari dixhital” i ka marrë kështu “suksesin” e munguar policisë, e cila ishte përgatitur ta shpallte me bujë si një arrestim të sajin duke inskenuar edhe njerëz me kapuç në kokë që do të arrestonin të vetëdorëzuarin në qelitë e komisariatit të ngjashme me skenat teatrore që përgatsite ministri në hetim, Tahiri.
Po përse është vetëdorëzuar Balili? Dyshimet e para janë për një marrëveshje të arritur mes tij përmes avokatit dhe autoriteteve. Se cilat do të jenë detrajet e kësaj marrëveshje pritet të mësohet në orët dhe ditët në vazhdim. Balili është dorëzuar në prag të skadimit të afatit të hetimeve ndaj tij, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaronte se ishte në vështirësi pasi nuk kishin arritur të merrnin përgjigje për letërporositë nga Greqia.

3 vjet në arrati dhe si u ndihmua nga Policia
Policia e Shtetit ende nuk ka konfirmuar një informacion, mbërritur në adresën e ish-kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit është dorëzuar Klemend Balili, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”. Gjithësesi, lajmi është konfirmuar nga avokati i Balilit, Baftjar Rusi, i cili ka deklaruar për median se klienti i tij gjendet në ambjentet e Policisë së Shtetit, së bashku me mbrojtësin tjetër, Theodhori Sollaku.
Klement Balili, i akuzuar si kreu i një grupi të rëndësishëm kriminal që kultivon e trafikon lëndë narkotike, prej thuajse 3 vitesh është në kërkim dhe policia nuk ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë. Opozita, prej shumë kohësh, ka akuzuar drejtues të lartë dhe ish-drejtues të lartë policorë për bashkëpunim dhe mbrojtje të Klemend Balilit.
Emri i tij ka dalë fillimisht në fillim të vitit 2016, në disa hetime të autoriteteve greke, të cilat, në bashkëpunim me Anti-drogën Amerikane (DEA), po mbanin nën mbikqyrje këtë grup, i cili trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Greqi e më tej në vendet e Europës Perëndimore.
Deri në atë kohë, autoritetet policore shqiptare nuk kishin asnjë informacion për Klemend Balilin dhe grupin e tij, pavarësisht se trafiku niste nga Shqipëria. Hetimi në Shqipëri nisi vetëm pasi autoritetet greke goditën grupin e Balilit, por ky i fundit nuk u arrit të arrestohej, pasi në atë kohë gjendej në Shqipëri.

Mos-arrestimi i Balilit u shoqërua, në atë kohë, edhe me një përplasje të fortë institucionale mes Prokurorisë së Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit. Uniformat blu pretendonin se nuk kishin urdhër arresti nga prokuroria. Por, kjo e fundit argumentonte se policia duhet ta arrestonte atë fillimisht e më pas prokurorët ta dërgonin atë para gjykatës.
Në muajin Maj 2015, shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA – s në Athinë kanë qënë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas informacionit të autoriteteve greke, lidhja kryesore e organizatës në Shqipëri ishte identifikuar një person i quajtur “Keli”. Për këtë person, nuk kishte asnjë të dhënë tjetër identifikuese në atë moment.
Menjëherë pas këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal dhe autorizoi policinë për të kryer përgjime, kontrollet dhe verifikimet përkatëse. Për një periudhë gati dy mujore, Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka marrë informacione shtesë nga sektori për hetimin e narkotikëve, në Drejtorinë e Policisë Shtetit.
Shtetasi “Keli” u identifikua si Klemend ose Kelmend Balili vetëm pas operacionit policor në Greqi, i zhvilluar më datë 08.05.2016. Pas identifikimit të tij, Prokuroria për Krime të Rënda vijoi hetimet ndaj këtij shtetasi dhe bashkëpunëtorëve të tij të mundshëm.

Njëkohësisht me veprimet e mësipërme, si edhe duke qënë se nuk ekzistonte asnjë e dhënë mbi bazë provash për përfshirjen e shtetasve shqiptar në këtë aktivitet, Prokuroria Për Krime të Rënda, më datë 11.05.2016, ka kërkuar nga autoritetet greke akte dhe prova nëpërmjet letër-porosisë.
Më datë 13.05.2016, Prokuroria për Krime të Rënda njoftohet zyrtarisht se Komisariati i Policisë Sarandë ka proceduar me iniciativë kontrollin e banesave të shtetasit Klemend Balili dhe të afërmëve të tij. Nga kontrolli policor nuk është gjetur as Klemend Balili dhe as sende të kundërligjshme.
Më datë 16.05.2016, Ministria e Brendshme informon Prokurorinë e Përgjithshme mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet greke të drejtësisë, të shtetasit shqiptar Klemend Balili për vepra penale në fushën e narkotikëve. I njëjti informacion ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, më datë 18.05.2016.
Më datë 20.05.2016, Prokuroria e Përgjithshme i përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme kërkesën për lokalizimin e shtetasit Klemend Balili. Gjithashtu, është vënë në dijeni Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori për Krime të Rënda.
Këto të dhëna të detajuara u bën publike në një deklaratë të posaçme për median nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Ylli Manjani.
Më tej, Policia e Shtetit ka deklaruar se ka kryer një seri operacionesh për arrestimin e Klemend Balilit, por deri më tani të gjitha tentativat kanë dështuar.

Exit mobile version