Nga Luçiano Boçi
Gjithmonë kam besuar tek fuqia e ëndrrave dhe tek fuqia e rinisë. Kam besuar se të rinjtë – në njëfarë mënyrë – të pastër dhe të panënshtruar ende ndaj një mjedisi që stërmundon shpirtin dhe mëndjen – kanë fuqinë të shohin edhe ëndrrat tona.
Në vizionin e tyre, në fuqinë e tyre, në shpresën e tyre më të mirë flenë detaje të së ardhmes së arritshme, që nëse dimë t’i dëgjojmë – do të mundemi edhe t’i gëzojmë duke i sjellë në jetë. Së bashku!
Gijthçka fillon tek ky binom ekzistence: së bashku! E ardhmja është një pikturë që ekziston vetëm nëse ëndërrohet dhe shërbehet së bashku!
I ftova këtë javë të rinjtë e qarkut të Elbasanit – nga mosha 15 deri në moshën 35 vjeçare, që të më shkruajnë në adresën e emailit të faqes sime në rrjet ([email protected] ) për të më treguar, për të ndarë më mua, për të më kërkuar nga pozitat e njeriut që pret të marrë sërish detyrën e përfaqësuesit politik – ëndrrën e tyre më të mirë, dëshirën e tyre më të zjarrtë, vizionin e tyre për dicka që mungon dhe që mund ta bëjmë. Së bashku!
Mrekullisht pashë se nisma u përqafua nga qindra njerëz, u nda me shpejtësi në rrjet nga dhjetra e dhjetra të rinj, mora mesazhe falenderimi dhe përkrahje nga prindër të mirë – që panë tek fëmijët e tyre shkëndijën e guximit qytetar të ndizet sërish.
Unë e di se çfarë do të thotë të jesh i ri dhe të ndjehesh vendim-marrës. Unë e di se sa pasuruese është për të rinjtë mundësia që ta dëgjojnë emrin e tyre në parlament, apo në takime të nivelit të lartë kur ideja e tyre të shpaloset dhe të mbështetet për t’u realizuar.
Unë e di me sa dëshirë të rinjtë shqiptarë, të rinjtë e Elbasanit, profesionistët e çdo fushe do të donin të kontribuonin për qytetin e tyre. Ne ndoshta nuk jua japim dot qytetin e ëndrrave. Por ëndrrat e tyre, dëshirat, aspiratat dhe kërkesat e mënçura që ata kanë – e kemi detyrim t’i dëgjojmë, t’i mbështesim dhe të sjellim në jetë sa më shumë prej tyre, të bindur se në ëndrrat e të rinjve tanë gjallojnë lulëzueshëm edhe ëndrrat tona.
Koj fushatë do të mbyllet në mënyrën më të bukur: i rrethuar me të rinj, unë do të kem lumturinë të shpall tre prej ideve më të mira që do të mbledh nga të rinjtë e qarkut. Ato ide dhe propozime do të jenë pjesë integrale e platformës sime politike si deputet dhe përfaqësues i qarkut të Elbasanit. Ata do të vijnë me mua në sallën e parlamentit dhe në rrugën e gjatë të ndryshimit që ne do të nisim me 25 prill, për ta bërë Elbasanin dhe çdo qytet tjetër të Shqipërisë – për aq sa do të mundemi më mirë – Qytetin e tyre të Endrrave.