Në një postim në facebook, anëtari i kryesisë së PD, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak Vlorë, Myzafer Elezi, ngre shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm në qytetin e Vlorës, pavarësisht dyfishimit të tarifës nga ana e Bashkisë.
“Vlora, qyteti i Pavarësisë, sot vuan mungesën e ujit, pavarësisht dyfishimit të tarifës së shërbimit dhe të çmimit të ujit, me votat e shumicës në Këshillin e Bashkisë.” – shkruan Elezi.
Më poshtë postimi i plotë:
“Qyteti i bolierëve”.
Vlora, qyteti i Flamurit, sot bën thirrje për vëmendje dhe përgjegjshmëri nga pushteti lokal dhe qendror.
Vlora, qyteti i Pavarësisë, sot vuan mungesën e ujit, pavarësisht dyfishimit të tarifës së shërbimit dhe të çmimit të ujit, me votat e shumicës në Këshillin e Bashkisë.
Mbi çdo çati banese dhe mbi çdo pallat, rëndojnë bolierët, të cilët duket sikur po i zënë frymën qytetit.
Sot, bolierët janë e vetmja shpresë për plotësimin e nevojave të banorëve për ujë.
Vlora nuk ka mungesë uji, përsakohë që uji derdhet në det. Por, ka mungesë vullneti politik për të investuar në drejtim të ujësjellësit, e për rrjedhojë për ti dhënë zgjidhje njëherë e mirë kësaj problematike që përjetojnë vlonjatët prej dekadash.
Janë, jo më pak se 26 vjet që pushteti lokal qeveriset nga partia në pushtet, dhe 11 vjet qeverisje qendrore.
Në prag të çdo fushate zgjedhore premtohet se do të bëhen investime për furnizimin e Vlorës me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, ndërsa në praktikë zero investime. Sot, banorët e blejnë ujin e pijshëm në market, pasi uji që vjen me orar kalon nëpër tubacionet e tej amortizuara, dhe konsumimi i tij për pirje, rrezikon shëndetin e tyre.
Mirë ujë të pijshëm që nuk kemi, por të paktën të kemi ujë pa orar për shërbime të tjera – thonë banorët.
Sot, Vlora “rënkon” për ujë.
Pallatet “rënkojnë” nga mbipesha e bolierëve të shumtë në tarracë.
Edhe pse fundjavë, qetësinë e qytetit e trazojnë pompat e çdo hyrjeje, në çdo familje, në çdo pallat, të cilat furnizojnë bolierët me ujë.
Pamjet e çative dhe tarracave të pallateve, e identifikojnë Vlorën si “qytetin e bolierëve”.
E hidhur, por fatkeqësisht realitet:
– Uji i pijshëm vijon të derdhet në det.
– Vlora vijon mungesën e ujit të pijshëm.
Këshilltarët e Partisë Demokratike nuk do të ndaken së ngrituri zërin në Këshillin e Bashkisë për furnizimin e Vlorës me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
Mbrojtja e interesave të ligjshme të qytetarëve është detyrimi ynë.