Lumturimi i 38 martirëve klerikë shqiptarë është një thirrje për shoqërinë tonë, për të ndriçuar deri në fund krimet makabre të regjimit komunist. Ora e parë e mësimit e ditës së hënë, duhej të ishte orë që i kushtohej ndriçimit të krimeve të komunizmit ndaj fesë dhe besimit fetar në Shqipëri.
Lumturimi i 38 martirëve klerikë shqiptarë, dje Lumë Shërbëtor të Hyjit, të vrarë nga regjimi komunist në periudhën 1945-1974, është jo vetëm një nderim i madh që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë u bëjnë shqiptarëve kudo që janë, por edhe një thirrje për politikën dhe shoqërinë tonë për të ndriçuar deri në fund krimet e regjimit të diktaturës komuniste. Mesha e djeshme e lumturimit të 38 martirëve është një rast i mirë për të analizuar se deri ku ka arritur vendi ynë me dekomunistizimin e shoqërisë. Në fakt, ky proces ka një ecuri krejt të papërfillshme. Eksponentë të strukturave represive të regjimit të djeshëm diktatorial janë sot ende në institucione shtetërore, madje edhe në vendimmarrje, deri edhe në politikëbërje.
Diktatura e Hoxhës vrau, burgosi, internoi dhe persekutoi jo vetëm klerikët, por edhe intelektualët shqiptarë, disidentë ose jo. Krimet makabre të diktaturës hoxhiste, të Partisë së Punës së Shqipërisë, të ish-Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë represive të diktaturës, janë të pafund dhe kanë përmasa të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër ish-komunist. Por, krimet e komunizmit në Shqipëri kanë prekur gjithë popullsinë e vendit me anë të ndalimit të besimit fetar, të ndalimit të lirisë së fjalës dhe të shprehjes, ndalimit të lirisë së mendimit, mungesës së lirisë së informimit, mungesës së lirisë së organizimit politik, si dhe mohimit të të drejtave të tjera themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, izolimi nga bota, etj.
Por, çështja është çfarë është bërë për njohjen e krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste në këto 25 vjet? Pak, shumë, shumë pak. Deri kur do të vazhdojmë kështu?
Deri tani realisht është ngritur një institucion që po zbulon dhe dokumenton krimet dhe pasojat e komunizmit. Edhe pse ka vetëm rreth shtatë vjet që është krijuar Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ky institucion ka botuar disa vëllime veprash ku dokumentohen dhe i ndriçohen publikut krimet makabre të komunizmit. Kjo punë e shkëlqyer e këtij instituti po mbështetet kryesisht nga fondacionet e huaja, si Fondacioni Konrad Adenauer. Ndërsa kjo qeveri as do t’ia dijë që ekziston ky institut dhe mbështetja buxhetore për këtë institut është me pikatore.
Ajo që është më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare: Sa i njeh brezi i ri krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri? Shumë pak. Dhe ky brez shtrihet deri në moshën 35 vjeç, pra të rinjtë që nuk e kanë përjetuar regjimin komunist ose kanë qenë fëmijë nën 10 vjeç. Që këtu kuptohet se cilat janë përmasat e mosnjohjes së krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Lumturimi i 38 klerikëve katolikë, nga Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë, u duhet shpjeguar mirë, më së pari, gjithë nxënësve dhe studentëve, që të kuptojnë përmasat e krimeve të diktaturës komuniste ndaj klerit dhe besimit fetar në vendin tonë.
Nuk kemi dëgjuar për ndonjë vendim apo udhëzim të qeverisë për shkollat dhe universitetet në nderim të lumturimit të klerikëve shqiptarë, si një ngjarje e madhe për vendin. Do të ishte me vend që Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe rektorët e universiteteve të shpallin, në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, orën e parë të mësimit të ditës së hënë, si orë ku do të flitet për krimet e komunizmit ndaj fesë dhe besimit fetar në Shqipëri.
“Radio Vatikani”