Merkatoja e kësaj vere pa të trazoheshin relatat midis agjentit Mino Raiola dhe drejtuesve të Milanit, edhe pse në të shkuarën palët kanë realizuar në bashkëpunim disa transferime të mëdha që janë përkthyer në kontrata prej miliona eurosh. Gjatë një interviste për “Domenica Sportiva”, agjenti Raiola i kthehet çështjes Gigio Donnarumma që ishte shumë pranë largimit nga kuqezinjtë, edhe pse në fund erdhi edhe firma që konfirmon qëndrimin e portierit 18-vjeçar në “San Siro”. “Për sa i përket Fassones e Mirabellit mund të them se nuk kam asgjë personale me ta, thjesht unë nuk besoj tek projekti i tyre”, u shpreh Raiola.
Prelud ky i një serie të re batutash dhe thumbimesh mes palëve gjithsesi, Raiola foli edhe për Paulo Dybala-në i lakmuar nga skuadrat e mëdha europiane: “Fundi i kësaj historie dihet, Dybala do të përfundojë duke u larguar nga Juventusi. Nëse do të ndodhë kjo, largimi i tij duhet të jetë drejt një ekipi me një projekt të konsoliduar, ku do të mund të integrohet, pasi është ende shumë i ri për të qenë lider i një skuadre ende në ndërtim. E projektoj shumë mirë të ardhmen e tij në skuadra të tilla si Barcelona, Real Madridi dhe Manchester City apo United, por gjithnjë brenda një skuadre të madhe e të formësuar”.
Lazio e Simone Inzaghit i dha 4 shuplaka Milanit duke i zbritur me këmbë në tokë kuqezinjtë. Vera e bukur përfundoi në “Olimpico” të Romës për skuadrën e Montellës që pas atij starti të shkëlqyer me 6 fitore në 6 takimet e para zyrtare mes Europa Leagues dhe kampionatit pësoi humbjen e parë sezonale.
Lazio triumfoi 4-1 për meritë të Ciro Immobiles që realizoi tre herë dhe dha edhe një asist, me bardhekaltërit që mposhtën një tjetër skuadër të madhe pas Juventusit në Superkupën e Italisë. Paraqitje e shkëlqyer edhe ajo e Thomas Strakoshës, që në pjesën e dytë u bë protagonist duke ndalur disa tentativa të kuqezinjve. Pas një fillimi shumë të mirë, Lazio shokoi Milanin me dy gola të shpejtë në fundin e pjesës së parë, në minutat 38 dhe 42, me Ciro Immobilen që fillimisht kthehu në gol një penallti ndërsa më pas realizoi me një goditje fluturimthi.
Bardhekaltërit fundosën kuqezinjtë në 5 minutat e para të pjesës së dytë kur shënuan edhe dy herë të tjera me Immobilen dhe brazilianin Luis Alberto për t’i çuar shifrat në 4-0. Strakosha u bë protagonist në të 55-tën me një pritje të bukur ndaj Suso-së, por një minutë më pas portieri shqiptar e kishte të pamundur të ndalte goditjen e Montolivos nga shumë afër që shkurtoi shifrat në 4-1. Deri në fund Lazio e administroi në mënyrë të shkëlqyer rezultatin, ndërkohë që e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi Parolo u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Rochi pak para fundit. Me këtë fitore skuadra e Simone Inzhaghit u ngjit në kuotën e 7 pikëve duke parakaluar në renditje pikërisht Milanin që mbetet në kuotën e 6-të të tillave.