Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, me kërkesë të Izraelit është thirrur një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, hapi seancën duke thënë se populli në rajon po përballet me një rrezik real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë.
“Tani është koha për të qetësuar dhe depërshkallëzuar. Tani është koha për përmbajtje maksimale”, ka bërë thirrje Guterres.
Ai tha se Irani i kishte shkruar presidentit të këshillit të sigurisë duke pretenduar se sulmi ndaj Izraelit ishte mbrojtës, pas sulmit në konsullatën e tij në Damask, Siri.
Guterres u kujtoi anëtarëve se “karta e Kombeve të Bashkuara ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se sulmet në ambientet diplomatike nuk lejohen.
“Është koha për t’u larguar nga pragu. Është jetike për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme. Civilët tashmë po mbajnë barrën dhe po paguajnë çmimin më të lartë”, theksoi ai.
Guterres tha se përgjegjësia e të gjithë anëtarëve është të ndihmojnë në sigurimin e një armëpushimi në Gaza, lirimin e pakushtëzuar të pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi dhe dhënien e ndihmës të papenguar.
Ai tha gjithashtu se dhuna që po ndodh në Bregun Perëndimor duhet të përfundojë.
“Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të punuar për paqen. As rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë më shumë luftë”, përfundoi ai.