Raketa ruse shkaktoi tragjedinë e fluturimit MH17

Hetimi i përbashkët ndërkombëtar për rrëzimin e avionit të pasagjerëve në lindje të Ukrainës, ka gjetur se raketa që ka goditur avionin, ishte e tipit Buk dhe ishte lëshuar nga territori i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Duke folur në qytetin Nieuweeigh, Fred Westerbeke, shef i Ekipit të Përbashkët Hetues (JIT), ka thënë se hetimi eliminon të gjitha shpjegimet e tjera lidhur me shkatërrimin e fluturimit MH17.
Ai ka shtuar se nuk do të publikohen të gjitha të gjeturat e hetimit duke thënë se kjo gjë mund të ndikojë në hetimet kriminale.
Fluturimi i Malaysia Airlines ishte rrëzuar më 17 korrik 2014, duke lënë të vdekur 298 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit.
Hetimi ka ardhur në përfundim se sistemi raketor Buk ishte sjellë në Ukrainë nga Rusia, vetëm pak kohë para tragjedisë dhe ishte dërguar në Rusi, pas incidentit.
Në konferencën për media, u shfaq një animacion 10 minutësh, ku përfshiheshin fotografitë dhe videot e marra nga korriku i vitit 2014, që tregonin se sistemi raketor Buk është sjellë në Ukrainë pranë qytetit Snizhne. Prezantimi tregonte fakte të tjera prej ku është lëshuar raketa.
Pastaj, e njëjta njësi e sistemit Buk, me vetëm tri raketa, tregohet se si gjatë natës ishte dërguar nga rajoni i Luhanskut në Rusi.
Më herët Bordi për Siguri i Holandës kishte ardhur në përfundim se MH17 ishte rrëzuar nga një raketë e lëshuar nga territori i kontrolluar nga separatistët pro rusë. Por Moska kishte hedhur poshtë këto pretendime.

Exit mobile version