Rakipi denoncon edhe presionin e Ramës ndaj Fevziut në sy të Frangajt: Do vendos unë…

Gazetari Ylli Rakipi, gjatë intervistës në RTV Ora u shpreh se, kryeministri Rama i ka bërë presion edhe drejtuesit të “Opinion”, Blendi Fevziu. Rakipi ka dhënë detaje rreth një darke të kryeministrit Rama me pronarin e Tv Klan Aleksandër Frangaj dhe Blendi Fefziu në një restorant luksoz në kryeqytet më 8 prill 2019.

“I ka bërë presion edhe kolegut tonë, Blendi Fevziu”, deklaroi Rakipi në studion e Ora News. Rakipi u shpreh se Rama po bën përpjekje për të kapur edhe median online, duke u ofruar reklama dhe para. Arsyeja sipas Rakipit ka pasur të bëjë me panelin e të ftuarve të Fevziut, duke lënë të kuptohet se drejtuesi i “Opinion” nuk do të thërrasë të ftuar pa pyetur më parë kreun e qeverisë.

Rakipi u shpreh se ka një tentativë nga propaganda e Edi Ramës, për ta spostuar debatin tek pronarët dhe çështjet e programacionit. Ai tha se kontrata e tij me News24 është ndërprerë në mes, si pasojë e presioneve të vazhdueshme të qeverisë.

“Një kategori njerëzish por edhe ndonjë koleg i ynë, kërkon ta çojë këtë problem tek programacioni, tek ideja që gjëra të tilla ndodhin në mënyrë të rëndomtë, përpiqen ta çojnë këtë gjë tek pronarët.

Ka ndodhur një gjë shumë e thjeshtë. Nëse shohim, Shqipëria po shkon drejt një regjimi të plote. Kryeministri ka staturën e një autokrati, një diktatori. Kontrata ime është ndërprerë në mes, mbaronte në vitin 2020. Ishte një kontratë dy vjeçare. Edhe kjo gjë u manipuluar për tu përdorur, si një element i rëndësishëm, për të thënë ka mbaruar kontrata.

Unë në emisionin tim përgjatë ekzekutimit të tij, kam patur problematika të mëdha me qeverinë dhe kryeministrin Rama. Kam edhe materiale filmike, ku Rama vjen në tryezë dhe bën presion, ofendon një prej gazetarëve. E rëndësishme është se Edi Rama është fokusuar në emisionin tim, kur unë kam publikuar afera të lidhura drejtpërdrejtë me qeverinë.

Presioni ndaj pronarit, mund të mos jetë i drejtpërdrejtë, edhe pse këto nuk mungojnë, jo vetëm me pronarin aktual, por edhe në vende të tjera kur kam qenë, i kam parë me sytë e mi komentet, mesazhet.

Është instaluar një regjim dhe tani është radha që pasi mori pushtetet, të marrë edhe ajrin. Kështu ndodh në të gjithë diktaturat.

Ideja për ta çuar tek pronarët, është vepër e propagandës së Ramës, sikur ky është një problem pronarësh. Në Shqipëri, media është marrë përgjithësisht nga qeveria. Paralel me ekzekutimin për emisionin tim dhe të Krastës, është vënë në pozitë të vështirë në një darkë, edhe kolegu Fevziu. I është kërkuar që opozitën të mos e shfaqet.

Ne kemi filluar të pajtohemi me këtë mënyrë. Jetojmë në një komunitet që sheh punët e veta”, tha Rakipi.

I pyetur nga gazetarja Beti Njuma, nëse emisioni “Të Paekspozuarit” do të mbyllet përfundimisht, Rakipi u shpreh se kryeministri pavarësisht përpjekjeve dhe largimit të tij nga Neës24, nuk do ta arrijë të mbyllë përfundimisht këtë emision.

“Duhet të presë akoma Edi Rama, që unë të mos jem në këtë botë, që të mbyllë emisionin “Të Paekspozuarit”.

Vite më parë, Edi Rama dhe familja e tij nuk kanë patur nevojë për kanaçe për të parë televizion sepse jetonin në Bllok. Njerëzit në kohën e Hoxhës shihnin me kanaçe. Kur bëhej në atë kohë, nuk ka se si të mos bëhet tani.

Krahasohet shpesh koha e Berishës, që ai ka qenë njeriu më represiv ndaj medias. Berisha nuk ka qenë një mik i medias, është përplasur me median në mënyrën më të keqe të mundshme. Por, Sali Berisha nuk e bleu median.

Top Channel ishte një armik për Sali Berishën, por nuk pagoi para për ta nënshtruar. Ideja dhe përpjekja, blerja masive e mediave, është ngjarja më e shëmtuar që mund t’i ndodhë një vendi.

Armiq të medias kemi parë plotë, por blerës të mediave është e vështirë të gjesh. Diktaturat në Evropë, kanë zgjatur në kohën e komunizmit. Ajo ishte një sëmundje që mori shumë kohë. Diktaturat e këtij lloji nuk zgjasin shumë, megjithatë sado të zgjasë, njerëzit do t’i vuajnë”, u shpreh gazetari Rakipi.

Artikulli paraprakJa kush janë vëllezërit Kusi që vranë 26 vjeçarin duke montuar kondicionerin
Artikulli tjetërKëshilli i Europës dënon censurën e Ramës: Mbylli emisionet kritike me qeverinë!