Ish-kryeministri Berisha zbardhi dje mënyrën skandaloze se si Rama është justifikuar para një ambasadori të një vendi të rëndësishëm për rekrutimin e personave me preçedent kriminalë në Partinë Socialiste dhe administratë. Berisha tha se në një takim të pak ditëve më parë, Rama i ka pohuar ambasadorit se kishte rekrutuar kriminelë nga zonat e veriut sepse vetëm përmes kësaj mënyrë ai mund të fitonte zonat veriore.
– Kush janë këta se nuk po i shohim?
Nuk po i sheh? Çfarë janë vëllezërit Frroku?
– Ata janë para ligjit për dekriminalizimin…
Jo përpara dekriminalizimit. Përkundrazi, ligji i dekriminalizimit i nxori një e nga një. Dhe së dyti kam një gjë për ju mediat. E dëgjoj që flisni vazhdimisht për nr. 19, pra 19 deputetë, por unë ju kërkoj ju njerëzisht të merrni listat e deputetëve, se deputetë janë dhe ata që s’kanë hyrë në Parlament dhe shikoni a do t’ju dalin 19 apo 24?! Ndaj mos u ngutni për të bërë vlerësime, sepse në rrafshin cilësor, vrasësi është vrasës. A janë tre apo janë 10 apo shtatë ata janë vrasës. Por nëse do të merrni listat e aleancës së qelbësirave, veçanërisht listën e PS dhe PKD, ju aty do të gjeni jo 19, por 23.
Por këta janë të tmerruar nga kjo gjë. Sot, në vend se të kërkojnë të falur…
E thashë dhe në Parlament, Rama është njeri antikombëtar. I thotë një ambasadori të një vendi kryesor për veriorët se ata në këtë mënyrë qeverisen dhe se ata kriminelë ia ka marrë Sali Berishës.
Unë e sfidoj këtu, do ta sfidoj në Parlament, do ta sfidojë para gjithë botës që të gjejë qoftë dhe një të vetëm, jo tani, por nga viti 1991 deri sot, në listat e deputetëve të PD me antecedentë vrasjen, unë dorëzoj mandatin tim. Një të vetëm po gjeti. Por të shpifësh e trillosh me mashtrime të tilla është një akt i ulët. Të justifikosh krimin duke trilluar do të thotë se je më kriminel se ata që kanë vrarë.
– Pse duhet t’ju besojmë ne ju që thoni se keni folur me një ambasador anonim?
Ky ambasador është i një vendi kryesor dhe unë për etikë diplomatike nuk po përdor emrin e tij, por në mënyrë absolute ai këtë e ka thënë, jo më larg se para tre-katër ditësh nga dita e sotme. Ka thënë se zoti Rama i ka pohuar se ka vendosur, ka marrë kriminelë nga Veriu pasi ato zona të atilla janë dhe se ja mori Berishës për të fituar në ato zona.
– Po në lidhje me formularin e zotit Noka?
Po çfarë ligjin e arratisjes së Ramiz Alisë merrni për bazë ju? Me ligjin e arratisjes, kini parasysh, kur u vendos pluralizmi të rinjtë menduan se mund të ikin. Ramiz Alia nga maji 1990 kishte hequr ligjin për arratisjen. Por lexoni kronikat e asaj kohe, ai, më 11 dhjetor ekzekutoi tre shqiptarë në kufi me Greqinë, kurse në lumin Buna, po në dhjetor, ka ekzekutuar 4 shqiptarë të tjerë se arratiseshin sipas tij. Flamur Noka ka shpëtuar mirë se s’ka marrë ndonjë plumb në atë kohë, se nuk do të ishte gjallë sot. Nëse këta quajnë dënime ato të kohës së diktaturës, kjo është puna e tyre.
– Po çështja e ndryshimit të datës së lindjes tuaj? Thonë që e keni bërë për ta bërë më afër asaj të diktatorit.
Në fakt atë që i bëra diktatorit ata nuk e falin dot kurrë. Unë bëj fjalë për ndryshime që fshehin dosje, po ai është teknikalitet pa asnjë vlerë. Se emri Edi të shpëton nga dosja e Edvin. Unë e thirra atë për ta sqaruar këtë. Të vijë dhe t’u thotë qytetarëve se për çfarë arsye e ka ndërruar emrin, është Kryeministër ai.
– Për çështjen e datës së lindjes tuaj nuk na e sqaruat….
Teknikalitet është sepse ka qenë një gabim për arsye tërësisht teknike. Kjo se kur ka ndodhur nuk e mbaj mend, po të hyj për ta gjetur e gjej. Nuk është e njëjta gjë kjo me ndërrimin e emrit. Edhe një herë ju them se po të krahasoni të pakrahasueshmen është si të bëni avokatinë e krimit, por ju s’duhet ta bëni këtë. Krimi është krim. Unë s’e kam fshehur, aty janë dokumentet.
– Ju nuk e keni shënuar në formular…
Sepse nuk futet kjo në kërkesa. Asnjë kërkesë nuk ka për këtë, zero kërkesë, kjo është arsyeja.
Incienti që bllokoi Kuvendin
Deputeti socialist Taulant Balla humbi kontrollin dje në Parlament ndërsa ish kryeministri Berisha akuzoi me fakte Ramën për lidhje me krimin si dhe qendrimet e tij antikombëtare për Veriun e vendit. Berisha denoncoi në Parlament deklaratat e Ramës në një takim me një diplomat të huaj, të cilit ia kishte paraqitur Veriun si vatër e krimit, por kjo deklaratë nervozoi deputetin socialist Taulant Balla. “Dua të denoncoj këtu Ramën si një armik të egër të qenies sonë kombëtare. Qenia kombëtare është një dhe e pandashme. Ata, të cilët ndajnë qenien kombëtare, ata janë armiq të egër të saj, ata me çdo kusht dhe çdo mënyrë përpiqen që shqiptarët t’i paraqesin aq të ndryshëm nga njëri-tjetri saqë vetëm një komb nuk janë. Në krye të tyre qëndron Edi Rama sot. Çfarë do t’i thoshte në një bisedë një diplomat i huaj një personaliteti shqiptar, do i thoshte: “Po, Edi Rama më ka pohuar sinqerisht se ai ka rekrutuar nga zonat e Veriut vrasës, kriminelë e trafikantë sepse në ato zona vetëm me të tillë ia dilet”. Në këtë mënyrë Rama, me një racizëm të ulët, të ndyrë antishqiptar e antikombëtar, paraqet Veriun si pullë kriminelësh dhe dijeni të dashur qytetarë dhe qytetare nga rrethet e Veriut e Verilindjes, se ky është koncepti antishqiptar i tij për ju. Dëgjoja një ditë në televizion njeriun më të afërt të tij tek u thoshte se nga Laçi në Vermosh dhe në Tropojë ka vetëm kriminelë. Në fakt ky është një fatkeq që beson mashtrimet, trillimet e shpifjet e ulëta të një antishqiptari siç është Edi Rama, të njeriut që ka dekoruar Bregoviçin me Çelësin e Artë të qytetit të Tiranës për himnet antishqiptare e antikosovare, himnet ndaj atyre që ngrejnë burrat dhe gratë e Kosovës” u shpreh Berisha por në këtë moment fjala e tij është bllokuar nga Taulant Balla i cili nisi të ulëriste në sallën e Parlamentit duke kërkuar ndërprerjen e seancës. Ndërsa Berisha po akuzonte me fakte Ramën, Balla nisi të godiste tavolinën me grushte duke kërkuar ndërprerjen e seancës. “Ky s’është zotëri, është një kriminel i vërtetë, që i thotë të huajve e diplomatëve kryesorë se Veriu…(debate në sallë) Më lër të flas. Ky kriminel të vijë këtu… (ndërpritet seanca)”. Më pas, jashtë sallës së Parlamentit në një prononcim për mediat Berisha tha se ndërprerja e fjalës së tij erdhi si rezultat i pranisë së krimit në Parlament. “Siç e shihni, këta vetëm Parlament nuk pranojnë, këta nuk pranojnë fjalën në Parlament. Natyrisht sot është një ditë e tmerrshme për ta. Sepse sot Parlamenti konstaton një numër të caktuar vrasësish, trafikantësh droge dhe prostitucioni, të futur nga Edi Rama në Parlament. Ligji i dha të drejtë atyre, të cilët bënë gjithçka për miratimin e tij. Kuptohet se sa e vështirë ka qenë qëndrimi ynë me këtë përbërje Parlamenti dhe përsëri këta bëjnë gjithçka për të maskuar këtë akt të pashembullt. Jam këtu dhe një herë për të denoncuar se nuk ka më kriminel se sa ai ose ajo që fut vrasësit në tempullin e demokracisë së një vendi” tha Berisha për mediat.
Pas largimit të PD, mazhoranca nuk miraton dot ligjet, nuk ka vota
Pas largimit të opozitës nga Parlamenti, mazhoranca e ka gjetur veten në vështirësi për të plotësuar kuorumin prej 71 votash duke dështuar në miratimin e projektligjeve që ishin në rend të ditës e duke shtyrë kalimin e tyre gjatë seancës së ardhshme. Debatet e ashpra rreth disa draftligjeve si atij për financimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë apo dhe atij për moratoriumin e gjuetisë nuk arritën të prodhojnë votat e nevojshme që do të çonin projektligjet e parashikuara në rendin e ditës dje drejt votimit. Kjo seancë u mbyll me debat dhe pa votim, i cili u shty për javën e ardhshme. Mazhoranca dështoi në miratimin e projektligjeve të parashikuara në rend të ditës. Opozita u largua më herët nga salla e Parlamentit e bindur në llogarinë e saj se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arrinin dot kuorumin për miratimin e projektligjeve, duke sjellë për pasojë shtyrjen e tyre për seancën e ardhshme. “Lidhur me votimin dhe interpelancën do të zhvillohen seancën e ardhshme”, u shpreh Meta. Më herët mazhoranca dhe opozita debatuan ashpër teksa u diskutua marrëveshja për financimin e projektit të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ministri Damian Gjiknuri mbrojti reformat që, siç tha ai, e kanë nxjerrë sektorin nga kolapsi, duke ruajtur qëndrueshmërinë e çmimit të energjisë. Por deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi se janë të dhënat zyrtare të Eurostatit ato që rrëzojnë pretendimet e Gjiknurit. “Ministri që lexon raportet e Eurostatit dhe nuk lexon raportet e ERE-s, dy të dhëna: Raporti i ERE thotë që më 2014 çmimi për konsumatorët mesatarë ishte 8.89, për 2015 ishte 9.52. Sesi është më e vogël 9.52 se 8.58 vetëm ky ministër e di”, tha Tabaku. Më e ashpër ishte deputetja Jozefina Topalli, e cila kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për abuzimet që, sipas saj, bëhen në sektorin eklektroenergjetik. Topalli: Ky është fundi i asaj që mund të quhet shtet, pashpirtësia më e madhe dhe unë ju ftoj ju si kryesues i seancës, por dhe kolegët e mi që të bëjmë një komision hetimor. Projektet që kalojnë për miratim në seancën tjetër për shkak se pas largimit të opozitës shumica nuk ia doli të arrijë kuorumin e nevojshëm prej 71 votash për miratimin e tyre, janë ai për miratimin e moratoriumit të gjuetisë dhe ai i shtyrjes së afatit për dhënien e titujve të pronësisë për tokat bujqësore, si dhe marrëveshja për financimin e projektit për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.