Edi Rama me amnistinë e tij po nxjerr nga burgu të gjithë kriminelët që kanë dhunuar zgjedhjet, mes tyre dhe të dënuar për vrasje. Dalja e Lul Berishës, kreu i bandës së Durrësit ishte sinjali i parë, por fushatës tashmë nuk do i mungojë as Armando Prenga, ish-deputet i PS-së i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tha dje se ky është dhe qëllimi i faljes së dënimit të kriminelëve. “Edi Rama ka përgatitur një amnisti, e cila do t’u japë lirinë dhe do të falë kultivuesit e drogës, kriminelët që kanë tentuar të vrasin, kriminelët që kanë dhunuar zgjedhjet. Kur vendi ka nevojë të luftojë krimin që po shtie në dorë politikën, ekonominë, dhe gjithë shoqërinë, Edi Rama ka zgjedhur të falë kriminelët. Amnistia qeveritare do të falë Armando Prengën që tentoi të vriste dhe të tjerët si ai, por nuk do të falë qytetarët që protestuan kundër ndërtimit të paligjshëm të Parkut të Liqenit. Kjo është bërë me qëllim për të dhënë mesazhin se: Amnistia nuk përfshin qytetarët aktivë me qëllim për t’u thënë mesazhin e qartë të gjithë popullit: ata që do të guxojnë të ngrejnë zërin dhe të protestojnë kundër qeverisë do t’i presë burgu dhe gjobat”, tha Ristani. Më tej, deputeti i PD-së shtoi se amnistia do të qetësojë të gjithë kriminelët e politikës, duke dhënë dhe mesazhin se sa kohë Edi Rama të drejtojë qeverinë, asnjë prej tyre sdo i hyjë gjemb në këmbë. “Amnistia do të falë kriminelë me pushtet për t’i qetësuar të gjithë kriminelët e të tjerë në politikë se sa të jetë Edi Rama në pushtet nuk do të ketë dekriminalizim të politikës. Amnistia po fal kriminelët për t’u thënë atyre se, nëse i shërbejnë Edi Ramës, nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal kultivuesit e drogës për t’u dhënë mesazh të gjithë kultivuesve dhe trafikantëve se sa të jetë Edi Rama në pushtet ata mund të kultivojnë dhe trafikojnë drogë dhe nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal dhunuesit e zgjedhjeve për t’i dhënë mesazh të gjithë dhunuesve të votës së lirë se, nëse prishin zgjedhjet e ardhshme nën urdhrat e Edi Ramës, ata nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia që po bën Edi Rama është goditje për qytetarët e ndershëm, është goditje për dekriminalizmin, është goditje për luftën kundër drogës, është goditje për zgjedhjet e lira. Partia Demokratike e dënon këtë amnisti dhe i bën thirrje deputetëve të ndershëm të mos e votojnë atë”, tha Ristani. Nuk është e rastit që në prag të fushatës elektorale, qeveria harton një amnisti të gjerë ku pritet të lirohen rreth 1 mijë persona dhe të përfitojnë katër mijë të tjerë. Në zgjedhjet e Dibrës, por edhe më herët u pa qartë mbështetja që rilindja kishte tek persona me rekorde kriminale. Nga ana tjetër, njihet ndjeshmëria e lartë që ka kryeministri sidomos për trafikantët shumë prej tyre janë dënuar për trafik të lëndëve narkotike një skemë ku dyshohet se do përqendrohet dhe fushata e ardhshme e rilindasve.