Pas postimit të kryeministri Edi Rama pak më parë të një video ku bënte check-up-in falas në poliklinikën nr.9 në Tiranë, ka reaguar deputetja e partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Me anë të një postimi në rrjetet Vokshi shkruan se në vend që të japë dorheqjen Rama jep shfaqje në mbrojtje të koncesionit të vet më korruptiv prej 120 milionë eurosh.
Më tej ajo deklaron se Partia Demokratike do ta anullojë këtë koncesion korruptiv që është baza e degradimit të sistemit shëndetësor.
Statusi i plotë
Në vend që të japë dorëheqjen për dështimin me turp të check up-it, Edi Rama jep shfaqje në mbrojtje të koncesionit të vet më korruptiv prej 120 milionë eurosh.
Pavarësisht manipulimeve, shantazheve dhe kërcënimit të mjekëve, vetëm 27% e shqiptarëve e kryejnë check up-in.
Partia Demokratike do ta anullojë këtë koncesion korruptiv që është baza e degradimit të sistemit shëndetësor. Paratë e përfituara në kundërshtim me ligjin nga sponsorizuesja e Edi Ramës, Vilma Nushi, do t’i kthehen qytetarëve me investime serioze që i shërbejnë realisht shëndetit të qytetarëve.
p.s. Nëse epruveta me kampionin e gjakut të Edi Ramës, nuk është marrë mbrapsht, uroj që të mos ketë gabime. Jo pak burra kanë dalë shtatzanë nga check up. Fati i keq i ndonjë tjetri, se nga analizat e gjakut, mund të rezultojë me dozë të lartë kokaine.