Nga Agim XHAFKA
Mbrëmë te vila kryeministrore në Surrel janë parë disa trajlera. Në to u vendosën gjithë mobiliet e pajisjet që ishin brenda.
U vu re dhe Edi Rama duke ngarkuar një tavolinë dhe dy kolltukë. Në fytyrë i lexoheshin dhimbjet e hernies diskale, po mësuam se ai ndihmoi deri në fund.
Nuk u tërhoq.
Sa mbaroi boshatisja erdhën makina të shumta ushtrie që shkarkuan dhjetëra krevate portativë.
Zonja Rama atë çast mbajti një fjalë të shkurtër:
-Nga sot familja kryeministrore do të banojë te çadrat e tërmetit në Thumanë. Ndërsa populli i dëmtuar i Thumanës do të jetojë te vila jonë në Surrel. Kështu si ne do të zhvendosen dhe ministrat e deputetët.
Nga sot e tutje qeveria do të quhet Qeveri e Çadrave.
Nuk pranuan të lironin shtëpitë e tyre veç Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Tashmë populli po e kupton se kush i do dhe kush i përbuz.
Më vonë pasi u nisën makinat me plaçkat e familjes kryeministrore, Edi Rama dhe zonja e tij ia morën më këmbë nëpër shi e nëpër baltë.
Deri në Thumanë 13 orë ecën duke u lutur për të mirën e popullit shqiptar.
Me dhimbje e lot në sy. Duke u lutur e duke shqiptuar fjalë të shenjta…
(Kështu do të shkruajmë pasi të miratohet ligji i censurës në media.)