Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin, duke e cilësuar atë si një model që ka varfëruar shqiptarët dhe ka promovuar antivlera.
Në një postim në facebook, Basha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë dhe një qeverisje me integritet, meritokraci dhe përkushtim ndaj interesit publik. Ai shprehet se programi i Demokratëve Euroatlantikë anti-korrupsion, përfshin krijimin e një njësie për rikuperimin e pasurive të vjedhura, mbështetje të plotë për SPAK dhe GJKKO, forcimin e Ligjit “Anti-Mafia” dhe ashpërsimin e masave kundër korrupsionit në Kodin Penal.
Sipas Bashës, më 11 maj qytetarët kanë në dorë të lënë pas dështimet e qeverisë aktuale dhe të zgjedhin një rrugë të re që garanton investime, punësim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.
Postimi i plotë i Bashës:
Shqipëria meriton më shumë se Edi Rama dhe shpura e tij, që e ka kthyer korrupsionin dhe lidhjen me krimin në kriterin të kompetencës për qeverisjen e vendit.
Shqipëria meriton një tjetër model, ku më të mirët janë ata që shërbejnë me ndërshmëri, meritë dhe përkushtim ndaj interesit publik, jo hajdutët e dobishëm me të cilët Edi Rama krenohet dhe në bashkëpunim me ta ka varfëruar familjet shqiptare, duke imponuar anti-vlerat si “histori suksesi”.
Më 11 maj, kemi në dorë të lëmë pas dhështimet në arsim, shëndetësi, siguri të kësaj qeverie që nuk ka më çfarë t’u japë shqiptarëve, përveç thellimit të mëtejshëm të krimit dhe korrupsionit.
Bashkë mund të nisim një rrugëtim të ri, duke e shkëputur vendin nga e shkuara që riciklohet si alternativë e vetme, për t’i dhënë Shqipërsië të ardhmen që meriton përmes një programi të mirëstudiuar anti-korrupsion.
Me planin tonë do krijojmë një njësi të posaçme për gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura, duke ua kthyer ato shqiptarëve. SPAK dhe GJKKO do të kenë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë, ndërsa Ligji “Anti-Mafia” do të forcohet për të goditur zyrtarët e korruptuar. Çdo kontratë koncesioni ose PPP e dyshimtë do të verifikohet dhe, nëse është abuzive, anulohet menjëherë.
Kontrollin e Lartë të Shtetit do ta shndërrojmë në Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me vendime të ekzekutueshme pa vonesë. Po ashtu, do të rishikohet kuadri ligjor për operatorët “off-shore”, me qëllim që kontratat abuzive të jenë gjithnjë subjekt i Ligjit “Anti-Mafia”.
Parimi “Të gjithë të barabartë para ligjit” do të jetë realitet përmes “Ndiq paranë” dhe vetting-ut të politikanëve. Hiqet imuniteti i deputetëve, duke u hapur rrugë hetimeve të plota, ndërsa Kodit Penal do t’i ashpërsohen masat për korrupsionin aktiv e pasiv. Vetëm kështu Shqipëria garantohet me investime, punësim dhe shërbime cilësore — sepse shqiptarët meritojnë më shumë.