Kryetari i këshilltarëve demokratë të Bashkisë së Tiranës, Kreshnik Çollaku u shpreh se opozita ka zgjedhur të jetë në krah të njerëzve dhe jo të bëjë politikë me përmbytjet. Çollaku tha se: “Nuk ka gjë më të lehtë për një opozitë sesa të bëjë akuzuesen në një situatë të tillë, por kemi zgjedhur të jemi me qytetarët, të mbështesim efektivët e ushtrisë, policisë, mjekët dhe këdo që është në shërbim të njerëzve”. Kreshnik Çollaku vëren se ata që po bëjnë politikë me përmbytjet janë kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që në vend që të menaxhojnë situatën për të cilën janë përgjegjës, numërojnë sukseset. Kryetari i këshilltarëve demokratë u bën thirrje banorëve të Tiranës dhe zonave të tjera të prekura nga përmbytjet, pavarësisht përkatësisë partiake, të përçmojnë cinizmin e qeveritarëve për të ndihmuar njëri-tjetrin në këtë situatë të vështirë. “E keqja duket se nuk ka kaluar. Të ndihmojmë njëri-tjetrin. Llogaritë me pushtetin do t’i bëjmë shpejt”. Kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku në një prononcim për mediat për situatën e përmbytjeve në autostradë deklaroi se shkak kryesor i gjendjes janë palmat, projekt të cilin e cilësoi si marrëzi. “Kjo është një situatë që në Tiranë dhe në Shqipëri nuk është surprizë, por po përsëritet në disa vite. Duhet të analizohen fenomenet për t’i parandaluar. Nuk kam parë asnjë situatë parandaluese apo përpjekje gjatë periudhave normale në bashki, shpresoj që ta kenë bërë, por ne nuk e kemi parë. Përveç rrugëve të Tiranës që po përmbyten, por situata më e rëndë është në autostradë”, është shprehur Çollaku për “Report Tv”. Ai sqaroi se autostrada është një aks i një sigurie kombëtare që paralizon furnizimin me energji, aeroportin dhe kjo flasim për përmbytjen e autostradës ku nuk bëhet për dëme materiale po jetë njerëzish. “Qindra njerëz janë bllokuar. Me projektin idiot të mbledhjes së palmave janë bllokuar kanalet kulluese të ujit dhe bllokimi i tyre është faktori kryesor që shkakton bllokimin e autostradës. Kjo marrëzi shtohet, pasi tani do të zëvendësohen me pisha 2.5 mln euro në gjurmët e zgjerimit të autostradës, vetëm për një vit. Po flas si një qytetar, jetën e rrezikojnë demokratë dhe socialistë. Sonte është vonë, por nesër do të paraqes një kërkesë që të pezullohet zëvendësimi i palmave me pishat, pasi përveç se janë një aferë, por janë rrezik për njerëzit. Para një jave shumica bleu dy mandate në këshill për të zëvendësuar palmat me pishat, 2.5 mln euro. Sot në aeroport është mbajtur me dorë regjistrimi i udhëtarëve dhe kjo është çështje sigurie”, u shpreh Çollaku.