Rama do drejtësinë për të shpëtuar Shullazin

Rama kërkon të kapë sistemin gjyqësor përmes Reformës në Drejtësi për të shpëtuar Shullazin dhe bandën e tij. Deputeti demokrat, Eduard Halimi deklaroi dje në një prononcim për mediat se PD nuk do të lejojë miratimin e një reforme sipas projektit të Ramës, e cila synon t’i bëjë bandat kriminale të lidhura me Ramën të paprekshme.
Halimi tha se nëse drejtësia do të ishte e gjitha nën këmbët e Edi Ramës, sot Emiljano Shullazi do të ishte sërish jashtë duke i vënë pistoletën në kokë biznesmenëve e duke grabitur prona. Ndaj dhe ai theksoi se atë që ka bërë gjatë këtyre tri viteve Edi Rama duke i dhënë prona Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, atë gjë vazhdon ta bëjë edhe sot dhe flet për Reformën në Drejtësi. “Kush flet për Reformën në Drejtësi?! Ai që mbolli gjithë Shqipërinë me kanabis, që ka mbjellë çdo kodër nga Jugu në Veri me kanabis. Flet ai që me dorën dhe firmën e vetë futi në Parlament deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, njerëz të dënuar nga drejtësia për trafik droge dhe trafik prostitucioni. Flet ai për sistemin e drejtësisë, ai që kur trafikanti me 400 kg heroinë drogë gjendej në makinën e deputetit të tij, Mark Frroku urdhëroi lirimin. Ai që ngriti traun për vrasësin e komisarit, ai që kaloi makinën e Emiljano Shullazit në doganë, pa asnjë dokument dhe pa kontroll. Ai që hoqi prizën e kamerave të komisariatit kur deputeti i tij qëlloi qytetarët para komisariatit. Ai flet për sistemin e drejtësisë?! Sistemi i drejtësisë duhet të jetë larg Edi Ramës. Dhe kjo është imediate”, tha deputeti demokrat.
“Ju jeni njohur me qëndrimin politik të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një qëndrim që shpreh papajtueshmërinë e plotë me standardin tërësisht kriminal që ka ndjekur Edi Rama, ku nga njëra anë urdhëron dënimin e denoncuesit të Emiljano Shullazit me përjashtimin 10 ditë të Doktor Berishës nga Parlamenti dhe nga ana tjetër, merr në mbrojtje siç ka bërë gjatë këtyre tri viteve Emiljano Shullazin, siç bëri edhe para disa ditësh në Parlament, ku në vend që të falënderonte Prokurorinë, sulmoi ashpër Prokurorinë duke i dalë sërish në krah bandave dhe lidhjeve me bandat, duke i dalë në krah sërish Emiljano Shullazit duke thënë se me demek policia i kishte kërkuar arrestimin e Emiljano Shullazit, por ishte Prokuroria ajo, e cila e kishte vonuar arrestimin e Emiljano Shullazit. Një deklaratë, që nuk arriti ta artikulonte as avokati de jure i Emiljano Shullazit para kamerave. Kjo është drejtësia që do Edi Rama”, tha Halimi.
Ai theksoi se në vend që si Kryeministër të dilte në mbrojtje të Prokurorisë, të dilte në mbrojtje të dëshmitarëve, të cilët janë kyç në një proces të tillë si ky i Emiljano Shullazit, në vend që të dilte në mbrojtje të biznesmenëve, të cilëve u është vënë gjoba duke u marrë pasurinë e tyre me armë në kokë, doli në mbrojtje dhe bëri avokatin e Emiljano Shullazit. Kjo, tha Halimi, është drejtësia që kërkon Edi Rama dhe nuk mund të jetë kurrë një drejtësi që e duan qytetarët shqiptarë.
Halimi tha se qytetarët duan një sistem drejtësie larg qeverisë, larg Edi Ramës. “Projekti që ka pasur në kokën e vet Edi Rama për sistemin e drejtësisë është rrëzuar, nuk ekziston më. Ai ishte një projekt që u rrëzua nga Venezia. Ky ishte ai që vonoi Reformën në Drejtësi të paktën prej dy vjetësh. Që nga shtatori e deri në dhjetor vonoi Byronë Kombëtare të Hetimit sepse donte patjetër ta kishte nën Emiljano Shullazin, për të mbrojtur Emiljano Shullazin dhe gjithë shullazët që kishte dhe ka. Edhe kur ia rrëzoi Venecia në dhjetor, sërish e shtyu deri në mars dhe kërkon ta mbajë Byronë Kombëtare të Hetimit nën Shullazin. Kjo s’mund të jetë drejtësia që duan shqiptarët”, tha deputeti demokrat.

– Z. Halimi, a po kërkon opozita pretekste për të zvarritur Reformën në Drejtësi?
Jua thashë se ai që e ka penguar Reformën në Drejtësi ka qenë Edi Rama që ka patur një projekt të vetin dhe nuk ka pranuar kurrë të jetë një projekt bashkë me opozitën, një projekt që të jetë sipas parimeve të Komisionit të Venecias dhe sipas parimeve europiane. Por ai ka dashur të jetë një projekt i veti. Ju jeni dëshmitarë që është ai që e ka vonuar nga shtatori ku bëri vetë projektin, ku donte që Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë speciale ta kishte nën Ministrinë e Brendshme dhe rezistoi sërish edhe kur Venecia në dhjetor ia rrëzoi. Kur ne i thamë në dhjetor hajde ta miratojmë siç do Venecia, vazhdoi dhe e mbajti deri në mars Byronë Kombëtare të Hetimit, nën hyqmin e vet dhe kjo është e paimagjinueshme. Sigurisht që ekspertët e Partisë Demokratike kanë punuar gjatë javës së kaluar dhe kanë treguar bashkë me PD-në se janë për një projekt gjithpërfshirës për Reformën në Drejtësi, një projekt që do të nisë me komponentin antikorrupsion, një projekt që do të bëjë të mundur krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë speciale, jo ashtu siç e do Rama nën Shullazin për të mbrojtur Shullazin dhe bandën e tij, por nën Prokurorinë. Një projekt që do të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, do të bëjë të mundur dërgimin para drejtësisë siç bëri sot me Emiljano Shullazin, por edhe me gjithë shullazët dhe bandat që janë nëpër këmbë në Shqipëri dhe gjithë zyrtarëve, ministrave, deputetëve të korruptuar që marrin fonde publike.

– Z. Halimi, ju thatë se z. Rama duhet të mbahet larg nga Reforma në Drejtësi dhe sistemi i drejtësisë. A mbahet jashtë duke mos shkuar opozita në këtë reformë dhe duke ndenjur këtu jashtë me gazetarët?
Thashë që opozita tregoi sot se ka një qëndrim politik për të treguar qartësisht si të papranueshme me një standard tërësisht kriminal që mban Edi Rama. Në vend që të promovojë Prokurorinë dhe denoncuesit, dënon denoncuesit dhe bëhet krah për krah me krimin dhe avokatët e krimit. Kjo nuk mund të jetë drejtësi, të cilën e duan qytetarët. Prandaj Reforma në Drejtësi do të bëhet. Projekti i Reformës në Drejtësi do të miratohet. Jo ai projekt që ka Edi Rama që në kokë, ai që ka pasur para dy vjetësh dhe e mban peng se do të realizojë krijesën e vet, por do të realizohet Reforma në Drejtësi siç e kërkon Komisioni i Venecias, sigurisht që në ditët në vijim mbasi të mbarojë edhe vendimi politik i grupit parlamentar, ndërkohë që edhe gjatë kësaj jave ekspertët e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të punojnë me ekspertët ndërkombëtarë për të përpunuar draftin e amendamenteve kushtetuese dhe draftin e ligjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me komponentin antikorrupsion. Draftin e ligjeve për Byronë Kombëtare të Hetimit, draftin e ligjeve për SPAK-un, draftin e ligjeve për kontrollin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në ditët në vijim do të jetë punë e Komisionit të Reformës në Drejtësi që duhet të miratojë një projekt që ta mbajë drejtësinë larg Edi Ramës.

Artikulli paraprakKonsumi i energjisë ra me 7% më 2015
Artikulli tjetërRinisin përmbytjet, dhjetra banesa e biznese nën ujë