Nga Namir Lapardhaja
Të gjithë e dinë që nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm.
Nuk mund të ketë ministra dhe zyrtarë të rëndësishëm në hetim për korrupsion dhe kryeministër jashtë procesit.
Është jo logjike dhe e papranueshme të dënohet vartësi dhe të shpëtojë eprori.
Në Shqipëri i lyejnë të gjithë duart, duke filluar nga shefi i madh që merr pjesën e luanit e duke vijuar më poshtë.
Këtë e dinë ndërkombëtarët, e dinë shqiptarët, madje këtë e di dhe vetë Edi Rama.
Në kushtet e një goditje dhe prishjeje imazhi, Rama synon të largojë vëmendjen nëpërmjet lëvizjeve taktike dhe nëpërmjet mbajtjes në lojë të politikanëve të vjetër të tranzicionit.
Flet me pompozitet të madh për projekte të Shqipërisë 2030, ndërkohë që tollombacja propagandistike mund t’i shpohet në çdo moment, për shkak të korrupsionit galopant të qeverisjes së tij, ashtu sikurse shndërrohet në drejtor shkolle dhe bën takime me prindërit për mbyllje të TikTok-ut, ndërkohë që gangrena e arsimit është shumë herë më e thellë se sa problemi i përdorimit të rrjeteve sociale nga adoleshentët.
Me këto tregon se kësaj mazhorance i ka shteruar kreativiteti për të dhënë shfaqje, si i vetmi talent ku ka shkëlqyer në këto vite.
Është e qartë se një qeverisje thellësisht e korruptuar dhe lehtësisht e goditshme nga sistemi i drejtësisë si kjo e Edi Ramës, vijon të qëndrojë në këmbë për shkak të inercisë dhe për shkak të problemeve të mëdha që ka kampi opozitar, i cili është marrë peng për halle personale, që nuk kanë asgjë të përbashkët me pritshmëritë e shqiptarëve.
Në të gjitha variantet e një opozite të çliruar nga pengmarrja, Edi Rama do ishte një histori e së shkuarës.