Deputeti demokrat, Eduard Halimi ka lëshuar akuza në drejtim të kreut të qeverisë, Edi Rama, se po kërkon që të ndërhyjë në këtë proces, duke bërë zgjedhjen e tij. “Procesi qeveritar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është tërësisht i kundërt me traditën, paktin politik dhe frymën kushtetuese. Avokati i Popullit nuk mund të jetë kurrë një zgjedhje e kryeministrit. Ai i përket popullit, qytetarëve dhe duhet të jetë rojtar i të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve. Ai duhet të jetë zëri kundër kryeministrit dhe jo kukulla e kryeministrit. 5 vjet më parë, kur ju ishit në opozitë dhe ne ishim në pushtet, e kërkuat me ngulm deri në bojkot Avokatin e Popullit. Dhe çfarë bëmë ne? Respektuam frymën e Kushtetutës, ua dhamë juve të drejtën për të propozuar Avokatin e Popullit”, tha Halimi.
“Të gjithë e kujtojnë mirë se konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit u bë në selinë e PS-së. Komisioni ‘ad-hoc’ i PS-së kryesohej nga Gjermeni dhe PS-ja zgjodhi vetë mes 12 kandidatëve të preferuarin e saj. Ne e respektuam tërësisht dhe e votuam kandidatin tuaj, sepse Avokati i Popullit nuk duhet as ushtar dhe as kukulla e kryeministrit. Sot, pas 5 vjetësh, po ndodh e kundërta dhe kjo për 2 arsye: e para, lidhet me arrogancën dhe delirin që ka Edi Rama, fitova zgjedhjet i dua të gjitha pushtetet për vete. Ç’më duhet mua se çfarë thoja në opozitë; e dyta, ka lidhje me Reformën në Drejtësi. Kompetencat kushtetuese që iu dhanë më 22 korrik Avokatit të Popullit si një figurë kushtetuese larg qeverisë, po i rrëmben Edi Rama, duke e kthyer në kukull të tij këtë institucion për të zgjedhur dhe influencuar qeverinë e gjyqësorit”, shtoi Halimi.
Deputeti demokrat nënvizoi se, “zgjedhja e Avokatit të Popullit nga kryeministri e shndërron këtë institucion kushtetues në një kukull të kryeministrit dhe shërbëtor të bindur të tij”. “Arroganca dhe deliri i kryeministrit për të rrëmbyer të gjitha pushtetet, përfshirë dhe këtë që i përket popullit, është rruga më e shkurtër për të ikur nga pushteti, skenarë për këtë ka plot nga vendet më të largëta deri tek fqinjët. Për ne, marrja e Avokatit të Popullit nga kryeministri është një akt i papranueshëm”, deklaroi Halimi.
Deputeti demokrat thotë se dy janë arsyet kryesore përse Rama po kërkon të emërojë njeriun e tij tek Avokati i Popullit.
“E para, lidhet me arrogancën dhe delirin që ka Edi Rama, fitova zgjedhjet i dua të gjitha pushtetet për vete. Ç’më duhet mua, se çfarë thoja në opozitë. E dyta, ka lidhje me Reformën në Drejtësi: kompetencat kushtetuese që iu dhanë më 22 korrik Avokatit të Popullit si një figurë kushtetuese larg qeverisë, po i rrëmben Edi Rama, duke e kthyer në kukull të tij këtë institucion për të zgjedhur dhe influencuar qeverinë e gjyqësorit”, tha Halimi.