Rama e do drejtësinë për të mbrojtur veten, kriminelët dhe hajdutët e tij

Edi PALOKA

Sapo e dëgjuat skizofrenin e vetëdeklaruar, sepse e ka thënë vetë në intervista, që është në situatë skizofrenie midis artit dhe politikës. E dëgjuat pra kryeministrin që foli dhe për dëshpërimin tonë, për parti të dëshpëruar në opozitë, por nuk e di pse nxinte ky njeri, ky që ishte sot pranë triumfit. Ka kaq kohë që Rama me media të kapura apo nën presion dhe me të gjitha mjetet e tij të propagandës, po përpiqet t’i fusë me dhunë në kokë shqiptarëve, se ai lideri botëror, reformatori i madh po kërkon t’i shpëtojë shqiptarët një herë e mirë nga të gjitha të zezat që u kanë rënë mbi kokë. Kërkon t’i shpëtojë jo vetëm nga korrupsioni dhe padrejtësia nga papunësia mjerimi, nga varfëria, krimi e kriminelët, sidomos nga ata në Parlament, qeveri e bashki, por do t’i shpëtojë edhe nga sëmundjet dhe fatkqeqësitë natyrore. E dëgjuam dhe sot të thotë të njëjtat fjalë. Po që të realizojë të gjitha këto, e pengon opozita. E pengon opozita,  e cila sipas tij nuk pranon të votojë Reformën në Drejtësi, ashtu siç e do Rama. Ja pra kush është fajtore për të gjitha vuajtjet dhe mjerimin e shqiptarëve. Po a ka shqiptar me dy fije mend në kokë, pas tre vitesh sundim të kësaj mazhorance që nuk e sheh se korrupsioni, krimi, padrejtësitë, varfëria, papunësia e mjerimi e kanë burimin vetëm tek mbrapshtitë e kësaj qeverie? Jo se nuk kanë ekzistuar më parë jo se nuk ekzistojnë kund tjetër, po këtu si askund tjetër dhe kurrë ndonjëherë është vetë kryeministri i vendit, i cili me vullnet të plotë, krimin, padrejtësitë, korrupsionin, varfërinë dhe represionin, i ka kthyer në mjete të sundimit të tij dhe i mban në këmbë me të gjitha mënyrat. Ky kryeministër që bërtiste sot, ky pra që akuzon opozitën se nuk dashka Reformën në Drejtësi, atë reformë që e duan mbi 90% e shqiptarëve. Po çfarë është kjo e shumëpërfolur Reformë në Drejtësi dhe çfarë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve?
Tek ky 90% i shqiptarëve jam edhe unë, janë edhe të gjithë kolegët e mi të opozitës. Jemi të gjithë ne, viktima apo jo të drejtpërdrejtë të një drejtësie, po e vërtetë është, shpesh të korruptuar e të papërgjegjshme. Janë të gjithë shqiptarët që kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi e të mos vendosë në favor të më të fortit kundër të dobëtit, të mos vendosë në favor të të pasurit kundër të varfërit, mos veprojë nën ndikimin e pushtetit, parasë dhe krimit, por të ligjit dhe të së drejtës. Këtë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve. Këtë kërkojmë edhe ne, si opozitë. Po Rama që na akuzon ne se nuk e duam Reformën në Drejtësi, çfarë kërkon ai në fakt? Për të kuptuar këtë o shqiptarë dhe ndërkombëtarë, nuk ka nevojë të hysh në labirintet e strukturës apo arkitekturës së institucioneve të drejtësisë, sipas këtij apo atij drafti. Nuk ka nevojë të mësoni se çfarë është KLGJ-ja apo KLP-ja. Do votohen me dy të tretat apo tre të pestat. Jo. Për të kuptuar se cila është reforma që kërkon Rama, mjafton të shihni e kuptoni konceptin që ai ka për drejtësinë, atë koncept që shfaqi edhe sot e që ka shfaqur që kur ka ardhur në pushtet. Për këtë mjafton të shihni në sy faktet dhe të vërtetën. Cilat janë faktet? E dëgjuat të ulëriste këtu se i vinte keq për ato nënat që iu qenkan vrarë fëmijët dhe gjykatësit e korruptuar i kanë nxjerrë vrasësit në rrugë. Po kush janë ato nëna, kush janë këta vrasës?
Kur kjo drejtësi liron një vrasës pse ai është djali i deputetes së Ramës, kjo drejtësi funksionon, dhe kryeministri del në tribunë me deputeten që e paraqet si heroinë dhe si shembull për t’u ndjekur. Kur kjo drejtësi liron deputetin e Ramës që qëllon për të vrarë qytetarë të thjeshtë përpara komisariatit të policisë, kjo drejtësi funksionon dhe kryeministri impenjohet që t’i shpëtojë dhe mandatin e deputetit të tij vrasës. Kur kjo drejtësi lë të lirë drejtorin e policisë së Ramës dhe pse është kapur në flagrancë e denoncuar nga vartësi se ka shkelur ligjin, duke fshehur të dhënat për një tjetër deputet vrasës të Ramës, kjo drejtësi prapë funksionon. Funksionon kjo drejtësi sipas Ramës dhe kur dënon një baba fatkeq pse kërkon të rregullojë çatinë e shtëpisë për fëmijët e tij, apo kur çon drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut një tjetër baba fatkeq për 30 mijë lekë të vjetra energji elektrike.
Në të gjitha këto raste e qindra të tjera të ngjashme, kjo drejtësi funksionon për Ramën. Por, nëse drejtësia i heq mandatin Koço Kokëdhimës, sepse duke shkelur Ligj e Kushtetutë, ka vazhduar të grabisë shqiptarët, atëherë  “kjo është një arsye më shumë pse duhet reformuar”. Kur drejtësia pezullon drejtorin e policisë së Ramës dhe Tahirit, sepse në mënyrë flagrante ka shkelur ligjin, duke futur e më pas përdorur ilegalisht një pajisje përgjimi, atëherë kjo drejtësi është e korruptuar dhe ka nevojë për reformim.
E ndoqëm dje se me çfarë histerie e tërbimi u sulën Tahiri e Rama mbi gjyqtarë e prokurorë, për një rast mëse evident, të një krimi shtetëror, tanimë të pranuar dhe nga vetë drejtori i policisë. Po pikërisht kjo i tërboi dhe i bëri histerikë Ramën dhe Tahirin, fakti që Çako po flet. I kemi parë se si bërtasin në kor kur ne denoncojmë skandalet e tyre “shkoni në Prokurori” thonë, por tani që Prokuroria e Gjykata vepruan mbi bazë të fakteve mëse evidente, u çorrën ndryshe. Folën dje për komplot të opozitës që përdorka gjyqtarë të kapur që qenkan kthyer në sistemin e drejtësisë në mënyrë të padrejtë dhe prapë dolën bllof, si në shumë raste të tjera, sepse nëse ajo që thonë paska ndodhur, rezulton që “fajtor” të jetë gjykata e Fehmi Abdiut, e cila i dha të drejtë atij gjyqtarit, pikërisht gjykata e Fehmi Abdiut dhe  KLD e Bamir ziut, njëri ish-deputet i PS dhe tjetri aleati më i ngushtë i Ramës sot. Se me aleatët e  tjerë nuk ka marrëdhënie dashurie si ka me Bamirin. Aleatin tjetër e kërcënon njësoj si opozita me të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Histeria e djeshme ishte nga paniku se Çako po flet e nuk pranon mesa duket të bëhet kokë turku. Për këtë sulen me tërbim dhe Rama e Tahiri, jo sepse janë të shqetësuar për drejtësinë, por sepse kanë frikë se ky skandal do t’i marrë me vete këta të dy. Mos harrojmë që për një skandal të ngjashëm ka ikur dhe një President i SHBA-së. Kaq besoj mjafton për të kuptuar se çfarë drejtësie kërkon Edvin Rama  dhe pse ne, pse kjo opozitë e kundërshton drejtësinë për të cilën flet Edvin Rama. Rama kërkon një drejtësi që të mbrojë kriminelët, vrasësit, trafikantët e përdhunuesit, sepse kolanës së tij të deridjeshme, ku kishte vrasës në Parlament, trafikantë prostitutash, trafikantë droge, iu shtua edhe Rrosh përdhunuesi, dhe sot, e patë që bërtiste këtu kundër gjyqtarit që paska liruar një përdhunuesi. Po kush është ai që e cakton përdhunuesin kryetar bashkie? Ky këtu, është. Ky është autori që përdhunuesin e bën kryetar bashkie e ndan pushtet me kriminelë të tjerë me të cilët ai ka mbushur administratën dhe ka zënë bashkitë. Kriminelë që harrojnë se sa krime kanë kryer. Kërkon të mbrojë hajdutët e tij në qeveri e Parlament, që vazhdojnë të grabisin shqiptarët, duke përfituar nga postet që mbajnë dhe lidhja me Ramën.
Rama kërkon të mbrojë Rroshët, Bushët, Bardhët, Kokëdhimët, Prengët, Beqët, Frrokët e Tahirët. Kërkon të mbrojë veten.
Sa për dënimet, drejtësia i duhet për të dënuar ata që guxojnë të denoncojnë krimin dhe hajdutërinë e pushtetarëve. Të dënojë dhe mbajë nën presion dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët çdo ditë luftojnë me të zezat që i ka sjellë kjo qeveri, që nesër me dhunë e para t’ju marrë edhe votën. Kjo është drejtësia dhe reforma që kërkon Rama e kjo është e qartë prandaj nuk ka nevojë të na tregojë askush, dimë shumë mirë ta dallojmë errësirën nga drita e diellit. Për këtë nuk do të lejojmë kurrë që satrapi të shtjerë në dorë dhe drejtësinë. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi e mirëqenie e këto nuk mund t’ua japë ai që i groposi, Edvin Rama.

Artikulli paraprakPD ironizon panairin e Tahirit
Artikulli tjetërReforma kërkon dije e vizion, jo kazmën e Edi Ramës