Rama e Shullazi, presion Gjykatës për dëshminë e biznesmenit Beqja

Pushohet çështja gjyqësore ku Emiljano Shullazi do të përballet me biznesmenin Ylvi Beqja. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës për Krimet e Rënda, ku pritej të përballej Shullazi me biznesmenin Ylvi Beqja, i cili e kallëzoi për “gjobvënie”. Bëhet fjalë për marrjen e dëshmisë së biznesmenit Beqja në formën e sigurimit të provës për llogari të hetimit të Shullazit dhe katër miqve të tij. Pushimi i gjykimit u vendos nga gjyqtarja Daniela Shirka, pas kalvarit të gjatë prej 24 seancash.
Shkak është bërë mbyllja e hetimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda për Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij dhe depozitimi i dosjes në gjyq. Pushimi i gjykimit është argumentuar me faktin se sigurimi i provës i përket fazës së hetimit, fazë e përmbyllur tashmë. Pas dërgimit të dosjes në gjyq, pritet që dëshmia e Beqjes të administrohet normalisht gjatë gjykimit në themel.
Përplasjet mes palëve nisën që në seancën e parë, ku të dyshuarit kërkuan ta kishin përballë biznesmenin në sallën e gjyqit, kërkesë që nuk u mor parasysh. Në disa seanca avokatët braktisën seancën, ndërsa mbrojtësit kryesisht të caktuar nga Gjykata nuk u paraqitën në gjyq. Vetëm në seancën e 10 marsit, Gjykata mori pjesërisht dëshminë e tij, por seanca u ndërpre nga largimi i avokates.
Beqja i ka treguar Gjykatës se si është njohur me Shullazin, se ka qenë një avokat, i cili ia ka prezantuar si personi që zgjidh çështje në Gjykatë. Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit.
Rama po përdor të njëjtin skenar si me kapobandën Lulzim Berisha për të liruar nga burgu Emiljano Shullazin. Për t’ia arritur këtij qëllimi po ndiqet e njëjta stretegji si me Lul Berishën, i cili u lirua nga burgu gjoja sikur ishte i sëmurë. Shullazi nuk u paraqit në 14 seancat gjyqësore të Gjykatës me pretendimin se ishte i sëmurë. Për bllokimin e qëllimshëm të seancave gjyqësore nga Shullazi dhe katër bashkëpunëtorët e tij, ka reaguar Prokuroria për Krime të Rënda. Prokuroria i kërkoi Gjykatës të marrë masa dhe të gjejë rrugë që të zhbllokojë procesin gjyqësor të sigurimit të provës së Ylvi Beqajt për gjobat që i janë vënë nga Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Artikulli paraprakPolici i dënuar për korrupsion dhe i graduar nga Tahiri, arrestohet sërish
Artikulli tjetërRama presion për lirimin e vrasësit Frroku nga burgu