Sali BERISHA
Të dashur miq, mediat informojnë se kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka mbledhur me urgjencë grupin e tij parlamentar me kërkesën më të çuditshme që njeriu mund të dëgjojë në historinë e një mazhorance parlamentare. Ai iu ka kërkuar me urgjencë deputetëve të LSI, pjesë e mazhorancës qeverisëse, të kenë kujdes me makinat se policia do ju vendosë drogë, ndërkohë që me ligj policia nuk kontrollon makinën e deputetit. Kështu që duhet pranuar se, ose Petrit Vasili vuan nga mani e tmerrshme e persekutimit, shenja që ai nuk i ka shfaqur kurrë, ose Edi Rama do me çdo kusht të lidhë Ilir Metën dhe LSI me drogën.
Ky vendim in ekstremis i Edi Ramës është paraprirë nga përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për t’i faturuar Ilir Metës, Eskobarin e Ballkanit. Muaj më parë sapo doli emri i Eskobarit, Rama jo vetëm përhapi fotot e inaugurimit të Santa Quaranta ku ishte i pranishëm Ilir Meta, por ai informoi Trupin Diplomatik dhe mediat se Klement Balili, sipas të dhënave të sigurta të policisë mbrohet nga Ilir Meta madje edhe fshihet prej tij, çka vështirësinë e bën pothuaj të pamundur arrestimin e tij. Por shpejt, ky variant i mbijetesës së Balilit të fshehur nga Meta, ju kthye Ramës në bumerang. Kjo sepse në rast se Meta pengonte arrestimin e Balilit do të thotë që Rama për hir të qeverisjes nuk arrestonte Balilin, kështu që aleanca ishte e tëra në kurriz të Balilit. Përveç kësaj, Meta vet nuk kishte asnjë fuqi ekzekutive mbi policinë as ta pengonte dhe as ta urdhëronte, kështu që ishte e qartë se Balili mbrohej direkt nga Edi Rama për të akuzuar Metën ose për të ndarë me të vet dhe familjarët e tij milionat e eurove të krimit. Shtoj këtu se, për të larë duart me arrestimin e Balilit, muajin e fundit, Rama me Fugën e tij hapi llafin se ai ia ka besuar FBI-së arrestimin e Eskobarit, duke menduar se u çlirua nga akuzat që rëndonin mbi të për mos arrestimin e tij.
Lëvizja e fundit e Metës për t’i kërkuar Presidentit të Republikës mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sado që kishte edhe qëllime personale, ishte plotësisht e justifikuar, pasi Eskobari i Ballkanit, i bërë problem ndërkombëtar, jo që nuk po arrestohej, por përkundrazi po përdorej për alibira dhe qëllime politike dhe lëshonte një hije të zezë mbi vendin tonë. Me këtë rast përshëndes vendimin e presidentit për të thirrur për herë të dytë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të Europës. Dhe natyrisht, thirrja herën e dytë për qëndrimin e qeverisë ndaj Klement Balilit, i shpallur nga agjensitë ndërkombëtare të luftës kundër drogës si Eskobari jo i Shqipërisë, por i Ballkanit është plotësisht e domosdoshme.
Në këto kushte, në një akt hakmarrje të verbër, kreu i qeverisë/ i drejtësisë/ i policisë, Edi Rama ka urdhëruar në një akt ekstrem policinë për vendosje droge në makinat e deputetëve të LSI, anëtarë të mazhorancës së qelbësirave! Të gjitha këto dëshmojnë kurthe, intriga, sulme, banale, vulgare, ndërqeveritare të mazhorancës së aleancës së qelbësirave, por dëshmojnë para së gjithash se mbi çfarë amoraliteti ekstrem qendron qeverisja e këtij vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar i BE!