Asnjë fjalë nuk përmendi Edi Rama në lidhje me akuzat ndaj pushtetit të kartelit të drogës në vend si dhe blerjes së votave me paratë e krimit. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Basha tha se, Rama zbatoi kodin e heshtjes në lidhje me akuzat për kartelin e drogës.
“Edi Rama e respektoi sot kodin e heshtjes me kartelin e drogës, duke mos thënë asnjë fjalë për blerjen e votës edhe pse i madh e i vogël kanë parë me zë e me figurë se si mbinë në gjithë Dibrën kioskat, ku një votë për kandidatin e tij blihej me lekë e me euro. Karteli i tij i drogës bleu mijëra vota në vendin anëtar të NATO-s, kandidat për anëtarësim në BE, por Rama nuk tha asnjë fjalë të vetme. Duke ruajtur kodin e heshtjes, ai nënshkroi sot nga podiumi i Parlamentit një kontratë të re me krimin, pasi punë të tjera i presin, zgjedhjet po vijnë”, thekson Basha në reagimin e tij.
Basha tha se, sado të forcohet karteli i drogës, sado të blejnë votat, të ndërtojnë pista avionësh, Ramën e pret një fund fatal. “Nuk e mundin dot një shoqëri të tërë, nuk e inkriminojnë dot një komb. Edi Rama ka zgjedhur të ketë fundin e kartelit të drogës, dhe atë fund do të ketë kur populli ta vërë para. Ajo ditë po vjen me shpejtësi, dhe atij nuk do t’i bëjnë më punë as opingat e krimit e as avionët e drogës. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha në reagimin e tij.
A.Shahini