Ish-Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç dhe Branko Grçiç, ish-zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Milanoviç, pritet që të bëhen këshilltarë të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Lajmi është bërë publik nga mediat kroate. “Vecernji.hr” ka publikuar pak ditë më parë artikullin: “Konsulentë në Shqipëri: Milanoviç dhe Grçiç ofrojnë këshilla për Kryeministrin Rama”.
Milanoviç dhe Grçiç në Tiranë janë takuar kohët e fundit dhe me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por edhe me disa politikanë të tjerë. Sipas mediave kroate, autoritetet shqiptare janë të interesuar në këshillat që ata mund t’u japin atyre, sidomos për procesin e integrimit në BE, meqë ish-Kryeministri Milanoviç ka udhëhequr këtë proces për Kroacinë. Jo zyrtarisht ka udhëtuar për në Tiranë edhe Branko Grçiç, ish-ministri dhe zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Milanoviç.
Milanoviç dhe Grçiç janë takuar në tetor në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, por edhe me disa politikanë shqiptarë. Duke pasur parasysh faktin se në Shqipëri vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe se Shqipëria ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por nuk ka hapur ende negociatat, përvoja e Milanoviç si Kryeministër i vendit, i cili është tashmë anëtar i BE-së, sigurisht që nuk duhet të hidhet poshtë, shkruajnë mediat kroate.
Mediat kroate raportojnë se marrëveshja është arritur tashmë dhe se ish-Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, është i interesuar që karriera e tij të vazhdojë me konsulenca të tilla. Milanovic në Shqipëri ka kontakte të mira, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, shkruan “Vecernji.hr”.