Rama gjen shkas gazetarët për të sulmuar SPAK

Kryeministri Edi Rama sulmoi këtë të mërkurë SPAK-un dhe mbrojti gazetarët, teksa foli për nxjerrjen e sekreteve hetimore.

Në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama tha se fajin për nxjerrjen e sekretit hetimor nuk e kanë gazetarët.

Ai theksoi se sekretet hetimore i disponojnë prokurorët dhe hetimi duhet të nisë nga personat që e nxjerrin atë, jo nga gazetarët që e publikojnë.

“E drejta e informimit dhe dhënia e informacionit nuk janë sekrete hetimore, sekreti hetimor është diçka tjetër. Edhe këtu unë solidarizohem lidhur me një rast të një gazetari, u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe në një moment të caktuar në mos gabohem në një moment të caktuar të pandemisë, ku prokuroria iu vu pas disa gazetarëve. Për mua gazetarët nuk nxjerrin sekretin hetimor se gazetarët nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët. Kur i bie në dorë sekreti gazetarit, nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin. Dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij.

Kjo është elementare sepse që në kanun shkruhet e zeza në të bardhë, lajmësi nuk ka faj. Kush e prodhoi lajmin ose kush ia dha atij lajmin që ta çojë dikur tjetër është burimi që duhet të merresh në rast se lajmi është një gënjeshtër, apo në rast se lajmi nuk duhet të dilte. E them këtë për të nënvizuar se informacioni mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekziston në letër, me firmë, me vulë dhe që nuk përfshihet në një hapësirë të ngushtë, që ligji nuk e përcakton si hapësirë për publikun, ky hyn dhe sekreti hetimor, është pronë publike që shteti nuk ka asnjë të drejtë t’ja mohojë qytetarëve”, nënvizoi kreu i qeverisë

Exit mobile version