Edi Rama, vetëm dy javë pas zgjedhjeve të 11 majit, nisi skemën e shpërblimit të patronazhistëve përmes vendeve të reja pune në administratën shtetërore. Me një vendim të qeverisë të datës 4 qershor 2025, ai miratoi një projekt të paraqitur si “Program Kombëtar i Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore”, i cili, në realitet, është një mekanizëm klientelist për të futur njerëzit e partisë në shtet. Duke filluar nga 1 korriku, mbi 600 të rinj të moshave 21-29 vjeç do të nisin një praktikë tre-mujore në institucionet qendrore dhe lokale të qeverisë. Nga këta, 450 do të përzgjidhen për t’u punësuar me kontrata njëvjeçare, por që, sipas praktikës së ndjekur më parë nga Rama, do të shndërrohen në kontrata të përhershme.
Vendimi parashikon 250 punësime në administratën qendrore dhe 200 në institucione të tjera shtetërore, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet nga komisione të brendshme të drejtuara nga titullarët e institucioneve. Megjithatë, gjithçka do të kalojë nga filtri i Ramës, i cili ka urdhëruar që listat përfundimtare të përfituesve të vijnë nga patronazhistët që kanë kontribuar në zgjedhje, drejtpërdrejt ose përmes familjarëve të tyre. Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, do të jetë figura formale drejtuese e këtij programi, por drejtimi real është në duart e kryeministrit dhe stafit të tij të ngushtë.
Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë se urdhri që ka mbërritur në këtë dikaster nuk është për 250 vende, siç thuhet zyrtarisht, por për 450 punësime të reja, të financuara nga buxheti i shtetit për periudha afatgjata, duke rritur më tej fryrjen e administratës publike. Përveç kësaj, do të paguhen dhe 60 persona të tjerë si mbikëqyrës të praktikantëve, të cilët do të marrin bonuse shtesë nëse janë zyrtarë aktualë apo të emëruar me vendim politik.
Ky veprim bie ndesh me një nga kushtet thelbësore të kapitullit të negociatave me Bashkimin Europian, që ka të bëjë me racionalizimin dhe zvogëlimin e administratës shtetërore. Që nga viti 2016, numri i punonjësve në administratë është rritur me mbi 60%, ndërkohë që BE ka kërkuar uljen e saj dhe rritjen e efiçencës. Megjithatë, Rama vazhdon të përdorë administratën si bankë votash dhe sistem shpërblimesh, duke krijuar një strukturë të fryrë, klienteliste dhe politikisht të kontrolluar. Patronazhistët e PS-së rekrutohen, sistemohen dhe shpërblehen, gjithmonë me para publike.