Bashkia e Kukësit prej disa ditësh i ka bërë apel qeverisë për ndihma emergjente në ushqime e ilaçe për banorët e bllokuar nga bora, por vetëm ditën e djeshme janë dërguar disa pako të papërfillshme me ndihma. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu bëri të ditur dje pasdite se, qeveria dërgoi në Kukës një pakicë shumë të vogël ndihmash në krahasim me kërkesat e bëra nga Bashkia. Shehu tha se, në helikopterë kishte vetëm 10 pako me ndihma dhe dy grupe xhirimi të televizioneve pranë qeverisë duke nënkuptuar një fluturim për show mediatik se sa për të ndihmuar familjet në nevojë në këto zona.
“Pavarësisht kërkesave të Bashkisë Kukës për një numër më të madh paketash në ndihma ushqimore për raste të tilla, sot ka patur dy raste fluturimesh me helikopter në Kukës. Përkatësisht në Arrën 20 pako ushqimore dhe 9 pako batanije me nga 4 copë secila. Në Kalis vetëm 10 pako ushqimore. Bashkia Kukës në kërkesën e saj ka përcaktuar 150 pako ushqimore për Kalisin dhe 70 pako për Arrnin. Theksojmë se në helikopter kishte 10 pako ushqimore dhe dy grupe xhirimi të televizioneve, duke nënkuptuar një fluturim për show mediatik se sa për të ndihmuar familjet në nevojë në këto zona. Sot në Kukës ishte ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, tre ditë më parë në tunelin e Kalimashit ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministri i Transportit, Sokol Dervishi. Të tre ministrat e kabinetit qeveritar nuk preferuan të takojnë autoritetet vendore në Bashkinë e Kukësit për t’u njohur nga afër me problematikat dhe situatën e krijuar nga bora dhe ngricat”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.
Veriu, i bllokuar dhe i harruar nga qeveria
Veriu i vendit vazhdon të jetë i bllokuar nga bora dhe ngricat dhe i braktisur nga qeveria. Si pasojë e borës dhe prezencës së akullit mjaft rrugë dhe akse janë të pakalueshëm, ndërsa në dhjetëra e dhjetëra fshatra mungon edhe energjia elektrike.
Në Kukës, fshatrat Grykë-Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Zapod, Topojan, Shishtavec, Malzi janë të bllokuara. Pa energji elektrike janë fshatrat Malzi, fshati Pistë e Gëdheshtë, Bushtricë, Fshati Vilë. Energjia mungon edhe në fshatrat e bashkive Has e Tropojë.
Rruga e “Kombit” është e kalueshme me zinxhirë.
Në Dibër janë të bllokuara disa fshatra. Rruga kombëtare kalohet me zinxhirë si pasojë e prezencës së akullit në Qafë Buall–Bulqizë.
Në Tropojë në fshatrat Fletë, Dardhë Arës, Miliska dhe Poravë ka patur orteqe, por deri tani pa pasoja.
Në Pukë, rrugët Bardhet-Iballë, Qafë Qerret-Qelëz dhe Fushë Arrëz-Qafë Shllak janë të bllokuara. Janë të izoluar edhe fshatrat Lufë, Qafë Qerret, Kroj i Zojës dhe Rrape.
Qafë Çelë-Pukë-Fushë Arrëz, i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
Aksi rrugor Hadroi-Qafë Benë është i kalueshëm me zinxhirë.
Në Shalë dhe Pult të Shkodrës nuk ka energji.
Fani dhe dy fshatra në Mirditë të izoluar
Një nga zonat më të prekura nga dëbora dhe ngricat është Njësia Administrative e Fanit në Mirditë. Vetëm deri në qendër të njësisë mund të deportohet me automjet, pasi rrugët e fshatrave janë të gjitha të bllokuara.
Niveli i dëborës në këtë zonë arrin deri në 1 metër, ndërsa të paktë janë banorët që i takon. Sipas tyre, e vetmja mënyrë lëvizje është në këmbë, ndërkohë që situata e krijuar i ka vënë në vështirësi, pasi mungon energjia elektrike dhe shërbimi shëndetësor është funksional deri në orën 14:00.
Ndonëse janë të vendosur në mes të malit, jo të gjithë ngrohen me dru zjarri. Sipas banorëve çmimi i tyre është shumë i shtrenjtë, ndërsa për t’i prerë vetë i druhen frikës së burgut apo gjobës.
Krahas Njësisë Administrative të Fanit, në Mirditë janë të izoluar nga dëbora prej 5 ditësh dhe fshatrat e Oroshit dhe Selitës, ndërsa banorët presin që moti të ngrohet për të dalë nga izolimi.
Rruga Shkodër-Han i Hotit nën “pushtetin” e ngricave
Temperaturat e ulëta që kanë mbërthyer vendin tonë, vijojnë të mbajnë të bllokuara shumë akse rrugore. Në të tjera, prezenca e ngricave është e lartë, e për pasojë lëvizja e automjeteve duhet kryer me kujdes, pasi në të kundërt aksidentet janë të pashmangshme.
Një prej akseve nacionale mjaft të frekuentuara, ai Shkodër-Han i Hotit, e vetmja arterie që lidh Shqipërinë me Europën në rrugë tokësore, ndodhet këto ditë nën ngrica, e në shumë zona prezenca e lartë e tyre është rrezik serioz për udhëtarët. Vetëm pas reagimit të opozitës, në këtë aks ka nisur hedhja e kripës dhe skorjes nga firma kontraktore.
Më i vështirë ky segment është nga kryqëzimi i Koplikut në drejtim të pikës së Hanit të Hotit, aty ku edhe vërehet prezenca më e lartë e ngricave.
Paralelisht për të mbajtur nën monitorim situatën, në këtë aks patrullojnë në itinerare të ndryshme dy patrulla policie, një e Shkodrës dhe një e Malësisë së Madhe. 35 kilometrat e këtij aksi lidhin Shkodrën me Malësinë, por në të njëjtën kohë shërbejnë edhe si urë lidhëse me Malin e Zi.
Shënohet viktima e tretë nga të ftohtit. Në Lushnjë një roje pallati u gjet i ngrirë nga banorët. Ai është 52-vjeçari Bashkim Çepa nga Golemi, por që punonte në Lushnjë si roje pallatesh. Ishin banorët e pallatit, ata që njoftuan policinë, e cila më pas bëri dërgimin e trupit të pajetë në morg.
Një ditë më parë një i pastrehë, 53-vjeçari Leonard Beqiri është gjetur i pajetë në lagjen 2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar. Në Durrës, një 38-vjeçar i pastrehë gjithashtu ndërroi jetë. Moti i keq vazhdon të vërë në rrezik jetë njerëzish në Shqipëri, sidomos të pastrehëve.
Librazhdi me rrugë të bllokuara dhe fshatra të izoluar, qeveria asnjë ndihmë
Në Librazhd të gjitha rrugët që lidhin qytetin me fshatrat janë të bllokuara, por situata më e rëndë është në zonën e Gizaveshit. Po përdorin litarët për të mos përfunduar poshtë rrugës. Në Gizavesh të Librazhdit banorët çajnë borën të lidhur me njëri-tjetrin. Shumë rrugë janë të bllokuara dhe trashësia e borës ka arritur një metër. Banorët më tepër se për veten, por vuajnë për gjënë e gjallë. Nuk kanë ushqim dhe ujë për bagëtitë.
Kryetari i PD-së në Librazhd, Bujar Vreto, denoncon neglizhencën e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar. Sipas tij, ndonëse situata paraqitet tepër e rëndë, qeveria nuk ka dhënë asnjë ndihmë për banorët e bllokuar nga bora në zonat e thella malore.
Qendra më e afërt e banuar me fshatin Gizavesh është dy orë larg, dhe banorët u tremben urgjencave. Në rrugën Librazhd-Trebisht po punohet për hapjen e saj, kurse ajo e Stëblevës u bë e kalueshme me zinxhirë. Por shumë fshatra janë të izoluar dhe segmentet Polis Vilan-Sopot dhe Stravaj e Bardhaj të Rrajcës janë të bllokuar.
Reshjet e dëborës rikthehen në fundjavë
Temperaturat e ulëta disa gradë nën zero do të vijojnë të jenë prezente deri në datën 20 janar, sidomos në zonat veriore të vendit. Metereologët bëjnë të ditur se, pavarësisht se temperaturat do të vijojnë të kenë një rritje deri në 3 gradë, duke nisur nga e mërkura e kësaj jave, sërish ato do të jenë nën zero në zonat Veriore dhe Verilindore.
Në fundjavë do të rikthehen edhe reshjet e dëborës në këto zona. Gjatë ditës së sotme, temperatura në Tiranë shkoi deri në -5 gradë.
Pas datës 20 janar temperaturat në këto zona do të shkojnë në nivelet normale për sezonin dimëror. Sipas saj, rritja e menjëhershme e temperaturave do të ishte jo normale, pasi do të sillte shkrirjen e borës, trashësia e së cilës në zonat malore në Veri të vendit llogaritet të jetë rreth 1 metër. Shkrirja e borës më pas do të shkaktonte përmbytjen e zonave të Lezhës dhe Shkodrës.
Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura edhe gjatë ditës së sotme. Deti gjatë ditës së sotme do të jetë i forcës 4 me lartësi vale 3.0 metër. Ndërkohë, akset rrugore kanë prani të ngricave në rrugë dhe në Veri dhe Verilindje kërkohet qarkullimi i mjeteve me zinxhirë.
Rrugët rurale në Pukë të bllokuara
Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta, deri -20 gradë, që kanë mbizotëruar në vendin tonë që prej fillimit të kësaj jave, kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve, sidomos në Veri dhe Verilindje, por Ministria e Transportit bën të ditur se të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura.
Ndërsa në Pukë, një nga rrethet më problematike, rrugët rurale vijojnë të jenë të bllokuara.
Qarkullimi në akset nacionale në Pukë bëhet vetëm me zinxhir. Ndërsa rrugët rurale vijojnë të jenë të bllokuara.
Për fshatrat në Pukë e Fushë-Arrëz, kjo dita e 6 e izolimit. Ndërsa për sa i përket energjisë, mësohet se ajo është rilidhur në të gjithë zonën.
Në Pukë, rrugët Bardhet-Iballë, Qafë Qerret-Qelëz dhe Fushë Arrëz-Qafë Shllak janë të bllokuara. Janë të izoluar edhe fshatrat Lufë, Qafë Qerret, Kroj i Zojës dhe Rrape.
Në bashkinë Dibër aksi rural Reç-Lurë dhe Peshkopi-Lurë janë të bllokuara.
2 metër dëborë në Shishtavec
Banorët e një prej fshatrave më malorë të rrethit të Kukësit kanë marrë lopatat dhe kanë nisur vetë pastrimin e rrugës. Ata thonë se trashësia e dëborës është deri në 2 metër. Pas tre ditëve me reshje dëbore dhe me uljen drastike të temperaturave kanë nisur dhe problemet shëndetësore në popullatë. Banorët e izoluar në Veri kërkojnë ndihmë nga qeveria për përballimin e situatës. Të sëmurët apo gratë që duhet të lindin janë bllokuar në zonat e tyre, ku rrugët janë të pakalueshme.
Një helikopter ka shkuar në Iballë të Pukës, për tre persona që ishin bllokuar në minierë.
Një helikopter tjetër shkoi në Konaj të Fanit, për shpëtimin e një gruaje shtatzënë. Ndërkohë po nga ajri, një burrë u shpëtua në Koman dhe një në Tepelenë. Ndërkohë në Kukës, në fshatin Arrën një grua shtatzënë është izoluar nga bora dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Një helikopter pritet të bëjë transportimin e saj drejt Tiranës.
Që prej ditës së djeshme reshjet e dëborës janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin duke shkaktuar ngrica. Rrugët në Veri janë të ngrira ndërsa shumë fshatra janë të izolur dhe pa energji.
R.POLISI