Rama humbet mazhorancën, plehrat nuk kalojnë në Kuvend

Rama nuk mblodhi dot votat për të kaluar ligjin për Importin e Plerave në Kuvendin e Shqipërisë. Dje ishte afati i fundit ku dekreti i Presidentit duhej të kalonte me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, aq sa i duhen dhe për të mbajtur në këmbë qeverinë

Në rendin e ditës në datën 24 ka qenë për t’u diskutuar dekreti i Presidentit kundër ligjit të importit të plehrave në mënyrë të njëanshme dhe në thyerje të rregullores, mazhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës, duke bërë lojën e të paditurit

Mazhoranca e Rilindjes, mund të quhet e rrëzuar pas aktit të djeshëm ku Rama nuk mblodhi dot votat për të kaluar ligjin për Importin e Plerave në Kuvendin e Shqipërisë. Dje ishte afati i fundit ku dekreti i Presidentit duhej të kalonte me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, aq sa i duhen dhe për të mbajtur në këmbë qeverinë. Negociatat nuk dhanë efekt, ndërsa për çudi sa herë që diskutohen ligje të rëndësishme për qeverinë Rama, aleatët e tij ose nuk ndodhen në seancë ose nuk i binden. Në fakt, dekreti i Presidentit të Republikës duhej të kishte hyrë në diskutim në komisione që më datë 14 tetor, kur Kreu i Shtetit vendosi për kthimin e tij në Kuvend. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese me kryetar Shalsin, dje duhet të kishte dorëzuar në Kuvend raportin me ndryshimet, një gjë që nuk ndodhi. Në fakt, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese nuk është mbledhur për këtë çështje asnjëherë. Edi Rama dhe emisarët e tij, kanë negocuar përgjatë gjithë këtyre ditëve për të grumbulluar numrin e nevojshëm të votave. Një fakt të tillë e pohoi dhe ish-socialisti Blushi, dje në Kuvend.

Largimi i opozitës
Ndërkohë opozita u largua nga salla. Deputeti i opozitës Edmond Spaho tha se, largimi ishte shenjë proteste për mos reflektimin e qëndrimit të deputetëve të mazhorancës ndaj ligjit të importit të mbetjeve dhe faktit që mazhoranca s’e solli dekretin e Presidentit për ta votuar. “Kemi më shumë se 5 orë që po diskutojmë, ndërkohë që qindra qytetarë janë në protestë dhe për fat të keq kryeministri vetëm për të nuk foli, por iu drejtua sukseseve imagjinare. Ju jeni të pakorigjueshëm dhe ne po vendosim të largohemi, duke ju lënë në imagjinatën e sukseseve tuaja të mëdha për këtë vend”, tha Spaho para se opozita të largohej nga salla e Kuvendit. Ndërsa në një prononcim jashtë Kuvendit, deputeti Spaho tha se, dekreti ishte për t’u shqyrtuar sot por ishte tërhequr nga mazhoranca, pasi nuk kanë votat e duhura. “Në rendin e ditës në datën 24 ka qenë për t’u diskutuar dekreti i Presidentit kundër ligjit të importit të plehrave në mënyrë të njëanshme dhe në thyerje të rregullores, mazhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës, duke bërë lojën e të paditurit. Dekreti ishte për t’u shqyrtuar sot dhe ne duhet të votonim, por meqë nuk kanë votat, atëherë fillojnë të bëjnë akrobacira të tilla”. Opozita kërkon që shumica të sjellë në Kuvend dekretin e Presidentit për ligjin e importit të mbetjeve, që sipas tyre, i ka kaluar afati për shqyrtim. Në fillim të seancës, nënkryetari demokrat i Kuvendit tha sen mazhoranca ka frikë ta sjellë në Kuvend se nuk i ka votat për ta kaluar dhe i bëri thirrje Metës dhe Idrizit që të mos negociojnë me Ramën për të gjetur rrugë për ta kaluar ligjin e importit të plehrave.

Kushtetuesja
Por çfarë ndodh tani? Rregullorja e përcakton qartë se cilat janë afatet për shqyrtimin e dekretit të Presidentit. Neni 86 shprehet se kur Presidenti e rikthen në Kuvend një ligj, ai futet menjëherë në procedurat parlamentare, ndërsa Komisioni përgjegjës brenda tetë javëve duhet të dorëzojë raportin me ndryshimet përkatëse në Kuvend. Në fakt, në këtë rast Presidenti e ka kthyer në tërësi ligjin. Pretendimet e Eduart Shalsit, se ajo mund të futet në seancat e ardhshme parlamentare, e bëjnë ligjin subjekt të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi i tij jashtë afateve të përcaktuara,  është shkelje e procedurave parlamentare. Ndërkohë, Aktivistët Kundër Importit të Plehrave, që nga mbrëmja e të mërkurës kanë protestuar përgjatë tërë natës dhe dje paradite përpara Kuvendit.

Artikulli paraprakProtestuesi vjen nga Gjermania: Shqipëria po kthehet në Çernobil
Artikulli tjetërTelevizioni gjerman “ARD”: Një vend i mbushur me drogë nuk i duhet BE-së