Delina Ibrahimaj është emëruar në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave.
Ajo erdhi në krye të këtij institucioni, i cili u drejtua për një periudhë të shkurtër kohore nga znj. Mirela Muça, për shkak të ndarjes në mënyrë të parakohshme nga jeta të ish-drejtorit z. Gjergj Filipi, në dhjetor të vitit 2015.
INSTAT bën të ditur se znj. Ibrahimaj mban gradën doktor (PhD) në bankë dhe financë nga Universiteti i Romës, Tor Vergata.
Znj. Ibrahimaj ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Bocconi-t në Milano, Itali, ku është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare dhe më pas ka kryer masterin për Menaxhim të Përgjithshëm po në të njëjtin universitet.
Ka një përvojë të gjerë në kryerjen e analizave ekonomike, fituar gjatë punës në Bankën e Shqipërisë dhe pranë Kryeministrisë si koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar shkëmbim informacionesh dhe statistikash operacionale të instituteve shtetërore.
Gjithashtu znj. Ibrahimaj ka njohuri të thella në menaxhimin e projekteve, marrëdhëniet me donatorët, si dhe menaxhimin e aktiviteteve operacionale, financiare dhe të marketingut, falë përvojës së saj si drejtuese në sektorin privat. Ajo ka qenë pjesë e disa publikimeve dhe studimeve në fushën e ekonomisë dhe financave.