Rama i Dibrës në trafikun e drogës, refuzoi dekriminalizimin

Kandidati i propozuar nga Kryeministri Rama për Bashkinë e Dibrës rezulton të jetë me precedentë penalë. Kandidati i Ramës për kryebashkiak në Dibër, Muharrem Rama ka pasur probleme me drejtësinë zvicerane për përfshirje në trafikun e drogës. Është kjo arsyeja se përse Muharrem Rama, i cili ka mbajtur postin e anëtarit të Këshillit Bashkiak si përfaqësues i PS ka refuzuar të plotësojë brenda afateve formularin e dekriminalizimit në maj të këtij viti, periudhë kur e gjithë administrata publike iu nënshtrua plotësimit të këtij formulari. Arsyeja e mosplotësimit të formularit nga ana e kandidatit të Ramës është e qartë, ai është përpjekur të fshehë precedentët penalë që rëndojnë në të kaluarën e tij.
Ndërkohë lidhjet e Muharrem Ramës me trafikun e drogës dhe dënimin e tij nga drejtësia zvicerane i kanë denoncuar dje edhe qytetarët. Po dje, ish-Kryeministri Berisha ka publikuar denoncimin e një qytetari, i cili flet pikërisht për të kaluarën e fshehtë të kandidatit të Ramës për Bashkinë e Peshkopisë.
“Qytetari dixhital informon: Kandidati i Ramës për Peshkopinë, sivëlla me Roshin, Bushin e kompani. Sipas tij kandidati Rama është person me precedent penal. Në Zvicër Rama ka patur probleme si trafikant droge. Ai ka lëvizur me pasaportë dhe emër fals. Me këtë rast i bëj thirrje KQZ dhe Prokurorisë së Shtetit të verifikojë në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit informacionin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në postimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit thuhet: “Përshëndetje nga Peshkopia z. Berisha! Ju lutem reagoni më shpejt. Kandidati i majtë i sapozyrtarizuar ka probleme me shtetin zviceran, është person me precedentë penalë! Z. M. Rama në shtetin zviceran ka pasur probleme në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për para 5-6 vitesh, lëvizte me pasaportë me identitet fals”.

Dokumenti i KQZ: Muharrem Rama refuzoi dekriminalizimin
Më datën 4 maj të këtij viti skadoi edhe afati për plotësimin dhe dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, pranë institucioneve përkatëse, në zbatim të ligjit për dekriminalizimin e politikës, Parlamentit, administratës dhe pushtetit vendor. KQZ ka bërë publik emrat e 49 këshilltarëve bashkiakë në të gjithë bashkitë e vendit, të cilët nuk plotësuan formularin e dekriminalizimit brenda afateve.
Pyetja që shtrohet është se përse Muharrem Rama, sot kandidat për Bashkinë e Dibrës refuzoi të plotësojë formularin e dekriminalizimit? Është absurde të thuhet se Rama nuk kishte dijeni. E gjithë vëmendja e politikës ka qenë e fokusuar tek ky ligj. Po ashtu thirrjet kanë qenë publike, madje edhe të vetë ministres Harito, e cila disa herë i bëri thirrje funksionarëve publikë që të miratonin formularin e dekriminalizimit, pasi në të kundërt do të humbisnin mandatin. Me gjithë këto paralajmërime të bëra nga qeveria, përfaqësuesi i qeverisë në Këshillin Bashkiak të Dibrës, Muharrem Rama që sot është përzgjedhur si kandidat për kryetar bashkie refuzoi që të plotësonte formularin.
Në lidhje me këtë çështje Rama i Dibrës nuk është prononcuar. Ai ka heshtur dhe nuk ka dhënë shpjegime se përse nuk e plotësoi brenda afateve formularin e dekriminalizimit. Arsyet kuptohet se kanë të bëjnë me frikën që Rama ka pasur në plotësimin e këtij formulari. Rama i Dibrës ka qenë i vetëdijshëm për problemet me drejtësinë zvicerane dhe se emri i tij rezulton që të jetë i listuar në trafikun e drogës. Se cila është e vërteta këtë duhet ta bëjë të qartë kandidati Rama që garon për Bashkinë e Dibrës. Ai e ka këtë një detyrim para qytetarëve përpara se të flasin dokumentet. Në formularin e dekriminalizimit bëhen qindra pyetje, që nga mitmarrja e deri te pastrimi i produkteve që vijnë nga veprimtari kriminale. Cilës apo cilave pyetje ju është frikësuar kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Dibër? Kush është veprimtaria dhe statusi penal i rrethit të ngushtë të tij familjar?

Exit mobile version