Oerd Bylykbashi
Cili shqiptar i ndershëm si shumica e shqiptarëve, shpesh i varfër dhe që me zor e shtyn muajin, që pret që në këtë sallë të flitet për hallet e tij, cili është ai që pret të shohë një deputet të arrestuar në flagrancë për plagosje të rëndë me dashje, me armë pa leje, të vijë në Parlament dhe votojë ligje siç kanë ndodhur në këtë sallë?
Cili shqiptar i ndershëm si shumica e shqiptarëve, që i thyejnë brinjët për një mur oborri në pronë të vet se nuk ka nxjerrë leje, që e fusin në burg për një faturë energji apo një byrek pa kupon, pret të shohë një deputet, një ministër, një drejtues, apo funksionar tjetër publik të arrestuar në flagrancë për vrasje apo plagosje të rëndë me dashje, kur prej këtij zyrtari kriminel pritet që t’i japë besim publikut?
Cilët qytetarë me kurajo civile që burgosen në flagrancë se duan të mbrojnë parqet nga betonizimi i kësaj qeverie, pranojnë që ata të rrijnë në burg, ndërsa deputeti që vret apo plagos për konçesione të marra nga kjo qeveri të votojë ligje për Reformën në Drejtësi?
Të tillë shembuj ku qytetari është në hall, ndërsa kriminelët që ju sollët në këtë sallë, në funksione publike dhe që i bëjnë karshillëk qytetarit të varfër, u marrin pronën dhe i qëllojnë me armë, nuk mbarojnë.
Amendamenti që Partia Demokratike propozoi ka vetëm një qëllim, të të mbajë larg nga Parlamenti dhe çdo funksion publik ata që arrestohen në flagrancë për vrasje dhe plagosje. Të pezullohen deri sa të dalin të pafajshëm apo fajtorë.
Ky do të ishte plotësim i ligjit të dekriminalizimit. Pretendimit se ligji është i sapomiratuar, nuk e ndërrojmë kaq shpejt, se është antikushtetues i përshtatet vetëm një përgjigje:
Kushtetuta nuk është as strehë fshehur e as jorgan për t’u mbuluar krimi dhe kriminelët e lidhur me këtë pushtet që krekoset pas kësaj foltoreje. Përgjigjja është se nuk ka shqiptar që pranon vrasësin apo plagosësin e arrestuar në flagrancë që të ketë mandat deputeti. Çdo spërdredhje për antikushtetutshmëri është një tallje me qytetarët që shohin me habi se si ju mbroni kriminelët.
Nuk e ndryshokeni ju ligjin se është i ri, por kur LSI ju kërkoi një komunë më shumë me amendamentin “Tavo”, ligjin e reformës territoriale e ndryshuat brenda një muaji, por për të larguar ata që vrasin e plagosin nuk doni ta bëni.
Kur pezulluat hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësit civil, dhe e ndryshuat ligjin pa hyrë ende në fuqi, këtë e bëtë që të largonit 8 mijë nëpunës që të fusnit militantë e të bënit drejtore njerëz me rekorde kriminale. Por sot nuk doni ta ndryshoni ligjin që të largoni kriminelët që sollët në funksione publike edhe kur vrasin apo plagosin.
Këtë e bëni jo se ligji është i ri, por sepse doni të mbroni krimin. Mosndëshkimi. Kjo është kryefjala.
Sot është dita e provës, që Kryeministri jo vetëm është penduar për nënshkrimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, jo vetëm që është penduar që votoi Ligjin e Dekriminalizimit, por sot është prova që Kryeministri ka vendosur që t’i mbrojë kriminelët që ai veshi me pushtet.
Me zor të madh pranoi që të nënshkruhej marrëveshja mbrëmjen e 23 dhjetorit 2014. E zvarriti ligjin për një vit deri sa hoqi nga Parlamenti ata që nuk i mbronte dot si deputetë dhe i strehoi në pushtet vendor ose parti, u mbajti në sirtar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar apo u ngriti traun e kufirit një ditë para se të dënoheshin për jetë.
Kjo është mbrojtja që Kryeministri i jep këtij takëmi. Ky është mosndëshkimi që u garanton ai dhe votat tuaja të bindura. Nëse duhet për të mbrojtur ata që vrasin apo plagosin me kostum deputeti apo ministri, me urdhër të tij ju rrëzoni sot amendamentin që i mban ata larg kësaj salle.
Nëse duhet, i bën presion Gjykatës së Lartë që të lirojë deputetët e tij që plagosin qytetarët në mes të komisariatit apo godasin deputetët e opozitës, por po asaj Gjykate i bën presion që të dënojë deputetët e opozitës që denoncojnë korrupsionin e tij dhe të ministrave të tij.
Me shumë mund, në 2012 i hoqëm deputetëve dhe ministrave imunitetin kushtetues. Edi Rama në atë kohë lobonte me ndërkombëtarët që të mos hiqej. Por sot, ai i garanton kriminelëve imunitet antikushtetues si kryeministër, i mban pranë, u hedh dorën në qafë, i nxjerr në podium, tallet me dekriminalizimin, voton kundër amendamentet. Dhe po të jetë e nevojshme, do të sabotojë ligjin e dekriminalizimit.
Vërtet nuk kishit parë gjë, dhe nëse prisni më shumë, do të shohim më shumë nga këto mënxyra, të gjithë bashkë. Mosndëshkim, u garanton Kryeministri kriminelëve dhe tallet e ju qesh juve në fytyrë.
Eshtë ky mosndëshkim që e ka mbuluar Shqipërinë me kanabis, duke e kthyer në një nga furnizuesit më të mëdhenj të tregut europian të drogës. Erdhët ju në pushtet në shtator 2013, duke bërë pakt me krimin për pushtet dhe mbrojtje. Në 2014 e kthyet trafikun gjigant të kanabisit për në Greqi e Itali. Madje edhe avionët ulen tashmë me mbrojtjen tuaj. Kanabisi po mbillet nga Jugu në Veri; madje edhe në magazina në Durrës e sera në periferi të Tiranës.
Raporti i EUROPOL na damkos si një nga prodhuesit më të mëdhenj, duke marrë një fetë të madhe të xhiros kriminale prej 9,3 miliardë euro të kanabisit në Europë. Europol thotë që është rritur dukshëm kapja e kanabis në Itali e Greqi dhe për EUROPOL kjo do të thotë që mbillet e trafikohet më shumë në Shqipëri.
Kjo para kriminale ndahet mes krimit dhe qeverisë, protektorëve politikë. Një pjesë e tij do të blejë vota, karta identiteti, mandate deputetësh apo edhe vetë deputetë në 2017.
Durrësi është kthyer në kryeqytetin e krimit të organizuar ashtu siç nuk ka qenë kurrë. Sot, Durrësi konkuron me Napolin apo Palermon dhe asgjë nuk ndodh, sepse qeveria jep mbrojtje. Bizneset kanë frikë nga gjobat, qytetarët kanë frikë për pronat dhe të gjithë kanë frikë e nuk flasin.
Durrësi, dhe gjithë Shqipëria jua di ju për nder që ne nxijmë në hartën e trafiqeve dhe e gjithë kjo, falë kontributit tuaj ekselent duke u dhënë mosndëshkim bandave, duke ndenjur me ta, duke i mbrojtur në Parlament e pushtet vendor.
E çfarë modeli tjetër marrin të rinjtë e sotëm? Trafiko, mbill kanabis, vrit, grabit dhe lër nam edhe në mes të Evropës, sepse punë nuk ka, ndërsa shansin për deputet ta jep kjo mazhorancë; lidhu me të e nuk të hyn gjemb në këmbë.
Mosndëshkim i krimit është emblema juaj. Këtë arritje nuk jua mohon më askush. Në Uashington do të ta shpjegojnë atje zoti Kryeministër. Paralajmërimin ta dhanë me Raportin e Departamentit të Shtetit, ku kjo qeveri nxin me lidhjet e saj me krimin, trafiqet, korrupsionin, shkeljen e të drejtave dhe mosndëshkimin
Opozita e ka vendosur të mosadakordësohet me ju për ta mbrojtur krimin. Po ju jeni gati t’i qëndroni mosdakodësisë suaj me opozitën?
Ju keni nxjerrë deputetët tuaj të flasin e të lobojnë për antikushtetutshmëri të ligjit të dekriminalizimit, madje e thatë edhe vetë në publik. I detyroni të bëhen qesharakë, sepse jo vetëm e votuan ligjin vetë me gjoja zell, por po ata votuan amendamentet kushtetuese që mbështesin ligjin. Si kacavjerrje në xham duket apo jo?
Kujtesë: Sekretari i Shtetit, Kerry, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini dhe Komisioneri Hahn e vlerësuan ligjin e dekriminalizimit si hap të guximshëm dhe presin zbatimin.
Pyetje: Opozita është gati ta zbatojë deri më një Ligjin e Dekriminalizimit, po ju jeni gati ta zbatoni atë?
Provën e keni sot. Votoni amendamentin e PD-së dhe jeni në krahun e duhur. Votojeni kundër dhe jeni në krahun e mbrojtjes dhe mosndëshkimit të kriminelëve.