Rama i droguar në Asamble: ‘Zuzarë ata që më kritikojnë’

Armand MAHO

Një çehre e pazakontë kish kapluar dje atë që duhet të bëjë kryeministrin e vendit, teksa fliste në Asamblenë e partisë së tij. I rrethuar nga ushtarët besnikë, ministra e drejtorë, të cilët e shikonin të përgjumur në fjalimin e tij zvarritës kur hidhej nga njëra degë në tjetrën. Në gjendje të rëndë nga droga e konsumuar fjala e tij ngjasonte me njeriun që dorëzohet dhe si jo zakonisht vetëm një herë të vetme përmendi fjalën “mandat i dytë”. Gjendja e rënduar psikologjike u pa dhe në një takim me pensionistët kur i binte bërrylave, si dikur diktatori komunist, i cili kishte humbur mendjen para se të vdiste. Në më shumë se një orë fjalim, fjala e tij do të ishte jo bindëse, e lodhshme dhe ndonjëherë e pamarrë vesh. Për Edi Ramën të gjithë dje dolën fajtorë, opozita, ndërkombëtarët, media, madje dhe populli. Tamam si puna e atij fqinjit gërnjar, ku të gjithë të tjerët madje e gjithë lagjia e ka gabim, vetëm ai e ka mirë. E natyrisht, koka e karvanit rilindas nuk kish si e justifikonte tjetër dështimin në të gjithë sektorët, ekonomi, infrastrukturë e rend. U mundua të shiste haluçinacionet e tij për uljen e varfërisë si të vërteta, u mundua të shiste statistika të padëgjuara e palexuara kund për uljen e varfërisë… Çehrja e zbehtë, shpërqendrimi, irritimi i pavend të jepnin përshtypjen se delirantizmi i kish lënë vend dëshpërimit në këtë prag festash. Kryeministri foli si një kryeministër në ikje, si i atij që i shket toka nën këmbë. Në një shtet normal, me një kryeministër normal kjo do të ishte krejt normale. Madje në rast se do të ishin këto shifra të frikshme varfërie, papunësie, krimi apo dhe emigracioni çdo kryeministër i përgjegjshëm do i dorëzonte vetë çelësat e zyrës. Por kjo vlen për kryeministrat e përgjegjshëm…..

Kompleksi i përjetshëm

Kompleksi i tij i përjetshëm nuk do i ndahej. Megjithëse ishin mbledhur për Kokëdhimën dhe po i mbaron mandati, sërish problemi i tij është një dhe vetëm një, ish-Kryeministri Sali Berisha. Ndoshta pafuqia për të konkurruar në vullnet dhe ide me liderin historik të së djathtës e sjell vazhdimisht në metastaza dëshpërimi. Natyrisht, veç Berishës për të problem është dhe Parlamenti, media, Facebooku, Tëitteri, kudo ku mund të flitet keq për politikat e liderit global… “Në Shqipëri ka shumë varfëri, ka shumë papunësi, ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ne nuk bëjmë njeri mish për top, për mejhanen e Parlamentit çdo të enjte, ku mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe kërkojnë t’i thonë popullit shqiptar se mjafton që të shpëtojmë nga kjo qeveri dhe këtu do të zgjidhen problemet. Mjerë ata që ndjekin Parlamentin dhe mjerë ata që mbajnë fëmijët afër kur ka Parlament, është pornografia më ekstreme për ata nën 18 vjeç. Duhet transmetuar me pullë të kuqe dhe me atë shenjën plus 18. Një turp i pashoq”, tha kryeministri. Dhe në fakt, Parlamentin e ka shndërruar në të tillë vetë kryeministri. Kush kujton fjalorin e tij në ditët e para të qeverisë do e bëjë lehtë krahasimin, por dhe memoria na rikthehen dhe një herë kohën kur vishte çitjane dhe akuzonte analistët me gjithfarë fjalori. Por kryeministri shkon dhe më tej dhe ndoshta në një moment sinqeriteti pranoi se futja e kriminalëve në Parlament është shumë herë më e mirë se akuzat që formulohen aty ndaj qeverisë së tij?! “Kthimi i gënjeshtrës në argument, kthimi i akuzës dhe i shpikjes në program, kthimi i baltës në vizion ky është kriminalizimi ekstrem. Të keqen e dekriminalizimit në krahasim me këtë maskaradë që zhvillohet çdo ditë”…

Disa nga “thagmat” e Ramës në Asamble

“Statistikat ndërkombëtare thonë se në Shqipëri është rritur punësimi, në Shqipëri ka rënë varfëria, por është relative, është rritur punësimi nuk do të thotë se ne kemi zgjidhur plagën e papunësisë, ka rënë varfëria nuk do të thotë që kemi zhdukur varfërinë”.
“Për shqiptarët në të drejtën e tyre që kërkojnë një jetë më të mirë, jashtë atdheut siç kanë bërë qysh nga viti 1990, siç kanë bërë në të gjithë historinë e tyre kur kanë qenë të lirë duhet kryqëzuar qeveria e Partisë Socialiste”.
“Kemi bërë dhe ne gabimet tona, të cilat i analizojmë dhe vazhdojmë t’i analizojmë, por një gjë është e sigurtë se që nga dita e parë që qeverisim nuk kemi bërë asnjë tradhti dhe nuk kemi bërë asnjë mëkat të qëllimshëm për të nxjerrë përfitime duke dëmtuar vendin, duke dëmtuar komunitete, duke dëmtuar njerëz”.
“Dhe mos fshihemi pas të vërtetës, mos shohim gishtin kur gishti tregon hënën, kjo e keqe ka një emër dhe emrin e ka Sali Berisha bashkë me çetën e tij”.
“Teoria se shkatërruam Lazaratin dhe përhapëm kanabisin në gjithë Shqipërinë është një maskaradë, njerëzish të pafytyrë dhe përzier të gjithë bashkë në një kazan të madh politike dhe mediash”.
“Të keqen e dekriminalizimit në krahasim me këtë maskaradë që zhvillohet çdo të enjte, ku mblidhen gjithë zuzarët dhe tellallët e të shkuarës dhe kërkojnë t’i thonë popullit shqiptar se mjafton që të shpëtojmë nga kjo qeveri dhe këtu do të zgjidhen problemet”.
“Kanabisi është një plagë që buron nga varfëria, është pasojë që mbiu nga mungesa e reformave. Njerëz që çuditërisht e kultivojnë kanabisin aty ku dikur kishte blegtori”.

Rikthehen xhaketat e vjetra në PS

Disa prej socialistëve të vjetër, të larguar pas ardhjes së Ramës në krye të PS janë rikthyer në strukturat e partisë. Në Asamblenë e PS që u zhvillua dje janë pranuar si anëtarë Et’hem Ruka, Ilir Zela, Bukurosh Stafa dhe Luan Hajdaraga.
Ndërsa përsa u përket drejtuesve, mësohet se Taulant Balla dhe Luljeta Dollani janë zgjedhur në postet e n/kryetarëve të Asamblesë së re. Ndërsa Ulsi Manja u zgjodh Sekretar i Asamblesë. Ervin Bushati është zgjedhur kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Financave të Partisë Socialiste.
Të rikthyerit
Luan Hajdaraga ka qenë ish-ministër i Mbrotjes, Et’hem Ruka ish-ministër i Arsimit.
Bukurosh Stafa ka qenë drejtor i Kombinatit Metalurgjik Elbasan, Shoqërisë Albkrom Sh.A., dhe deputet.
Ilir Zela, ish-deputet i PS dhe drejtues në disa institucione, si AKEP. Ndër më të vjetrit në PS.

Rama do “Kampionatin”

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se koalicioni me LSI do të vazhdojë edhe pas problemeve të mundshme të shfaqura kohët e fundit. Edhe pse mund të jetë një koalicion jo i dëshiruar, Rama tha se ky është një koalicion strategjik dhe i ka mundësuar vendit shumë reforma. Duke bërë bilancin e qeverisë, Kryeministri tha se sukseset e reformave kanë sjellë edhe paketën e solidaritetit për shqiptarët.
“Koalicioni me LSI është një koalicion strategjik dhe jo një koalicion me dëshirë”. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama përballë anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste.
“Qëllimi ynë strategjik, jo dëshira. Kjo nuk është çështje dëshirash. Qëllimi ynë strategjik është të jemi bashkë në koalicion me LSI. Më lejoni t’ua them juve dhe të gjithëve atyre që na dëgjojnë. Shumëkush është i tunduar dhe thotë të ikim vetëm, shumëkush thotë ata të LSI bëjnë kështu, ata bëjnë ashtu, ata na morën në qafë, ata na nxorën bojën, ata na nxorën kallajin, ata na nxorën suvanë. Dëgjoni miqtë e mi, kjo është strategjike, kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara të njerëzve të tyre apo të njerëzve tanë. Në bilancin e qeverisjes deri tani, Rama tha se sukseset e reformave kanë bërë që qeveria të mbyllë këtë vit me paketën më të madhe të solidaritetit për shtetasit e saj”, tha Rama.

Artikulli paraprakMimi Kodheli në Vlorë: Unë jam Edi Rama me flokë
Artikulli tjetërFrikë nga shkarkimet e Trump