Rama i hapi krimit edhe portën e Universitetit

Luçiano BOÇI

Gara në universitete tashmë është mbyllur dhe urimi në këtë rast për të gjithë ata që ia kanë dalë me sukses është i natyrshëm sikurse mbetet i tillë për ata që patën kurajën të merrnin pjesë në këtë garë. E them këtë që patën kurajën, sepse në këto zgjedhje universitare sikurse të gjitha llojet e zgjedhjeve të bëra në Shqipëri në këto 3 vjet nuk ishin aspak të lehta dhe aspak normale. Këto zgjedhje u shkelën, u dhunuan, u tronditën pikërisht nga politika e veshur me krim dhe nga krimi i cili kërkoi të vishte edhe tunikën e fundit që i kishte mbetur pa futur në garderobën e tij, tunikën e akademikut. Republika e dijes në analogji me republikën e letrave siç mund ta quajmë republikën e universiteteve, u kërcënua nga republika e rrugës dhe iu kërkua të imponoheshin me zor pikërisht parimet e republikës së rrugës dhe paradoksi këtu është që iu kërkua që të imponoheshin këto parime të republikës së rrugës, pikërisht nga ajo që e ka për detyrë ta mbështesë, ta zhvillojë dijen, ta zhvillojë universitetin, pikërisht nga politika. Sigurisht, shumë kolegë këtu në këtë sallë, që tashmë e kanë shprehur këtë gjë, por edhe unë vetë do ta konsideroja disi naive një deklaratë timen sot, nëse nga kjo foltore do të thoja se ishte Rama vetë ai që e çoi Shullazin tek Profesor Koni, dhe aq më pak ishte Nikolla, por pavarësisht se e vërteta e kësaj deklarate është disi afër, megjithatë më lejoni të bëj një paralelizëm shumë të thjeshtë dhe paksa profesional timin. Kur Tolstoin, shkrimtarin e madh rus e pyetën me indinjatë duke e akuzuar se pse Ana Kareninën, personazhin e tij të dashur e çoi në rrotat e trenit, ai u mbrojt me akuzën, se Ana Karenina vajti vetë, unë thjesht e krijova, e mbështeta dhe e frymëzova personazhin tim. Edhe një herë ndjesë për krahasimin se s’mund të krahasohet Tolstoi me kryeministrin tonë pasi Tolstoi i ka letrarë personazhet e tij, dhe i krijon për të mbështetur dhe përhapur vlera njerëzore, ndërsa kryeministri i krijon personazhet e tij real për të grabitur vlera njerëzore. Dhe sigurisht edhe nëse unë do e pyesja kryeministrin, për personazhin e tij real ai do jepte të njëjtën përgjigje, jo ai ka ikur vetë, siç e ka lënë të nënkuptohet, por ama gjithsecili prej nesh në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle e di shumë mirë se ky personazh real është i krijuar nga ky kryeministër dhe është ky kryeministër që e mbështeti, e frymëzoi, dhe e bëri atë që të kapërcejë portën e rëndë të universitetit, duke dashur të mbjellë imponimin e politikës së kriminalizuar. Eshtë ky kryeministër, i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë të krimit dhe të rrugës, i cili republikën tonë e ka shndërruar në republikë bananesh, dhe jo republikë bananesh nga fakti që malli eksportohet, republikë bananesh nga ata që e drejtojnë këtë vend. Sepse nëse do të nisemi nga malli që eksportojmë, tragjikisht Shqipëria eksporton rininë e saj drejt Europës dhe tragjikisht, eksporton vetëm mendje. Ky kryeministër e ka shndërruar Shqipërinë në republikën ku jeta s’ka vlerë, ku universiteti s’ka vlerë, ku ekonomia nuk ka vlerë, biznesi nuk ka vlerë dhe vota nuk ka vlerë.

Exit mobile version