Rama i rikthehet koncesionit të Spitallës

Zona teknologjike dhe Industriale e Spitallës po riofrohet ndaj investitorëve në një garë të hapur vetëm me një të pestën e sipërfaqes fillestare.
Kjo, pasi specifikat e reja të tenderimit e kanë rrudhur sipërfaqen në 101 hektare, nga rreth 500 hektarë që ishin në tenderin e fillim vitit që rezultoi i dështuar.
“Si fazë e parë, të përzgjidhet zhvilluesi për një sipërfaqe prej 101.2 (një qind e një pikë dy) ha”, thuhet në kriteret e reja të tenderit.
Përpjekjet gjatë vitit të kaluar për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit, kanë dështuar, për shkak se interesi i kompanive kineze, “Zhejiang Haiteng investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co, ka shfaqur mangësi.
Për të lehtësuar zhvillimin e kësaj zone si një park industrial në shërbim të biznesit të huaj, zona është rikualifikuar në tender për vetëm një euro për një periudhë 99- vjeçare.
Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që nuk po zhvillon një zonë industriale, ndërsa investitorët e huaj e kanë cilësuar këtë një faktor pengues për të ushtruar aktivitete në Shqipëri.
Aktualisht, Spitalla është në kushtet më të mira për të funksionuar në shërbim të bizneseve, për shkak se është e pajisur me infrastrukturë si rrugë, energji dhe ujësjellës.
Mirëpo ndër vite janë bërë ndërtime pa leje, të cilat duket se kanë qenë edhe pengesa kryesore për ta shndërruar atë në zonë industriale.
Në vendimit e fundit të qeverisë për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit, sipërfaqja gjithsej është 199.7 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë pikë shtatë) ha, pjesë e zonës kadastrale Nr. 8517, në Spitallë, Durrës. Por qeveria do të tenderojë vetëm 101 hektarë.
Zona e Spitallës është 6.6 kilometra larg Portit të Durrësit dhe rreth 30 km larg Aeroportit “Nënë Tereza”.

Exit mobile version