Rama i shkruan prapë Bashës…

Për të dytën rradhazi Rama i shkruan sërish Bashës ku e fton atë për dialog. Përgjigjen e letrës së djehsme Basha e mori nga një takim që Basha zhvilloi dje pasdite në qytetin e Durrësit. Basha deklaroi prerë se nuk do të ketë asnjë dialog kulisash me Ramën.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Ramën që sot të shkruajë një tjetër letër të hapur në drejtim të Bashës. Rama thotë se duhet dialoguar përpara 31 majit që të mos bllokohen zgjedhjet, ndërsa Basha e ka bërë të qartë se zgjedhje pa mopozitën nuk do të ketë.

Si iu përgjigj Basha Ramës nga Durrësi…

Kreu i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur dje letrës publike të kryeministrit Rama. Lideri demokrat Basha i ka cilësuar “propozimet” e Ramës si kërkesa për kapitullim. Nga Durrësi, në një takim me qytetarët, Basha tha se, nuk do të ketë asnjë hap pas, ndërsa shtoi se, Rama i propozon kapitullim të popullit para krimit më 30 qershor, ndërsa theksoi se do të ketë përballje me çdo qendër votimi.

Ai tha në Durrës se, “na propozon që më 30 qërshor të bëjmë sehir kur ai bën grusht shteti me zgjedhje falso”.

“Na propozon zgjedhje në Durrës me një një asistente hajdute si kryetare bashkie tani që Vangjush Dako po e përpin vorbulla e hekurave. Na propozon Taulant Ballën  dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve kur këta  do jenë para togave të zeza.”, tha ndër të tjera Basha.

Pjesë nga fjala e liderit demokrat

Edi Rama na propozon kapitullimin.

Na propozon që më 30 qërshor të bëjmë sehir kur ai bën grusht shteti me zgjedhje falso.

Kur 1.4 milion shqiptarë janë me karta të skaduara. Që janë 1.4 milion karta të falsifikuara.

Ku serveri i gjendjes civile ka rënë.

Kur regjistri i adresave është bërë lëmsh

Na propozon zgjedhje ku nga Artur Bushi dhe Tërmet Peçi rikandidojnë, ku në fakt dekriminalizimi duhet ti çonte përpara drejtësisë.

Na propozon zgjedhje në Durrës me një një asistente hajdute si kryetare bashkie tani që Vangjush Dako po e përpin vorbulla e hekurave.

E gënjen mendja se do ti shpëtojë drejtësisë duke bërë paktin me Ramën dhe duke mbetur në këmbë.

Jo, Vangjush Dako, jo,  Rama të gënjen.

Fundi yt është pas hekurave për atë që ke bërë për Durrësin dhe Durrësin

Na propozon Taulant Ballën  dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve kur këta  do jenë para togave të zeza.

Keni rënë squk prej 24 orësh, kur ju denoncova se si keni kërcënuar 4 komisionerë të KQZ-së që i thoni që të mos regjistrojnë opozitën.

Gjithcka është në tabulatet e ndërkombëtarëve.

Letra e dytë

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend, e që janë shumica dërrmuese (përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

61112422 2415794828471684 8431448572200747008 o

60709900 2415794055138428 6480712428228182016 o

Artikulli paraprakLigji: Partia më e madhe e opozitës barazpeshon KZAZ-në, i çmenduri fshin ligjin dhe përjashton opozitën
Artikulli tjetërPakistani teston një raketë balistike