Rama ia kaloi edhe avokatit të Milit të partisë

Eduard HALIMI

Një gjë, për t’iu përgjigjur drejt dhe shkurt propagandës së kryeministrit në mëngjes, se medemek ne nuk qenkemi në tavolinën e Reformës në Drejtësi. Kemi gati draftin, tha Rama, por nuk e votojnë. Eshtë gati drafti zoti Majko? Nuk është gati drafti. Pse? Sepse ekspertët ndërkombëtare me ekspertët tanë dhe me ekspertët tuaj, po e rishikojnë draftin që ta përputhin me Venecian. Dhe po ju them këtu, që ditën e parë që ekspertët ndërkombëtarë do sjellin draftin për Byronë Kombëtare të Hetimit, për Prokurorinë Speciale, për kontrollin e gjithë gjyqtarëve për aspektet e korrupsionit, atë  ditë, të nesërmen, grupi parlamentar do të shkojë ta votojë. A e kemi thënë këtë në komision zoti Majko, zonja Hysi. E kemi thënë pra. Dhe e them prapë këtu, dhe kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë. Atë ditë që do të vijnë ato amendamente kushtetuese që siç ramë dakort në komision do të shoqërohen bashkë me ligjet që kanë të bëjnë me Byronë Kombëtare të Hetimit, me Prokurorinë Speciale me kontrollin e gjithë gjyqtarëve, ne do të vijmë t’i votojmë që të nesërmen. A kemi thënë këtë para një jave? Dhe po ashtu, a ramë dakort që nuk do të bënim retorikë jashtë? Por, meqenëse kryeministri mashtroi, jam i detyruar ta them këtë. Opozita është aty dhe është gati menjëherë që nesër të votojë të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me byronë, por jo siç e donte Edi Rama, që në program e kishte në Ministrinë e Brendshme, por siç tha Venecia, të jetë tek Prokuroria Speciale.Tani, dua të theksoj një gjë. Këtë javë ka një ngjarje të madhe. Eshtë një ngjarje që të paktën i madh e i vogël gjeti një ngushëllim. Eshtë arrestuar Mili, është arrestuar Mili. Doli kryeministri dhe bëri dhe atë që avokati i Milit nuk e bëri. Nuk e tha avokati i Milit që Prokuroria kishte hezituar dhe kishte nxjerrë urdhër me vonesë, sepse për Gjykatën kjo do të thotë që arrestimi është i paligjshëm, se shoqërimi është i paligjshëm. Nuk e tha, nuk arriti ta thonte dot avokati i Milit. E tha kryeministri këtu. Po në çdo vend normal, kryeministri, kur arrestohet kreu i një bande, se të gjithë ju e dini që Mili kreu i një bande ishte, për këtë dini dhe bini dakort të gjithë që kishte bandë, apo jo, del dhe e përshëndet organin e akuzës. Por si nuk doli një herë kryeminsitri të falenderonte sot Prokurorinë. Çfarë janë ata? Edhe ata kanë nevojë për pak mbrojtje, kanë nevojë për pak kurajo. Si nuk doli të lavdëronte punën e Prokurorisë? Ti dilte në krah grupit të prokurorëve. Por të vetmen gjë që bëri, sulmoi Prokurorinë. Sulmoi Prokurorinë, duke thënë prit se aty ka disa kleçka. Madje, arriti deri atje sa tha që ka përgjime ilegale dhe se policia nuk bën përgjime ilegale. Pra, duke hedhur dyshime, supozoj unë, si njeri i të drejtës, mbi ato prova që ekzistojnë aty për Milin e partisë. Tani Mili i partisë dhe Reforma në Drejtësi bashkohen në një pikë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe nuk e kemi lançuar ne si opozitë, jua ka thënë ambasadori amerikan, u ka thënë prej gjashtë muajsh, arrestoni Milin e partisë dhe arrestimi i Milit të partisë në mënyrë të padiskutueshme është hapi i parë i Reformës në Drejtësi.

Artikulli paraprakNë mos keni armë gjeni, a duhet ligj i ri për armët?
Artikulli tjetër20 mijë zyrtarë nuk plotësojnë formularët e dekriminalizimit