Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se misioni parësor i opozitës është “shkërmoqja” e qeverisjes së kryeministrit Rama.
Sipas tij, Rama është ideatori dhe zbatuesi i planit për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke folur për procesin e zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Spaho shtoi se PD është e vendosur të hyjë në garë, por me kushtin për të frenuar zhvillimin e zgjedhjeve kriminale.
Ai mes tw tjerash pohoi se në 6 vitet e fundit në Shqipëri ka patur thjesht votime, e jo zgjedhje të lira e të ndershme. “Shqetësimi më i madh për Partinë Demokratike është standardi i zgjedhjeve. As mos të keni dyshim se PD do të hyjë në zgjedhje. Në Shqipëri në 6 vitet e fundit është votuar, por nuk ka patur zgjedhje normale. Ne do të punojmë fort që Shqipërisë ti garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, rezultatin e zgjedhjeve e përcakton krimi. Hoqëm Saimir Tahirin të parin, i cili jepte 20 milionë euro në Tiranë. Misioni i opozitës është shkërmoqja e qeverisjes së Edi Ramës. Partia Demokratike ka ngritur shtabe elektorale në bashkitë e vendit. Edi Rama është ideatori dhe zbatuesi i manipulimit të zgjedhjeve. Pse ju mendoni se kjo qeveri jep garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por Partia Demokratike nuk do të lejojë që të kemi më zgjedhje farsë. Zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore të mbahen bashkë, është një opsion. Përpara se të arrijmë në zgjedhje vendore apo të përgjithshme së bashku, së pari duhet të garantojmë zgjedhje të lira. Mazhoranca ka uzurpuar kompetencat e të tjerëve. Kjo klikë duhet të çmontohet, dhe më pas do të hyhet në zgjedhje normale dhe të ndershme”, tha ai.