Rama ka rënë, ka vetëm 55 vota

Tre vjet pas marrjes së mandatit si Kryeministër, radhët e deputetëve socialistë që mbajnë Ramën në krye të qeverisë po pakësohen. Ndërsa tre vjet më parë ngjiti shkallët e Kryeministrisë me një numër prej 64 deputetësh socialistë dhe një aleancë të re me Metën që dukej sikur premtonte, tani gjërat kanë ndryshuar. Rama nuk i ka më 64 deputetë që kishte në ditën e parë të punës së tij. Ai sot numëron si vota të sigurta brenda gardhit të tij në Parlament vetëm 55 të tilla.
Përveç pakësimit të deputetëve, problemet janë mjaft serioze edhe në koalicionin qeverisës. Partneri i këtij koalicioni, Meta nuk mori pjesë dje në përvjetorin e 25 të ndryshimit të emrit nga PPSH në PS. Deputetët brenda koalicionit tashmë i kanë harruar muajt e mjaltit dhe vendin e batutave miqësore gjithnjë dhe më shumë po zëvendësohen me deklarata helmuese.
Rama ka pasur një rrudhje të votave brenda partisë së tij. Rasti i fundit është ai i deputetit Vladimir Kosta, i cili përmes një letre publike deklaroi se ai largohej nga grupi i PS. Por, ajo që paralajmëronte deputeti Kosta është akoma më e rëndë. Ai thoshte se edhe deputetë të tjerë mund ta pasojnë atë në largimin nga grupi i PS. Ndërkohë, dje një tjetër deputete e konsideruar si e afërt me ish-deputetin Kokëdhima ka kritikuar mënyrën se si Rama drejton PS, duke paralajmëruar edhe ajo një largim të mundshëm në ditët e ardhshme.
Këto largime të fundit të deputetëve socialistë janë pjesë e një hemoragjie që ka nisur muaj më parë. Një mbështetës i Ramës si deputeti Frroku, tani është në burg për vrasjen në Belgjikë. Vendin e tij e ka zënë një tjetër deputet, vota e të cilës është e dyshimtë. Vendin e deputetit tjetër Ndoka të përfshirë në trafikun e prostitucionit e ka zënë deputeti, Ndocaj, i cili në daljet publike ka shfaqur qartazi qëndrime të kundërta politike me Ramën përfshi edhe qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi.
Një tjetër deputet që është në pikëpyetje për shkak të procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë është deputeti Prenga. Sipas një vendimi të grupit të PS, ai është përjashtuar nga grupi megjithëse Rama e thërret të votojë me pranga të duar në Parlament. Por, vendimi i Gjykatës mund ta largojë atë nga Parlamenti.
Një tjetër deputet që është përjashtuar nga grupi i PS është Doshi. Ai është larguar nga PS pas akuzave të ashpra në drejtim të Ramës dhe prej asaj kohe ai nuk konsiderohet si një votë e sigurtë e Ramës.
Deputetë të tjerë që janë shprehur se mund të largohen nga PS gjatë javëve të ardhshme, janë Blushi dhe Hafizi. Megjithë qëndrimet kontradiktore, publikisht ata janë shfaqur kritik ndaj Ramës dhe nuk dihet se si do të jetë e ardhmja e tyre, ndërsa Ramën e konsiderojnë si një problem për demokracinë.
PBDNJ e cila ishte një parti aleate, tashmë është larguar nga koalicioni. Kryetari i PBDNJ është tashmë më i afërt me qëndrimet e opozitës se sa me ato të koalicionit qeverisës të Ramës dhe ai nuk mund të konsiderohet më si një votues i kryeministrit. Shpresa e Ramës mund të jetë tek votat e PDIU. Por, edhe këto konsiderohen jo të sigurta për shkak të problematikës së brendshme që ekziston. Vetë PDIU po mban prej kohësh një qëndrim kushtëzues ndaj votimeve të vendimeve të Ramës.
E gjithë ngrehina e qeverisë po mbahet aktualisht në këmbë nga votat e LSI. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i LSI në të ardhmen, por Rama po përpiqet të peshkojë disa nga radhët e deputetëve të LSI. Kjo ka sjellë një klimë gjithnjë dhe më mosbesuese mes Metës dhe Ramës.
Rama mund të konsiderohet si një Kryeministër i rënë. Ai nuk ka më votat për të siguruar shumicën. Përpëlitjet e tij janë ato të një kreu qeverie në agoni. Ndaj edhe Rama gjithmonë flet për një Plan B, i cili sipas tij është ai i zgjedhjeve të parakohshme. Duke parë se ai nuk ka shumicën në Parlament dhe duke parë se ai është tashmë i varur kokë e këmbë nga Meta, ai po sheh si zgjidhjen e vetme çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja, duke mbajtur në të njëjtën kohë kreun e  qeverisë. Por vetë Rama e di se vendi nuk mund të ketë zgjedhje të lira, duke qenë ai në krye të qeverisë. Tani është opozita dhe PD që dikton në zhvillimet politike.

Meta bojkoton Ramën në ceremoninë e 25-vjetorit të PS

Kreu i LSI nuk ishte i pranishëm dje në ceremoninë e 25-vjetorit të krijimit të PS. Meta ka nxjerrë si alibi vizitën që po zhvillon në Malin e Zi, ndërsa dihet shumë mirë se kur liderët e partive nuk duan të marrin pjesë në një event politik ata sajojnë udhëtime jashtë vendit. Braktisja nga Meta e Ramës në këtë moment nxjerr edhe një herë në pah situatën e tensionuar që po kalojnë PS e LSI në qeverisje. Krisja tashmë ka marrë formën e një ndarje, por që divorci ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Arben SHAHINI

Exit mobile version