Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga një takim me demokratët e degës 7 në Tiranë tha se Rama ka kaluar vijën e kuqe, duke rrëzuar dy amendamentet për Sigurinë Kombëtare.
Në fjalën e tij, Basha u shpreh se nuk do të ndalet me kaq, duke paralajmëruar se do të insistojnë ose qeveria do të mbajë përgjegjësi.
“Njerëzit nuk janë budallenj. Sot ka pasur një vijë të kuqe të kaluar nga Edi Rama dhe qeveritaret e tij. Është testi jeta e vdekje, testi i sigurisë kombëtare. Sot kanë votuar kundër dy propozimeve të PD, dorëzuara në kuadër të strategjisë kombëtare me qëllim që ti vihej në ndihmë Kosovës dhe së dyti që korrupsioni të trajtohej si një kërcënim për sigurinë kombëtare. E kanë hedhur në mes të një falsiteti që vetë e stimulojnë. Nuk mbyllet me kaq, nuk mund të kalojë sikur s’ka bërë asgjë porositësi i saj. Ne do të insistojmë ose të bëhet ose të mbajnë përgjegjësi sot dhe nesër” , tha Basha.
Ndërsa sa i takon reformës zgjedhore, Basha u shpreh se nesër Komisioni ka mundësinë që të ecë përpara me seancat dëgjimore.
Sipas tij, Rama nuk e do kodin e ri zgjedhor, por u shpreh se ka edhe nga radhët e opozitës që me “skuthllëk”, sic e quajti Basha duan të njëjtën gjë si kryeministri, por nuk e thonë.
“Nesër komisioni i reformës zgjedhore ka shansin të ecë përpara, sepse me këto kod nuk ka zgjedhje, Duhen 84 vota për të kaluar kodin. Rama nuk do ta ndryshoje sistemin. Ka mjaftueshëm njerëz të cilët me skuthllëk në radhët e opozitës duan të njëjtën gjë që do Edi Rama po nuk kanë guximin ta thonë”, tha nder te tjera Basha.