Rama kërkon kontrollin e drejtësisë

Eduard Halimi

Caktimi i një seance të jashtëzakonshme vetëm 5 ditë para asaj të zakonshmes, është cinizmi më i madh që i bëhet shqiptarëve në udhëkryqin e tmershëm të krimit, korrupsionit, drogës që mbulon vendin dhe varfërinë e njerëzve të thjeshtë. Çdo njeri racional e kupton se asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh në këto 5 ditë përveç nevojës së qeverisë për një alibi propagandistike për të dalë nga gjendja ku ndodhet vendi sot.
Çdo mëngjes shqiptarët e thjeshtë po e nisin me tablonë më të tmershme që ka pasur ky vend. Krimi dhe siguria publike janë makth, banditë që vjedhin bankat, por nuk kapen, vjedhin shtëpitë, vrasje, krime, varfëri, korrupsion pa fund, drogë, drogë, drogë në çdo fshat, në çdo cep të vendit, plantacione që ruhen me armë si në Kolumbi, baronët e drogës që shfrytëzojnë varfërinë dhe të pamundurit, por dhe pushtetin për ta ndihmuar në industrinë e krimit: E për të përmbyllur tablonë, njerëz, trafikantë të drogës, të ulur nga administrata e deri në Parlament që iu zgërdhihen të varfërve e të pamundurve dhe u thonë se ka një alibi për varfërinë, papunësinë, drogën, armët, është drejtësia që në aktorët e tablosë më therëse do e spastrojmë e do e nënshtrojmë. Që ka gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, më të keq nganjëherë edhe se banditët, as që diskutohet, dhe padyshim që ata janë fajtorë për mosçuarjen para përgjegjësisë dhe ndëshkimin e gjithë atyre që vjedhin, trafikojnë, ndihmojnë trafikantët dhe rrjepin të pamundurit, por nuk janë alibi për dështimin e plotë me këto 3 vjet të Edi Ramës.

Nuk është drejtësia alibia e dështimit të Ramës
Nuk është drejtësia alibia e dështimit të Ramës. Nuk është drejtësia për dështimin e Ramës në Dibër, se Shukriun ua solli Rama dibranëve, nuk është drejtësia alibia e Ramës në Dibër, që të dënuarit për trafiqe janë në krye të fushatës për të bërë aleancën me krimin si mjet për të mbajtur pushtetin dhe për të fituar pushtet.
Nuk është drejtësia, alibia që në këto 3 vjet, Rama nuk arriti të ndërtojë as një km rrugë, asnjë shkollë, asnjë spital, as edhe një vend pune për të papunët, por veç për trafikantët. Nuk ka dot alibi Rama në këto 3 vjet as për arsimin se nga Cania i Sarandës deri tek Luiza e Lushnjës, i vendosi Rama me dorën e vet për të shembur arsimin dhe dhunuar e nëpërkëmbur njerëzit e thjeshtë, votuesit, taksapaguesit, shqiptarët. Por në këto 3 vjet ishin padyshim njerëzit e botës së krimit, të dënuar e liruar nga kjo drejtësi, që u pasuruan, jo falë gjyqtarëve e prokurorëve, por falë një njeriu me të cilin lidhën kontratën më fitimprurëse për krimin në gjithë Europën, por më vrastare për vendin: kontratën e krimit me politikën. Politika dhe krimi në këto 3 vjet u bënë një. Krimi mori poste, u ul vetë në Parlament, merr dhe vendime për gjyqtarët e prokurorët. Krimi u ul në administratë, u fut në polici dhe promovoi miqtë, shokët çunat e krimit që mbjellin hashash në çdo fshat, në çdo copë tokë të një vendi që i ështëe gjunjëzuar, në bazë të kontratës me krimin. Ju më ndihmoni në opozitë kur jam në pushtet unë ta shpërblej.
Kjo është historia e dështimit të këtij vendi, të parlamentit, të politikës dhe mbi të gjitha të qeverisë. Kjo është tabloja më therëse e kësaj një republike, ku të gjithë përveç krimit ndjehen keq. Padyshim dhe ne të opozitës ndjehemi keq, që jo vetëm nuk kemi ndërmend të fshehim plehrat poshtë tapetit, por dhe më fort duhet t’i themi që shqiptarët mos gënjehen nga një makineri e propagandës e mirëpaguar nga gjaku dhe djersa e tyre se ka një alibi për gjendjen dhe fajtor nuk është qeveria. Kanë padyshim faj gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, të cilët u gjunjëzuan të parët si çdo herë duke i shërbyer qeverisë me shpresën se dita e ndëshkimit do ishte larg tyre. U gjunjëzuan dhe liruan vrasës, deputetë e ish-deputetë, liruan trafikantët e ndodhur në makina deputetësh, fëmijë vrasës të deputetëve, trafikantë të lidhur me politikën që ikin nga sytë këmbët.

PD nuk mbron asnjërin nga ky soj gjyqtarësh
Këto janë të vërtetat dhe e di se shumica e qytetarëve të majtë e të djathtë, por dhe deputetë të majtë këtu që nuk u përfshinë në plaçkitjen e Rilindjes në këto 3 vjet mendojnë kështu. Të tjerët po mendojnë se medemek neve të PD, po mbrojmë gjyqtarët e prokurorët. Se medemek ju doni të largoni gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe ne i mbrojmë. Kë të mbrojmë ne nga 15 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë? Ata 5 që dënuan Palokën se medemek fyeu Ramën, 5 të tjerët që dënuan Ristanin se medemek cenoi nderin e Ramës se kishte lidhje me trafikantët, apo ata 5, që falën Arben Ndokën që qëlloi 5 hapa më larg në sy të gjithëve Gent Strazimirin? Kë mbrojmë ne nga këta të 15??
Kë të mbrojmë nga Gjykatat e Apelit? Shërbëtorët e Partisë Socialiste që i dhanë pronat Shullazit pa qenë një ditë pronar, apo ata të Gjykatës Administrative që janë shndërruar në këto 3 vjet në ushtarë të bindur të qeverisë, ku 80% të vendimeve janë pro qeverisë dhe kundër qytetarëve. Statistika të tilla gjen vetëm në vende afrikane ku 80% e gjyqtarëve i bëjnë temena qeverisë. Kë të mbrojmë gjyqtarët e prokurorët që u shndërruan në shërbëtorë të qeverisë pas kërcënimeve personale të Ramës dhe futën në burg 37.000 qytetarë për aksionet imagjinare të Ramës për energjinë, ujin e ndërtimet pa leje? Gjyqtarët e prokurorët qëe burgosin të pamundurit që nuk kanë të paguajnë energjinë dhe lirojnë trafikantët e drogës të lidhur kokë e këmbë me qeverinë? Sa trafikantë janë dënuar nga ata që mbjellin 90% të Shqipërisë me hashash?
Asnjërin nga këta soje nuk mbrojmë ne. Por ne jemi opozitë e vendit dhe si çdo opozitë, ne e kemi për detyrë ndaj zgjedhësve, ndaj qytetarëve, republikës parlamentare që t’i themi ndal qeverisë kur ajo kërkon të kapë totalisht pushtetin gjyqësor, ta marrë nën sqetull ta shantazhojë, e ta kapë duke e vënë përfund në shërbim të njerëzve të krimit që ka në Parlament, në qeveri, në administratë. Sepse ne e dimë se armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike, vënia e drejtësisë në shërbim të krimit të veshur me pushtet, vënia në shërbim të trafikantëve të ulur në karigen e deputetëve e qeveritarëve, e korrupsionit.
Ndaj dhe bëmë atë që ju nuk e bëtë asnjë ditë të vetme në 8 vjet kur ishit në opozitë. U përfshimë kaq intesivisht një vit më parë dhe jemi po aq aktivë në Reformën në Drejtësi, sepse e dinim se nëse nuk do ishim ne, ju do e kishit bërë reformën siç e kishit planin e Rilindjes, të kapur e nënshtruar në shërbim të ministrave të korruptuar, trafikantë të drogës, krimit të lidhur me pushtetin.

Drafti i Rilindjes për Drejtësinë u rrëzua 38 herë nga Venecia
Dëshmi e plotë e kësaj që po them, është drafti kushtetutes i një viti më parë, që i jepte drejtësinë tërësisht në dorë Edi Ramës, i jepte të gjitha organet e reja që krijoheshin, t’i emeronte ai të gjitha, të kishte ai dorë të lirë në kontrollin e plotë të drejtësisë.
Ne e dinim se po mos hynin ne, vrulli i arrogancës do të fshinte nga faqja e dheut çdo gjyqtar e prokuror të ndershëm që do të qëndronte në këmbë një minut kundër qeverisë dhe do refuzonte shërbimet ndaj saj. Ne e dinim se nëse nuk do ishim angazhuar ne edhe partnerët nuk do mund të ndihmonin në ndërtimin e një reforme për një drejtësi solide, të përgjegjshme të pavarur të paanshme. E dinim se nuk do ishim ne një vit më parë, byroja e hetimit do ishte nën ministrin e Brendeshëm, se ministri i qeverisë, kryeministri do të emëronin, hetonin e largonin vetë gjyqtarët, sepse omni prezenca e ministrit ishte barbari juridike dhe shembje e plotë e standardeve europiane.
Ishim të vetëdijshëm për rolin e opozitës, bëmë atë që ju nuk e bëtë kurrë në 8 vjet dhe ndoqëm jo rrugën e lehtë të bojkotit siç bënit ju, por rrugën e vështirë, punën për konsensusin. U vetëofruam për të qenë bashkë dhe për t’i provuar shqiptarëve se ju nga dita e parë e nisët me djallëzi dhe hile këtë proces dhe se qëllimi i vetëm i reformës, ishte kapja politike. Ndaj punuam duke bërë mbi 300 rekomandime, 1000 faqe analiza e rekomandime drejtuar Venezias dhe ndërkombëtarëve, më shumë se 1000 emaile dhe shkëmbime mendimesh mes ekspertëve tanë dhe ndërkombëtarë, mijëra orë pune gjatë këtij viti.
Angazhuam Komisionin e Venecias, sepse ishte aleati më i besueshëm dhe kryesor larg qëllimeve afashkurtra dhe mbrojtësi më racional dhe i qëndrueshëm i parimeve dhe standardeve europiane për një drejtësi me gjyqtarë e prokurorë jo si ata që kemi sot, që e pëson vetëm qytetari e thjeshtë dhe opozita dhe krimi ikën në drejtim të paditur. Por për një drejtësi të aftë të përgjegjshme, llogaridhënëse, ndëshkuese ndaj krimit dhe korrupsionit, dhe të pavarur nga qeveria e radhës, të panënshtuar dhe pakontrolluar as nga Rama kryeministër, as nga Basha kryeministër.
Ishte kjo punë e jashtëzakonshme, por mbi të gjitha e sinqertë deri të çdo sekonde e opozitës, ekspertëve jashtëzakonisht profesionale të saj, që solli rrëzimin e draftit të Rilindjes plot 38 herë nga Venezia, për të kërkuar futjen e reformës Kushtetuese në shinat e standardeve europiane, duke i hequr hilet e ulta të hartuara fshehtas qytetarëve, por edhe fshehtas ju deputetëve të majtë e të djadhtë.
Më 22 korrik opozita çmontoi kapjen politike që ishte inskenuar
Në mëngjesin e 22 korrikut reforma Kushtetuese u miratua me 140 vota. Opozita arriti të çmontonte kapjen politike që ishte inskenuar. Eliminoi kapjen politike të KED, KLGJ, kapjen politike të KLP, të ILD, të KKP (vetingut). Eliminoi kapjen politike të SPAK, vendosjen e Byrosë nën hyqmin e Ramës në Ministrinë e Brendshme. Por padyshim që bëri tolerime, në favor të konsesusit, në dëm të kompetencave presidenciale, të sigurisë juridike për anëtarët e institucioneve, dhe për dhjetëra çështje të tjera si ishte dhe neni idiot për detyrimin e Presidentit që të zgjidhte brenda 5 ditëve anëtarët e KED. Ky nen e të tjerë u vendosën në tekst nga PS vetëm nga paranoja që kishin ndaj Presidentit të Republikës dhe asnjë prej tyre nuk doli të kërkonte ndjesë për këtë paranojë të turpshme që e futën implementimin e kushtetutës në kolaps.
Në të vërtetë, pavarësisht na pëlqen apo jo ligji, ky nen apo ai nen i Kushtetutës, ato duhet të respektohen, duhet të zbatohen, pa asnjë ekuiovok, zero, përfshi këtu nga qytetari i thjeshtë, tek ne140 deputetët që e votuam këtu. Dhe ky parim, zbatimi i përpikte i Kushtetutës së 22 korrikut duhet të jetë e vetmja linje qeë duhet të ecet edhe për ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi. Edhe tek projektligji i vetingut që kemi sot. Nuk ka patur asnjë dilemë, në asnjë sekondë PD për vetingun, për karantinën që duhet të vendosen gjyqtarët e prokurorët e vendit për të larguar njëherë e përgjithmonë, gjyqtarët e prokurorët e paaftë e të korruptuar. E mbështetëm në parim që para një viti pa asnjë ekuivok Vetingun dhe ndërtimin e Prokurorisë Speciale. E mbështetëm me të gjitha votat e opozitës në 22 korrik, vetingun bazuar në rekomandimin e Venecias për një proces me standarde europiane që mbante larg qeverinë dhe pushtetin nga procesi.
Vetingu sipas Rilindjes një vit më parë ishte futja në provim e gjithë gjyqtarëve e prokurorëve me një testim me gojë, përfshi testin psikologjik, të bërë totalisht nga njerëzit e Rilindjes dhe jo organe të pavarura, model ky trësisht socialist. Recidivist në llojin e vet, pasi e kishin bërë po të njëjtët njerëz të Rilindjes së sotme që në vitin 2000 ku larguan gjyqtarë dhe vendosën në krye të gjykatave, nga Shkalla e Parë e Tiranës e deri tek e Larta, ministra, ish-ministra, zëvendësministra, deputetët i bënë gjyqtarë në Gjykatë të Lartë, ministrin e bënë kryetar të Gjykatës së Lartë, kryetarin e Komisionit të Ligjeve e bënë kryetar të Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë, ministra e zëvendësministra anëtarë të KLD. Por ama të gjithë këta Sali Berisha i respektoi në mandate deri ditën e fundit edhe pse nuk e meritonin një minutë me përjashtim të Ilir Pandës që vërtet qendroi i ekulibruar deri ditën e fundit të mandatit. Ky model i rilindjes që gjendej në rajon vetëm tek si motra e saj serbe që e kishte zhvilluar testimin me gojë këtë 2 vjet më parë dhe kish dështuar plotësisht. Të njëjtin model Rilindja kish përcaktuar edhe për njësitë antikorrupsion të cilat në mënyrën më absurde të imagjinueshme do ishin nën ministrin e Brendshëm. Ministri i Brendshëm që do hetonte ministrat e tjerë. Paradoks total. Po aq paradoksal ishte dhe propozimi i një modeli që paraqiti Ukraina në Venecia me një parashikim iluminist që të shkarkonte gjithë gjyqtarët e prokurorët e t’i emëronte nga e para. Propozim që mori përgjigjien e merituar nga Komisioni i Venecias.
E vërteta mbi procesin e Vettingut

Padyshim që Vetingu, karantina për gjyqtarët e prokurorët ashtu siç është përshkruar në Kushtetutën e 22 korrikut pas rrëzimit në 38 herë të drafteve të qeverisë është një masë e rëndësishme për të vendosur besimin e qytetarëve tek gjyqtarët e prokurorët. Ne kemi mbështetur hapur qëndrimin e Komisionit të Venecias se Vetingu është një proces jo i zakonshëm, i rrallë, por i nevojshëm për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të paaftë dhe të kapur politikisht e të nënshtruar dhe për t’i ndarë ata nga gjyqtarët e prokurorët e ndershëm, të pavarur dhe jo shërbëtorë politikë të qeverisë. Por në këtë proces thotë Venecia ka një rrezik potencial që krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që ka pushtetin (paragrafi 97-128 i Venecias). Ndaj Venecia kërkoi 2 kushte: pavarësi të institucioneve të reja që do bëjnë vetingun, standarde europiane gjatë spastrimit të drejtësisë. Ky proces i përkohshëm do të përfshinte tre kompomente:
kontrolli i pasurisë
kontrolli i figurës
kontrolli i aftësive profesionale.
Do të bëhej institucione krejtësisht të reja, që do kryenin përkohëesisht këtë proces dhe do të kishin pushtetin ekskluziv për të kaluar në karantinë gjithë gjyqtarët e prokurorët e vendit dhe të ndanin njëherë e mirë shapin nga sheqeri, llumin nga të pastrit e të ndershmit, të pavarurit nga të nënshtruarit politik. Ky ishte konsesusi i 22 korrikut për Vetingun në Kushtetutë sipas nenit 179 të saj. Vetingun duhet ta bëjnë eksluzivisht organet e reja, organet e reja tërësisht të pavarura nga Rama, Basha apo Meta, Procesi të bëhej brenda standardeve europiane të Konventës Europiane.

Tre pikat pse Ligji për Vettingunështë antikushtetues

Por ku jemi sot? Ligji i sotëm vjen këtu pa konsesusin e opozitës. Ai është në shkelje totale të Kushtetutës së 22 korrikut. E kthen përmbys Kushtetutën duke e kthyer procesin e vetingut tërësisht në favor të një mazhorance politike. Dhunon standardet europiane dhe Konventën dhe si i tillë ose duhet të ndryshohet sipas amendamenteve të opozitës.
Po përse ky draft bie në kundërshtim me Kushtetutën e re
Së pari, Vetingun duhet ta kryejnë Komisioni i vetingut që do krijohet sipas Kushetutës, por anëtarët e Komisionit të Vetingut, një komision i konceptuar si i pavarur që do ketë pushtetin për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar e të paaftëe, sipas nenit 24 të këtij ligji do teë jenë nën monitorimin e plotë të kujt thoni ju? Të Edi Ramëes. Anëtarët e komisionit do t’i monitorojë Drejtori i DPPP që është një Alket Hyseni, kryetar i Komisionit të Garancive Statutore në PS. Kaq më mjafton. Tani si mendoni ju, është në përputhje me Kushtetutën që sekretari i partisë të kontrollojë anëtarët e Komisionit të Vetingut që do pastrojë gjyqtarët dhe që ky komision të jetë i pavarur pastaj?? Po as i PD nuk mund të jetë nesër, se kjo është barbari, është paradoks. Këtë e kupton edhe vajza ime 10 vjeç, nuk ka nevojë fare për super ekspertë, që të na mbushin mendjen, le pastaj edhe klithmat e Kryeministrit se medemek ekspertët europianë ngulin këmbë që ky Alket Hyseni duhet të kontrollojë anëtarët e Vetingut, dhe mqse ne qenkemi kundër kontrollit të tyre nga një sekretar partie, ne të PD qenkemi kundër BE dhe SHBA. Po ka njeri me mend që e pranon këtë? Kjo e ka të shkruar në ballë. Çfare duhet të bëjë opozita? Ti thotë aferim kryeministrit që kërkon të kontrollojë tërësisht Komisionin e Vetingut? Askush nuk duhet ta shkojë nëpërmend që opozita këtu apo gjetkë, opozita e sotme apo e nesërme t’i thotë po një percaktimi tëe tillë.
Së dyti, ne kishim rënë dakord në 22 korrik se vetingun, kontrollin e pasurisë, kontrollin e njohurive dhe kontrollin e figurës për gjyqtarët do ta bënin eksluzivisht Komisioni i Vetingut. Këtë thotë neni 179 e vijues i Kushtetutës. Kurse p/ligji i njëanshëm që keni sjellë vendos rol aktiv dhe përcaktues organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), që padyshim pasjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit duke lënë jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vettingut. Ky fakt, bie ndesh me pikën 5, të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të Nenit Ç të Aneksit të Kushtetutës.
Së treti, dhe më paradoksi sigurisht është kontrolli i figurës së gjyqtarëve e prokurorëve në kreu V. Për të gjithë qytetarët, por dhe për ju kolegë që nuk e keni lexuar ndoshta, gjyqtarët largohen nga detyra automatikisht, pavarësisht nëse janë ose jo të pasur, janë ose profesionistë, janë ose jo të korruptuar apo të ndershëm, të gjitha këto nuk kanë rëndësi, mjafton që të ekzistojë një foto e një gjyqtari apo prokurori me një person që ka qenë i denuar, gjyqtari apo prokurori ikën nga detyra. Mjafton që sipas nenit 34 të ketë një dëshmitar që të thotë se ka parë në filan lokal një gjyqtar apo një prokuror me një person që është dënuar, është i padënuar por i është ngritur akuzëetj, vetëm me këtë dëshmi gjyqtari e prokurori nga Gjykata Kushtetuese e deri tek Gjykata e Shkallës së Parë e ndërpret karrierën. Dhe më paradoksi është se këtë nuk e bën Komisioni i Vetingut që supozohet të jetë i pavarur sipas Kushetutës, por këtë e bën një grup pune me anëtarë:
Drejtori i SHPCB e ministrit të Brendshëm, drejtori i Edi Ramës për informacionin e klasifikuar të dy emërime politike, njerëz të lidhur kokë e këmbë me Partinë Socialiste. Këta drejtorë të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit sipas nenit .. do mblidhen dhe do thonë se gjyqtari x apo y duhet të ikë nga detyra jo se është i korruptuar apo i paaftë por se këta, drejtorët e Edi Ramës medemek paskan foto dhe dëshmitarë se i paskan parë me njerëz të papërshtatshëm dhe duhet të largohen se ky medemek është standard europian.
Ky kapitull që vendos gjyqtarët e prokurorët nga më i thjeshti deri tek Gjykata Kushtetuese e Prokurori i Përgjithshëm nën vlerësimin e drejtorëve të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm është barbari juridike, antikushtetuese pasi bie ndesh me nenet 179 e vijues dhe dhunon standardet europiane për një gjykim të drejtë e të provuar në procesin e vetingut. Ky proces i largimit të gjyqtarëve e prokurorëve bazuar në foto e dëshmi të mbledhura nga drejtorët e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës është skandaloz, i papranueshëm, është selektiv dhe absurd. Ky jo vetëm që nuk është standard europian si thotë Venecia dhe të paktën 8 herë në këto 10 vjet Gjykata e Strasburgut për largimin e gjyqtarëve, por është sa qesharak aq edhe meskin për ne që kërkohet ta miratojmë.
Po ja ku jemi ne këtu. Na fotografoni, keni fotografi më të mirë? Ne bashkë me të dënuarit për trafik ndërkombëtar droge, ne bashkë me të dënuarit për trafik prostitucioni, grabitje. Merrni fotot tani ju të medias dhe 3 milionë shqiptarë që na dëgjoni dhe nëse është standard për ju, na largoni të gjithëve, edhe ata që janë trafikantë dhe ne që rrimë me trafikantë, bëni vetingun e këtij lloji fare thjeshtë duke u nisur nga fotot e kryeministrit me trafikantët që i bëri kryetar bashkie dhe deputetë që i solli këtu. Të shpëtojë Parlamenti njëherë nga ky veting pastaj nëse ky është standard europian ta bëjmë edhe për gjyqtarët e prokurorët. Nëse një letër apo fotografi e një drejtori të ministrit të brendshëm që prokurori apo gjyqtari janë parë në një kafe me një ish-të dënuar, mjafton, që të ikin nga detyra, atëherë të ikim e shporremi ne të parët nga kjo sallë, sepse dëshmitarë kemi 3 milionë shqiptarë se si ne rrimë me trafikantë këtu në zemër të Parlamentit dhe kemi kryetarë bashkie trafikantë.

Gjyqtari apo prokurori nuk mund të shkarkohen nga drejtori i Ramës
Ky është standardi i dyfishtë që përdor kryeministri edhe tek ky projektligj dhe nuk ka ekspert që të thotë se gjyqtari apo prokurori duhet të largohen nga detyra me letra, foto apo dëshmi të mbledhura nga drejtori i Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Nuk ka ekspert që të thotë se gjyqtarët e Krimeve të Rënda, prokurorët e Krimeve të Rënda, Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në një republike parlamentare duhet të kontrollojë drejtori i ministrit të Brendshëm kushdo qoftë ai sot apo nesër, apo drejtori i kryeministrit, sot apo nesër. Dhe le pastaj kur dëgjon dhe Edi Ramën që thotë se medemek meqenëse ne opozita qenkemi kundër kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga drejtori i ministrit të Brendshëm dhe drejtori personal i Edi Ramës, ne qenkemi kundër BE dhe kundër SHBA se medemek BE dhe SHBA ngulkan këmbë se kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve duhet doemos ta bëjnë vetëm drejtorët e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës.
Po çfarë kujton ju se opozita do i bëjë aferim Kryeministrit?
Le të dalë këtu e të na thotë kushdo se qenka standard europian që drejtorët e ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit të kontrollojnë gjyqtarët e prokurorët. Dhe se kështu paskan dash edhe qytetarët reformën. Jo absolutisht. Qytetarët kanë kërkuar që të largohen gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë që nuk e justifikojnë pasurinë e tyre. Këtë proces qytetarët duan ta bëjnë shpejt, por duhet ta bëjnë jo organet që janë sot e gjithë ditën dhe kanë dështuar, nuk duan ta bëjnë as Edi Rama sot e as Lulzim Basha nesër kryeministër, por duhet ta bëjnë organe të pavarura nga politika dhe qeveria para së gjithash. Këtë përcakton qartë Kushtetuta në nenit 179 dhe anekset e saj, dhe çdo devijim do e bënte antikushtetues ligji. Do e bënte ligjin të pavlerë, nul dhe do të dështonte Reformën në Drejtësi, në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën formë siç dështoi Byroja Kombëtare e Hetimit që do ndëshkonte gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë të korruptuar. E mbani mend propagandën 1 vit më parë. Çfare nuk do bënte Byroja, por Rama e donte nën vehte, nën ministrin e Brendshëm që t’i hetonte korrupsionin e qeverisë së tij. Paradoks total, që dështoi edhe pse u bë me arrogancë njëlloj siç bëhet sot, me injorim të plotë të konsensusit dhe standardeve europiane, njëlloj si po bëhet sot, me qëllim për ta patur nën vehte gjithë procesin, njëlloj siç bëhet dhe sot. Dhe ja ku jemi pas një viti sot, BKH që do hetonte të paprekshmit që e donin shqiptarët, nuk dështoi se e kishte fajin populli, por se kështu e donte Edi Rama.
Opozita do ndjekë rrugën në mbrojtje të Kushtetutës
Opozita e ka dhënë votën e saj 100% në 22 korrik për procesin më të thellë kushtetues dhe sipas standardeve europiane për pastrimin radikal të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të paaftë dhe të kapur politikisht, të njohur si veting. Projektligji i sjellë sot nga qeveria është jashtë çdo konsensusi, çdo standardi europian dhe i bie dhunon Kushtetutën e vendit. Kryeministri kërkon që pastrimin e drejtësisë, kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve ta bëjë ai me ministrat dhe drejtorët politikë dhe opozita e vendit, siç do opozitë në çdo vend demokratik nuk mund të pranojë kapjen politike të këtij procesi. Ky projektligj dhunon hapur Kushtetutën e 22 korrikut dhe miratimi i tij në mënyrë të njëanshme, pa konsensus rrezikon dështimin e reformës, për të cilin fajtor njëlloj si tek Byroja e Hetimit do të jetë një njeri Edi Rama. Opozita nuk do e votojë një projektligj pa konsensus që dhunon Kushtetutën dhe standardet europiane. Opozita do ndjekë rrugë në mbrojtje të Kushtetutës së 22 korrikut për një Reformë në Drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj Kushtetute dhe bazuar në standardet më të mira euroatlantike.

Artikulli paraprakRekordi i Velinës, 864 punonjës në Ujësjellës, militantët e PS mbysin administratën
Artikulli tjetërShtatori i fundit i Ramës në pushtet!