Fatos Lubonja
Në të njëjtën ditë kur mësuam se Kryeministri ynë, pasi ka mbyllur me nxitim mbledhjen e qeverisë, paska marrë një helikopter Vlorë– Rinas dhe pastaj një çarter Rinas-Torino për të parë ndeshjen Juventus- Lazio e për të bërë një fotografi me Ronaldon, mësuam edhe se qeveria na paska vendosur të bëhet zgjidhëse e krizës Itali- BE rreth emigrantëve të anijes “Diciotti”. Ajo paska vendosur të marrë në Shqipëri 20 nga 170 emigrantët e lënë në det nga ministri i Brendshëm italian Salvini, ndaj të cilit, për këtë, Prokuroria e Agrigentos ka lëshuar akuzën për sekuestrim personash.
Salvini ishte i pari që e dha lajmin, duke falënderuar Shqipërinë, të cilën ia kundërvuri një Europe që “fa schifo” (të bën për të vjellë) sipas tij. “Bravo Albania”, – thanë shumë italianë. Por, po të dëgjosh analistë që flasin për krizën e shkaktuar nga Salvini, shumica pajtohen në mendimin e Europës se Italia nuk ka një alarm emigracioni, sepse zbarkimet në brigjet italiane janë ulur shumë, se ka shumë më tepër zbarkime në Greqi dhe në Spanjë – duke shtuar se këtë alarm Salvini e ka si kalë beteje elektorale. Rastin në fjalë, sipas së përditshmes “Il Fatto Quotidiano”, ai e përdori për t’i rrëmbyer skenën mediatike partnerit kundërshtar në qeveri, Cinque Stelle, që ia kishte rrëmbyer me rastin e tragjedisë së urës “Morandi” në Genova. Analistët seriozë italianë thonë po ashtu, se alarmet e vërteta të Italisë janë të tjera nga alarmi emigracion; janë alarme që kërkojnë një punë serioze të qeverisë dhe jo fushata elektorale permanente, që mbulojnë paaftësinë për t’u marrë seriozisht me alarmet e vërteta dhe për t’i zgjidhur ato.
Dhe ja ku dalim te Kryeministri ynë dhe vendi ynë. Po ai, pse e mori dhe si e mori këtë vendim? Italianët jo, por ne që e njohim siç njohin ata Salvinin, e dimë se e mori për të mbuluar alarmet e vërteta që ka Shqipëria, ndër të cilët, paradoksalisht, kryesori lidhet me faktin se në qeverinë Rama, që po pret emigrantë, numri i shqiptarëve që braktisin vendin ka një rritje dramatike. Ashtu
si Salvini, edhe ai po manipulon me dramën e emigrantëve eritreas. Por midis manipulimeve të Salvinit dhe atyre të Ramës ka një
diferencë interesante. Salvini manipulon drejt, Rama me spond. Salvini synon të manipulojë italianët kundër Europës, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e akumuluara prej tyre gjatë viteve sikur fajin ua ka Europa, kurse Rama synon të manipulojë italianët dhe europianët për të manipuluar pastaj shqiptarët sipas parimit: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët.
Ç’kuptoj me këtë? Duke ndjekur në “Facebook”-un e ministrit Bushati komentet e lajmit, nuk mund të mos të të binte në sy ndarja midis italianëve dhe shqiptarëve. Italianët falënderonin për solidaritetin, kurse shumica e shqiptarëve e konsideronin një akt “hipokrizie”. Një komentues shkruante: “Nuk bën fare sens logjik që ju të ofroni ndihmë për emigrantët e huaj, ndërkohë që me dhjetëra bashkëkombës lënë Shqipërinë çdo ditë. Dhe mos thoni se ata e lënë Shqipërinë nga zgjedhja e tyre personale. Ju e dini shumë mirë se ata ikin sepse Shqipëria ua ka këputur shpresat me të madh e me të vogël, sepse kanë një të ardhme të pashpresë e të mbytur me skamje, shtypje e padrejtësi”.
Një tjetër i përmendte Bushatit fëmijët shqiptarë, që prindërit i braktisin qëllimisht në Itali dhe që po i mbajnë Caritaset italiane, duke i bërë thirrjen: “Lëri fasadat e shikoje realitetin në sy… mos u bëni gazi i botës!” Ishin të shumta edhe komentet e papranueshme raciste kundër sjelljes në Shqipëri të të zinjve, dhe, duke e ditur se shqiptarët janë më racistë se italianët në këtë drejtim, nuk është vështirë të mendosh se jashtë “Facebook”-ut këta janë edhe më të shumtë. Megjithatë, Rama nuk e përfill elektoratin që përfaqësojnë gjithë këta komentues.
Si ka mundësi, do të pyeste dikush. Sepse Edi Rama vazhdon të aplikojë parimin: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët, të cilin e ka çuar në shkallën më të lartë të suksesit. Ai vazhdon të mendojë se kompleksi i inferioritetit të
provincialit, kombinuar me mungesën e besimit në institucionet dhe elitën e vendit, i bën shqiptarët të përulen përpara vlerësimit të të huajve, i bën kundërshtarët të mbyllin gojën dhe dyshuesit të anojnë nga zgjedhja ndërkombëtare. Kështu, ai mendon se ky akt do të ushqejë imazhin, për të cilin ka kohë që punon në Itali, se nga vend eksportues emigracioni, Shqipëria është kthyer në vend pritës emigracioni (madje dhe italianësh).
Të nesërmen e lajmit, “Corriere della Sera” vërtetoi se ky manipulim funksionon, paçka se mediat franceze, gjermane, holandeze e jo vetëm kanë kohë që shkruajnë për azilkërkuesit e panumërt shqiptarë në rritje (Che schifo da vero këto mediat italiane). Pastaj, imazhi i rremë i Shqipërisë që ka ndryshuar mund ta ndihmojë në hapjen e negociatave dhe gjithë ky vlerësim do t’i mbulojë alarmet e vërteta të Shqipërisë, të cilat manipulatori jo nuk mund, por nuk do t’i zgjidhë, pasi zgjidhja e tyre kërkon largimin e tij dhe të njerëzve të krimit rreth tij nga pushteti.
A do të ketë sukses manipulimi me këta gjynahqarë që, në vend se në Perëndim, do ta shohin veten në një nga vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet Perëndimore (që tani do të kenë një motiv më shumë për t’i kthyer azilkërkuesit shqiptarë), më raciste ndaj të zinjve dhe krejt jashtë standardeve europiane? Ndoshta edhe po, por edhe dyshoj sepse më duket se qoftë brenda, qoftë jashtë vendit “rrogozi” i Ramës: ‘manipulo ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët’, po fut shumë ujë, shumë.
Megjithatë, kur prek të prapmet, Kryeministrit i dalin gjithmonë të thata. Kështu i thonë edhe të gjitha ata që ka përreth, që edhe pse i shohin njollat e ujit gjithandej, nxitojnë t’ia “thajnë”, sepse interesi i tyre është i lidhur ngushtë me mbajtjen e kësaj gënjeshtre dhe këtij manipulatori në këmbë. Përndryshe, nuk do të merrte guximin për të marrë vendime të tilla me po atë guxim papërgjegjshmërie, që e bën t’i duket normale të marrë helikopterin dhe pastaj çarterin për të parë ndeshjen Juventus-Lazio dhe për të bërë një foto me Ronaldon.