Pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në kuadër të zgjedhjeve të viti 2021, kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim të shkurtër për gazetarët.
Kryeministri rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e tij se do të votojë në Kuvend paketën antishpifje, sapo të ketë përfunduar reflektimi në të i rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Antishpifja do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë sapo të jetë përfunduar reflektimi në të i Komisionit të Vendecias”.
I pyetur në lidhje me progres raportin e BE-së për Shqipërinë, Rama tha se ai ende nuk e ka lexuar, ndërkohë që shtoi se nesër do presë komisionerin dhe do të diskutojë.
‘Ndoshta s’keni faj se i vetmi lajm për të ardhmen vjen nga PS. Të gjitha të tjerat janë o lajme shumë të vjetra, ose burime të thara informacioni. Ne vazhdojmë punën, diskutojmë për gjendjen në të gjitha aspektet në çdo komunitet. Jemi në procesin e një ndërveprimi të ri me anëtarësinë që ka filluar të marrë ato kodet dixhitale për të dhënë vlerësimin për deputetët e qarkut. Pas pak ditësh do të dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat që do të jetë edhe përtej anëtarësisë. Ata që do të jenë të interesuar, do të mund të hyjnë për të bërë investim. Ndërkohë përgatisim hapin e tretë që është ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar PS në parlament’, ka thënë Rama.
I pyetur nëse janë përzgjedhur kandidaturat që do të votohen të premten, Rama u përgjigj se, ‘nuk do flas sot për atë që do ndodhe të premten, se deri atëherë ka shumë kohë përpara’.