Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Albana Vokshi denoncoi mbylljen e një portali satirik që tallte atë dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Vokshi tha se në pak orë, AKEP me urdhër të kryeministrit Rama ka mbyllur në mënyrë të paligjshme portalin që vinte në lojë Ramën dhe Ministrin e Brendshëm.
Vokshi: Para disa ditësh në mënyrë skandaloze, flagrante, me urdhër direkt të kryeministrit është mbyllur një portal satirik kryeministri.al
Brenda disa orësh, AKEP ka marrë urdhrin nga punonjësit e Kryeministrisë dhe e ka mbyllur nënyrë të paligjshme këtë portal satirik vetëm se vinte në lojë kryeministrin, ministrin e brendshëm apo emërimet e kryeministrit për Ministër të Brendshëm duke paraqitur dhe disa kritere satirike.
Të gjithë ne duhet të reagojmë, nuk duhet të censuroni, nuk mundet të censuroni, është flagrante dhe e papranueshme që kryeministri të japë urdhër dhe AKEP të mbyll në mënyrë të paligjshme një portal vetëm sepse u tall me Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm.
Ndërkohë, dhunimi i kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike” nga policia në protestën e opozitës të shtunën dominoi mbledhjen në Komisionin e Medias, duke shkaktuar debat mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ftoi kolegët e PS ta firmosin një deklaratë përmes të cilës dënohet dhunën ndaj Kasmit, por deputetët e PS refuzuan të dënojnë dhunën ndaj gazetarit.