Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi të hënën në një njoftim për shtyp se një person i dytë u deklarua fajtor për rolin e tij në transferimin e 80 mijë dollarëve nga një “burim i huaj” drejt komitetit të ngritjes së fondeve për fushatën presidenciale të vitit 2012 të presidentit Barack Obama. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Ëilliam Argeros, 57 vjeç e deklaroi veten fajtor përballë gjyqtares Madeline Cox Arleo të distriktit të Nju Xhersit, mbi një informacion që e akuzonte atë se kishte bërë donacion të huaj me “vetëdije dhe dashje”, duke gjeneruar 25 mijë dollarë ose më shumë brenda një viti kalendarik për komitetin e mbledhjes së fondeve si dhe për deklaratë të rreme përpara Jurisë së Madhe. Vendimi për Ëilliam Argeros do të jepet më 9 Nëntor nga gjyqtarja Arleo. Sipas marrëveshjes së pranimit të fajësisë së dorëzuar në gjyq, Argeros pranoi se në shtator 2012 ai lehtësoi transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj tek Bilal Shehu- një qytetar amerikan me banim në Nju Xhersi. Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë më tej se Shehu i dorëzoi paratë në komitetin e autorizuar të ngritjes së fondeve-në përpjekje për të fshehur origjinën e parave si dhe për të mundësuar pjesmarrjen e një shtetasi të huaj në aktivitetin e datës 8 tetor 2012 në San Francisko. Argeros pranoi gjithashtu se u kishte dhënë këshilla individëve të huaj mbi mënyrën e transferimit të parave si dhe të dorëzimit të tyre në komitetin e mbledhjes së fondeve. Ligjet federale u ndalojnë shtetasve të huaj të bëjnë donacione për kandidatët amerikanë apo komitetet e ngritjes së fondeve gjatë fushatave elektorale. Ëilliam Argeros është personi i dytë që pranon fajin lidhur me donacionin e paligjshëm të 80 mijë dollarëve, që dyshohet se u pagua për realizimin e një fotografie të presidentit amerikan, Barack Obama me kryeministrin Edi Rama, asokohe në opozitë. Në 29 qershor, Bilal Shehu pranoi gjithashtu fajësinë në transferimin e 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj drejt komitetit të mbledhjes së fondeve për fushatën presidenciale të vitit 2012. Çështja u hetua nga FBI, ndërkohë që asnjë anëtar i komitetit të mbledhjes së fondeve nuk u akuzua për ndonjë shkelje. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, anëtarët e komitetit kanë bashkëpunuar ngushtësisht me hetuesit. Në vitin 2013, një kongresmen republikan e identifikoi ngjarjen dhe bëri thirrje për hetime mbi blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për një aktivitet për mbledhje fondesh në San Francisko në tetor 2012. “Në aktivitetin e tetorit 2012, Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Obamën,” shkruajti agjencia e lajmeve, Reuters. Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër. Prokurorët thanë se biznesmeni Shehu, banor në Nju Xhersi, shkoi në San Francisko dhe u përpoq të hyjë në aktivitetin për grumbullimin e fondeve me nënshtetasin e huaj, por këtij të fundit iu refuzua hyrja. Gjithsesi, nënshtetasit të huaj, (Ramës) iu dha mundësia të fotografohej me Obamën.
BIRN
Bloomberg: Tre institucione në hetimin e skandalit
Një burrë nga Tampa e Floridas pranoi se kishte ndihmuar në fshehjen e një donacioni gjatë fushatës elektorale të Presidentit Obama të vitit 2012. Më parë ai e kishte gënjyer jurinë nën betim. “Ai u deklarua fajtor pasi kishte hedhur në fushatën e Presidentit Obama 80 mijë dollarë nga një burim i huaj”, njoftoi prokurori amerikan, Paul J. Fishman dhe ndihmësprokurori i Përgjithshëm, Leslie R. Caldwell nga Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë. William Argeros, 57 vjeç, u deklarua fajtor para gjyqtarit të Distriktit Newark, Madeline Cox Arleo, në lidhje me akuzën se ai kishte futur donacione të huaja, mbi 25 mijë dollarë për një vit kalendarik, në fushatën presidenciale me vetëdije dhe në mënyrë të qëllimshme. Argeros u deklarua fajtor gjithashtu për dhënie të deklaratave të rreme me vetëdije përpara një jurie federale në lidhje me rolin e tij në lehtësimin dhe fshehjen e kontributit të huaj. Sipas dokumenteve të paraqitura në këtë rast dhe deklaratat e bëra në gjykatë rezulton se: Argeros ka pranuar se në shtator 2012, ai e ka lehtësuar transferimin e 80.000 dollarëve nga një burim i huaj për Bilal Shehun, një qytetar amerikan që jeton në New Jersey, i cili, nga ana tjetër, ia dha këtë shumë komitetit të mbledhjes së fondeve – përfshirë komitetin e fushatës të Presidentit – në një përpjekje për të fshehur origjinën e vërtetë të parave, me qëllim që shtetasi i huaj të merrte pjesë në fushatën elektorale të Obamës më 8 tetor 2018 në San Francisko. Argeros pranoi gjithashtu se u kishte dhënë udhëzime individëve të huaj se si t’i transferonin paratë dhe i ndihmoi të bënin pagesën në komitetin e përbashkët të mbledhjes së fondeve. Ai pranoi se më 18 shkurt 2015 gënjeu jurinë e New Jersey nën betim, duke thënë se nuk ishte marrë pjesë në transferimin e parave pranë komitetit të përbashkët të mbledhjes së fondeve. Ligji federal ndalon të huajt që të bëjnë kontribute për kandidatët federalë apo pranë komiteteve të mbledhjes së fondeve. Bilal Shehu u deklarua fajtor për të njëjtën akuzë më 29 qershor 2016. Të dy akuzat për të cilat Argeros u deklarua fajtor parashikojnë dënimin maksimal prej 5 vjetësh dhe një gjobë prej 250.000 dollarësh. Dhënia e vendimit është caktuar për më 9 nëntor 2016. Askush në komitetin e përbashkët për mbledhjen e fondeve nuk është akuzuar për ndonjë keqbërje dhe komisioni ka bashkëpunuar plotësisht në hetimin që çoi në shpalljen fajtor të Argeros. Prokurori dhe ndihmësprokurori i Përgjithshëm, Caldwell Fishman ngarkuan agjentë specialë të FBI-së, nën drejtimin e agjentit të veçantë Timothy Gallagher në Newark, me hetimet që çuan në shpalljen fajtor të ditës së djeshme. “Qeveria është e përfaqësuar nga ndihmësprokurori Mark J. Mçarren i Prokurorisë Speciale të Divizionit të New Jersey dhe avokatët Charles Walsh dhe Peter Halpern të Divizionit Kriminal të Seksionit të Integritetit Publik. Avokati mbrojtës: John A. Azzarello”, thuhet në njoftimin zyrtar të Departamentit amerikan të Drejtësisë për këtë çështje. Në Shqipëri, opozita ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se qëndron pas pagesës së 80.000 dollarëve. Ai, sipas opozitës, është personi që përfitoi nga dhënia e këtyre parave, pasi bëri një foto me Presidentin Obama në tetor 2012 në San Francisko, ku Presidenti i SHBA gjendej në një takim elektoral për mbledhjen e fondeve dhe e përdori foton për fushatën elektorale të vitit 2013 në Shqipëri. Sipas opozitës, Rama ka tentuar të hyjë në takim me një biletë të blerë në emër të gruas së Bilal Shehut, por nuk është lejuar. Disa media të huaja raportuan se pavarësisht se shtetasi i huaj nuk u lejua të merrte pjesë në takimin për mbledhjen e fondeve, pasi këtë e ndalon ligji federal, ai arriti të bënte një foto me Presidentin Obama. Opozita e ka paditur Ramën në Prokurori për tri akuza në lidhje me këtë çështje. Ajo i ka kërkuar atij të tregojë burimin e parave, duke i lidhur ato me të ardhura nga aktivitetet kriminale të trafikut të drogës. Kryeministri Rama, nga ana e tij, ka mohuar që të ketë marrë pjesë në takime elektorale të Presidentit Obama. Por ndryshe nga sa deklaroi pasi u akuzua nga opozita, pak muaj pasi bëri foton, në emisionin “Top Story” ai kishte pranuar se foton me Presidentin Obama e kishte bërë në San Francisko gjatë një aktiviteti elektoral të Presidentit Obama. Hetimet e mëtejshme të FBI pritet të zbulojnë personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë, nga ku erdhën paratë dhe kush ishte porositësi dhe përfituesi.
Rama ka konsumuar 3 vepra penale
Dy janë faktet e reja që sjell media botërore në lidhje me përfshirjen e Ramës në financimin e jashtëligjshëm të një takimi elektoral të Presidentit amerikan. Një biznesmen grek, William Argeros, me qendrim në Kaliforni ka ndihmuar në kalimin e 80 mijë dollarëve tek Bilali i Ramës, i cili siguroi biletën për shefin e rilindjes. Dhe fakti tjetër është se mediat e Washingtonit dhe e Brukselit ka vënë tashmë emrin Edi Rama, si burimi i 80 mijë dollarëve. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma deklaroi dje se Rama përmes këtij akti ka konsumuar tre verpa penale. “Pra, shtetasi i huaj numër 2, siç e cilëson FBI, ka emër. Ai është Edi Rama dhe qendrat më të rëndësishme të opinionit publik në Bruksel e Washington e tregojnë me gisht. Megjithëkëto fakte tronditëse, që e nxjerrin fare hapur si financues të një krimi të rëndë federal, pasi SHBA ndalon rreptësisht futjen e parave në fushatë nga burime të huaja, Edi Rama, sërish hesht. Nuk jep asnjë shpjegim, ku i mori 80 mijë dollarët që pagoi për foton me Obamën. Cili është burimi? A janë para të ligjshme apo janë para krimi, para droge, para trafiku, të ngjashme me ato që përdori për të ardhur në pushtet? Në vend se të bëjë transparencë, edhe sot ka zgjedhur sulmin ndaj opozitës, sulmin ndaj institucioneve. Ka rritur presionin ndaj Prokurorisë, pasi prej 1 muaji aty gjendet një kallëzim penal i Partisë Demokratike për 80 mijë dollarët e fotos së financuar me para të dyshimta. Edi Rama ka konsumuar të paktën 3 vepra, ndikim të paligjshëm, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të parave. Është kjo arsyeja që ai donte të kapte patjetër drejtësinë. Krime si këto që Rama i ka kryer çdo javë në këto 3 vite, ishin motivi i tij për të nënshtruar prokurorët e gjykatësit. Por ai dështoi dhe dështoi edhe përpjekja e tij për t’u bërë i paprekshëm, për të mbyllur dosjet. Shqipëria do të ketë drejtësi të standardeve europiane dhe ky do të jetë fundi i Ramës dhe i sundimit të tij të korruptuar e kriminal” u shpreh Duma në fjalën e saj.
“Politico”: Rama pagoi ilegalisht 80 mijë dollarë për një foto me Obamën
Mediat më të rëndësishme të botës, nga “Bloomberg” në SHBA tek “Politico” në Bruksel, kane nxjerrë fakte të reja për krimin federal të pagimit të 80 mijë dollarëve për foton e Ramës me Obamën. Mediat amerikane kanë bërë artikuj të shumtë gjatë ditës së hënë dhe ditës së martë në lidhje me hetimet që po zhvillohen në SHBA për fotografinë e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin amerikan, Barack Obama. Dje një person i dytë greko-amerikan ka pranuar se është i përfshirë në këtë ngjarje dhe ka pasur gisht në fondin prej 80 mijë dollarësh. Ai tha para hetuesve se së bashku me shqiptaro-amerikanin, Bilal Shehu pranuan të merrnin fondin prej 80 mijë dollarësh nga një burim i panjohur për ta dhuruar në formë donacioni për fushatën presidenciale të Obamës në vitin 2012. Media amerikane “Politico” shkruan se këto para mundësuan edhe pjesëmarrjen e Edi Ramës në mbrëmjen e mbledhjes së fondeve për Obamën, ku bëri një fotografi me Presidentin amerikan, e cila e ndihmoi të fitonte zgjedhjet parlamentare një vit më pas në Shqipëri. “William Argeros tha se kishte bashkëpunuar me shqiptaro-amerikanin Bilal Shehu për të marrë 80 mijë dollarë nga një burim i huaj dhe për të dhënë donacion për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012. Shuma e parave u përdor për të marrë Kryeministrin shqiptar Edi Rama në një mbledhje fondesh për Obamën në San Francisko. Rama më vonë përdori edhe një foto me Obamën dhe më pas fitoi zgjedhjet parlamentare. Prokurorët shqiptarë po hetojnë Ramën për donacione të paligjshme në SHBA, por asnjë akuzë nuk është ngritur kundër tij në Shqipëri apo në SHBA”, shkruan “Politico”. Edhe media prestigjioze “Bloomberg” përmend emrin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, si personin që pagoi 80 mijë dollarët për të bërë një foto me Obamën. Kjo agjenci i referohet një shkrimi të “Associated Press”, e cila nga ana e saj citon akuzat e opozitës shqiptare. Edhe media të tjera amerikane i kanë kushtuar rëndësi të madhe këtij skandali që po nxjerr në dritë të tjera detaje nga hetimi, duke sfumuar madje edhe konventën e demokratëve në SHBA, ku Hillary Clinton zyrtarizohet kandidatja e tyre për Presidente të SHBA-së. Në këtë konventë të demokratëve amerikanë ndodhen edhe Lulzim Basha e Ilir Meta, por jo Edi Rama.
Dëshmia e Bilal Shehut para hetuesve në SHBA dhe pranimi i fajësisë
“Zëri i Amerikës” zbardhi pak kohë më parë dëshminë e dhënë nga Bilal Shehu. VOA ka mësuar se fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria. Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të Presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me Presidentin Obama. Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus të Nju Xhersit, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.
I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:
1. Gjatë ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga personi i Huaj 1 dhe kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?
2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?
3. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh në atë datë?
4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, një jo shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?
5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo shtetas?
6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me shtetasin e Huaj 2 në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në aktivitet të shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?
7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?
8. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal, si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në aktivitetin e San Franciscos?
9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
10. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?
12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për shtetasin e Huaj 2?
13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej aktiviteti për Mbledhje Fondesh?
14. A iu mohua shtetasit të Huaj 2 hyrja në aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?
15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?
16. A jeni fajtor për akuzën e ngritur në informacion?