Rama më xhelat se varjet në litar të Kristaqit

Ish-Kryeministri deklaroi dje në Parlament se, PD në pushtet ndërmori të gjitha vendimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, ndërsa i kujtoi Ramës varjen në litar të poetit Havzi Nela nga i ati i tij Kristaq Rama. Berisha kujtoi se krimet e komunizmit nuk u dënuan në Europën Lindore për shkak të lobimit të fuqishëm që bëri Xhorxh Soros, i cili ka pasur si qëllim riciklimin e pinjollëve të atyre krimeve.
“Gjykoj se përpjekja e atij që ja mbathi (Ramës), dhe jeni të sigurt që do ja mbathi, dhe të jeni të sigurtë po s’ja mbathi ky në qershor, por tani unë duhet të bëj disa sqarime. Meqë ai nuk tha qoftë dhe një fjalë të vetme për dhjetëra fakte, dokumente që u paraqitën për fermerët, për të përmbyturit, për plehrat, atëherë unë do i përgjigjem.
Së pari, çfarë konstatoj unë. Konstatoj se neobllokmenët, Edi Rama me shokë, në disa aspekte janë më mizorë, më barbarë se etërit e tyre. Këta kanë në psikologjinë e vet adhurimin për krimin e dobishëm, e cila ka qenë palcore në familjet e Bllokut, cilado që të ishte natyra e tij, buronte nga fakti që ai i shërben pushtetit. Sot zotëria foli për bunkerin. S’po bën asgjë tjetër veçse po përpiqet të përjetësojë barbaritë e etërve të tij. Nëse Rama do të tregojë se ka një ndërgjegje për atë që ka bërë konkretisht i ati i tij, Kristaq Rama, i cili ka firmosur në mënyrën më të përsëritur ekzekutimet e njerëzve absolutisht të pafajshëm dhe vetëm për motive politike, njëri prej të cilëve është Havzi Nela etj., mendoj se do të kishte lehtësuar partinë e tij, shpirtin e tij nga trashëgimia e skulptorit-xhelat. Dhe nuk ka më xhelatë se ata intelektualë që u morën me vepra të tilla gjatë diktaturës. Indoktrinimi i një njeriu të shkolluar në nivelet më të larta, konformizmi dhe angazhimi i tij në vepra kriminale është shkalla më ekstreme e egërsisë dhe barbarisë së sistemit. Nuk po shkoj fare te daja i tij, një persekutor i inteligjencës teknike shqiptare. Por a ka pendesë Edi Rama? Jo, Rama e quan se ishte vepër madhore e tyre. A nuk është ky që dy javë më parë shpalli 70 viktima të gjenocidit komunist të kohës së Luftës, gjenocid i mirëfilltë në çdo lloj konvente, i njohur si veprim i pamerituar dhe nga autorët e tij, dhe justifikonte një vepër makabër.
Unë e kam thënë këtu se asnjëherë, në formimin tim nuk kam pranuar të quaj fajtor djalin për babën. Jo, janë të ndryshëm. Por kur djali mban mbi supe dhe bëhet avokat i krimeve të babait, është dhjetë herë më i zi se ai. Dhe ky është Edi Rama. Për disa prej tyre, për shkak të luftës së tyre të brendshme kanë pësuar vite të tëra burg dhe unë kam shumë respekt për burgun që kanë pësuar, por një gjë s’ua pranoj kurrë: faktin që nuk dënojnë një veprim konkret të baballarëve të tyre. Kjo më bën mua të hezitoj. Njëri prej tyre, që kam respektuar për vuajtjet e tij ka qenë Bashkim Shehu. Por nuk mund ta pranoj kurrë që Bashkim Shehu të mos thotë një fjalë për xhelatin Mehmet Shehu, për krimet konkrete. A nuk ishte një rast vrasja e këtyre 70 shqiptarëve  të pafajshëm që të dilte të dënonte të atin dhe veprën makabër? Do të na japë tani ne leksion se si të nderojmë e si të dënojmë të shkuarën.
Shikoni çakallin që kemi patur në grup, që e shkuara e tij e shndërroi në çimkë. Për shqiptarët që janë të interesuar për të vërtetën, e vërteta është qëndrimi i PD ndaj të shkuarës ka qenë më i fortë se i çdo force tjetër politike në Europën Lindore dhe kjo me fakte. Nuk impresionohem unë nga njerëz dritëshkurtër dhe memorieshkurtër. Historia është kjo: në rang botëror komunizmi nuk u dënua. Kjo është e vërteta. Dhe një nga arsyet që nuk u dënua komunizmi në rang botëror, mortaja e kuqe, është se nuk e la socialdemokracia europiane, se George Soros bëri gjithçka për mbijetesën e mbeturinave të komunizmit, dha miliarda për të mbështetur mbetjet e diktaturave. Se degëzimet dhe tentakulat e tyre u shtrinë me shpejtësi në institucione. Shqipëria mund të bënte më shumë, por Shqipëria ka nderin të jetë vendi i parë në Europën ish-komuniste që bëri ligjin e gjenocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit. Asnjë vend tjetër, e ka bërë Polonia në vitet 2000 atë që bëmë ne në vitin ‘92. Dhe mbi bazën e atij ligji nuk janë dënuar 1, 2 apo 3, por janë dënuar 73 pjesëmarrës të gjenocidit komunist. Shqipëria bëri ligjin, me ato mundësi që pati, vuri para ligjit 73 anëtarë të nomenklaturës së kuqe, nxori nga sistemi i drejtësisë dhe sisteme të tjera. Shqipëria është i vetmi vend që shkriu me një vendim të vetëm, me një dekret policinë sekrete hoxhiste, 4200 vetë. Morën pension, sigurisht sepse ne po shkonim drejt Europës jo drejt diktaturës. Gjykata e Strasburgut kishte përcaktuar vendime për pensionet dhe ne do i nënshtroheshim asaj, sepse do të anëtarësoheshim. Pra, me ligjin tonë çfarë bëmë ne? Ne i përjashtuam nga detyrat zyrtare ata që përjashtoi Çekia.
Tani vijmë pak te të përndjekurit. Sigurisht që sado që të bëjmë ne ndaj tyre borxhit kurrë nuk u del. Në asnjë mënyrë nuk rikthen jetët e tyre të humbura, shekujt e mijëvjeçarët në burgje, rinitë e tyre të kalbura në qeli, por ne përsëri nuk është se nuk treguam ndjeshmëri. Së pari, sapo erdhëm në pushtet, nëse tetë vite nuk rikthyen një qindarkë të vetme socialistët, shpërblyen Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë, Aranit Çelën dhe kriminelë të tjerë dhe asnjë të përndjekur. Ne menjëherë vendosëm si tarifë, në marrëveshje me ta, më të lartën që ekzistonte në Europën ish-komuniste, 18.6 $ dollarë ditë burgu. Vendosëm pensione shtetërore për të gjithë personat me moshë 25-60 vjeç që kanë qenë në ngarkim të personave të pushkatuar ose që kanë vdekur në burgje dhe kanë paguar detyrimet nga data e pushkatimit apo vdekjes në burg të kryefamiljarit në vazhdim. Janë lidhur pensione invaliditeti të gjithë personave të burgosur me qëllime politike në spitalet psikiatrike dhe të gjithë ata kanë qenë dhe janë plotësisht të merituara. Në zbatim të ligjit për pensionet, janë lidhur 21.400 pensione individuale, familjare, invaliditeti për martirët e gjallë të demokracisë. Janë dhënë si dëmshpërblim nga 2007, 103 mln $. Janë dhënë si dëmshpërblim 2200 apartamente banimi, e tëra kjo statistikë e institutit të tyre. Janë dhënë si diskriminim pozitiv 22.000 të drejta studimi dhe bursa. Janë dhënë miliarda lekë privatizim, me të cilat kanë marrë mbi 2751 linja prodhimi, fabrika dhe objekte industriale, të cilat kanë blerë me ato lekë, me vlerë të plotë leku. Sigurisht, rruga që zgjodhëm nuk ishte konvencionale, rruga që zgjodhëm ishte e dëmshpërblimit të plotë. Vendet ish-komuniste kanë zgjedhur rrugën e konvencionit, janë mjaftuar me pensionet. Kurse ne zgjodhëm atë rrugë me të cilën ramë 100% dakord me të përndjekurit politikë. Ky është qëndrimi. A u krye detyra? Jo. Por në mënyrën më të fuqishme të mundshme që kishim e afrontuam problemin. Është ky që i dogji të gjallë të përndjekurit politikë, është ky që shfrytëzoi sëmundjen e tyre psikike të krijuar nga burgjet e nga jeta, i futi t’i hedhin benzinë vetes. Ku janë tani ata që i dogji ky? Tani thotë mirë e pësuan ata, e meritonin plotësisht.
Përsa i përket ligjit, ne jemi autorë të një ligji tjetër. Ligji ynë ishte hapja e dosjeve për të gjithë zyrtarët dhe përjashtim nga detyra për ata që kishin. Ky ishte ligji ynë. Nuk pranuan asnjë përjashtim nga detyra. Megjithatë opozita, për hir të asaj që të mos bojkotojmë, vendosi të marrë pjesë. Tani do ta marrë krejt për vete. Merre po s’të quhet, e kompromenton dhe këtë hap që po bëhet.
Për ta mbyllur, ne na vjen keq që nuk u hapën negociatat. Ne besojmë se negociatat mund të hapeshin dhe të përfshiheshin të gjitha çështjet në paketën e negociatave pasi të hapeshin, por kjo nuk ndodhi se nuk kishin besim te Edi Rama. Ato do t’i hapë PD, qeveria e saj e ardhshme, dhe ajo, siç ka realizuar çdo proces integrimi nga vitet ‘92 deri sot do të kompletojë dhe integrimin e Shqipërisë në Europë”, tha Berisha në Parlament.

A e dini ç’po bëhet me rrugët?

Ku jeni ju o deputetët e Fierit? A e dini çka pësuar by pass-i i Fierit? By pass-i i Fierit ka patur të gjitha përcaktimet për të përfunduar brenda këtij viti dhe financimi ishte qindarkë për qindarkë, BEI dhe BERZH. Përkundrazi, vidh e vidh nuk ka të sosur. Derisa Vali Bizhga flet gjithë ditën në telefon në emër të këtij, që bëni këtë e bëni atë dhe tani nga mafia ai është shtyrë për të përfunduar në vitin 2019. A ju bën juve përshtypje kjo?
Dilni këtu dhe thoni se na i dha falas Japonia makinat. Sigurisht që është grant japonez, ja u them unë qytetarëve, por ai granti nuk është për makina firmato. Ai granti japonez mund të merrej zetorë apo kambajna.
Gjatë vizitës sime, garantova 120 milionë dollarë për ujërat e zeza të Tiranës. Ku janë? Impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës duhet të kishte përfunduar në vitin 2015. A e dini çfarë bëtë ju? E fitoi kompania franceze, ja anuluat se nuk ju dha ryshfet dhe bëtë gjithçka, vutë të tjerë dhe vidh e vidh nuk ka të sosur. Ku është impianti i përpunimit të ujërave të Tiranës?
Për fshatin ju jeni cinikë dhe e keni shkatërruar atë në mënyrën më të pabesueshme. Fshati nuk është se kishte ndonjë infrastrukturë dhe në disa aspekte, për ata që e njohin, në vitin 2005 ai ishte gati 3 shekuj më parë. Sado që investuam 3.4 miliardë dollarë ata e meritonin dhe ju duhet të vazhdonit të investonit. Unë drejtova tetë vite vendin duke marrë një buxhet vjetor maksimumi 412 mln lekë, kurse zotëria vitin e katërt të qeverisjes së tij cakton një buxhet vjetor sa për 18 këshilla të ministrave para tij, cakton një buxhet vjetor 18-fishi i Presidencës së Republikës, cakton një buxhet vjetor 5 herë më të madh se sa rrethet nga Kruja deri në Tropojë, cakton një buxhet vjetor 37 mln dollarë në një kohë kur, i jep Presidencës së Republikës 2 mln dollarë. Sigurisht që Këshilli i Ministrave ka shpenzime më shumë. Edhe në kohën time kishte, por presidenti merrte 200 mln, kryetari i Këshillit të Ministrave merrte 418 mln.
A e kuptoni se kjo mënyrë është një krim i shëmtuar me të cilën po qeverisni?
A lyhet dy herë Liceu Artistik se zotërisë nuk i pëlqen ngjyra pana, por e donte mavi. Por këto janë para të qytetarëve jo para tuajat personale. Do ju them një gjë. Ky sistem ka mrekullitë më të mëdhaja, por ky sistem ka edhe probleme të mëdha. Dhe problemi më madhor është shpërndarja e të ardhurave. Nëse nuk kujdesemi, nëse nuk mendojmë për ata që s’kanë, polarizimi rritet, mjerimi rritet, skamja rritet, eksoda rritet. Po kujt t’ja thuash? T’ja thuash njeriut që kërkon me çdo kusht me retorikën e tij banale të zhveshur nga çdo koncept të zëvendësojë një palë mashtrimesh me një palë tjetër mashtrimesh. Por shqiptarët s’e hanë më këtë. Është fundi i tij, fundi i qeverisjes së tij.

Balla tek droga dhe prostitutat, lidhjet

Ish-Kryeministri ka bërë publike të gjitha lidhjet dhe implikimet e Taulant Ballës me trafikun e dogës dhe implikimin direkt në përdhunim dhe trafikun e prostitucionit. “Nuk denjon t’i kthej përgjigje një njeriu, i cili del këtu dhe përdor gjuhën e një njeriu që është i akuzuar zyrtarisht për përdhunim, me dokumente, është i akuzuar se ka kaluar kryesorë të klanit të heroinës në doganë me pasaportë diplomatike dhe targën e tij, është i akuzuar si lidhje e ngushtë e trajnerit të skuadrës së tij, i cili është i dënuar me 10 vjet burg në Greqi, dhe arrestohet në makinën e tij në Qafë Bot, është i akuzuar për trafik prostitucioni nga një këshilltar i Fatos Nanos, i cili ka bërë të ditur se Taulant Balla është arrestuar nga policia e vendit fqinj se trafikonte prostituta rumune dhe jo vetëm rumune. Ai është një njeri, i cili ka humbur disa gjyqe si shpifës ordiner, fatkeq sepse atë çka nuk flet dot Rama e nxjerr atë. Por unë nuk i kthej përgjigje atij. Të gjitha janë të këtij zotërisë këtu (Ramës), i cili bën gjithçka për të rritur në qiell konfliktualitetin sepse mendon se me konfliktualitet do të mund të mbulojë bëmat dhe gjëmat e tij, harron se konfliktualiteti është një zift i vërtet në imazhin e kësaj qeverisje, në imazhin e skaduar të tij”, tha Berisha.

Cilat ishin deklaratat e Bashës pasi Rama sulmoi Trumpin

Çfarë ka thënë në prill kryetari i PD, Lulzim Basha: “Trump shkakton debate midis liderëve politikë shqiptarë” -ja ku është artikulli i botuar në shtypin ndërkombëtar më 8.04.2016.
Pasi autori i artikullit tregon se Edi Rama e quan Trumpin si turp i qytetërimit e se, “Zoti mos e dhëntë që të zgjidhet president sepse do të jetë një dëm për Amerikën dhe një kërcënim i madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, jep pastaj përgjigjen e Bashës:
“Lideri global (Rama) më në fund ka vendosur t’u mësojë amerikanëve se si të zgjedhin presidentin e tyre. Kjo është diçka që ai do ta bëjë sa më shpejt. Pas shkëlqimit të tij në Shqipëri duke sjellë krizë të thellë, varfëri të madhe dhe duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkurruar me Trump për pasuritë personale, pasi thyen ligjet dhe Kushtetutën çdo ditë, Rama tani ka gjetur recetën për zgjedhjet presidenciale amerikane. Arroganca dhe delirumi i Ramës nuk kanë kufi, por lideri botëror po tregon se për atë vetë këto çrregullime nuk kanë kufij. Mirëpo amerikanët shpeshherë gjejnë Boratin e tyre ndaj dhe kësaj here nuk do të kenë nevojë të shohin Boratin, por Ramën”. Këto ishin dy qëndrimet politike.
Për ta mbyllur. Nuk kam shqipëruar asnjë fjalë dhe nuk kam shqipëruar kurrë kur të tjerët kanë qenë në fushatë elektorale, qoftë dhe miq të mi në një vend tjetër, nuk i kam lejuar vetes kurrë të ndërhyj. Edhe në këtë rast më ka ardhur mirë që kryetari i PD i dha përgjigje, por personalisht e kam gjykuar të paarsyeshme për veten time që të bëj ndërhyrjen minimale as në Itali, as në Francë dhe asgjëkundi. Nuk na takon ne, ky është qëndrimi. Tani shkoi atje dhe vazhdonte i binte qemanes nga Nju Yorku sepse deklaratat e tij janë bërë fund e krye mbi bazën e korrupsionit politik.
E kam një thirrje, pa lidhje me këtë, u bëj thirrje tifozëve kuqezi, të rimendojnë vendimin e tyre pavarësisht nga qëndrimet mafioze që janë mbajtur ndaj tyre, por ata janë koreografia, ansambli më i bukur i lojërave tona dhe ata nuk duhet kurrsesi, që për një qëndrim absurd të rrugeçërve me uniformë t’i heqin mbështetjen skuadrës kombëtare, por i ftoj të vazhdojnë betejën, nga beteja ndaj mafies nuk tërhiqet, por vazhdohet deri në fund me fitoren kundra saj.

Artikulli paraprakCilën politikë të jashtme do të ndjekë Trumpi?
Artikulli tjetërLidhja e Ramës dhe Veliajt me mafien Ndragheta për plehrat