Rama mori Karpenin në ditën e “Drejtësisë”!

Kur e gjithë vëmendja e politikës, opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar ishte fokusuar natën e 21 korrikut tek votimi i Reformës në Drejtësi, Rama gjeti momentin për të kaluar një nga aferat e tij më korruptive të këtyre tre viteve në qeverisje. Bëhet fjalë për privatizimin e 1700 hektarëve tokë në zonën turistike të Karpenit në Kavajë. Rama kishte gjetur pikërisht momentin e natës së miratimit të Reformës së Drejtësi që të grabiste një nga zonat turistike më të bukura në vend. Askush nuk u mor me këtë aferë sepse Rama tinëzisht e kishte fokusuar të gjithë vëmendjen tek debati për refomën. Reforma në Drejtësi u miratua dhe ky ishte vendimi më me pak rëndësi për Ramën në natën e 21 korrikut. Vendimi që ai priste atë natë ishte konçesoni i radhës i 1700 hektarëve në zonën turistike të Karpenit, i cli kaloi në orët e para të mëngjesit pa asnjë debat. Një grabitje e tillë spektakolare si kjo e zonës turistike të Karpenit është domethënia më e mirë se si e koncepron Rama drejtësinë. Një drejtësi të nënshruar ndaj aferave të tij.
Partia Demokratike denoncoi aferën më të fundit të Ramës në lidhje me dhënien e 1700 hektarëve sipërfaqe toke një kompanie fantazmë për ndërtimin e Portit të Karpenit. Fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh. Ia dha kompanisë me 100 paund, me ca copa letrash ku flitej për ndërtimin e një kompleksi, me lloj-lloj objektesh të planifikuara aty. Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku paralajmëroi se PD do të çojë para ligjit të gjithë autorët e kësaj afere, ndërsa e cilësoi koncesionin korruptiv. “Kjo kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto.Pasi krijoi mjegullën e duhur me zhurmën për Reformën në Drejtësi, Edi Rama urdhëroi kartonat e tij në Parlament për të kaluar një prej aferave më të dyshimta e korruptive të këtyre tri viteve, siç është koncesioni i Karpenit në Kavajë.1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rënë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazmë dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve”, tha Tabaku.Ajo e cilësoi këtë projekt të dyshimtë dhe të miratuar në mungesë totale transparence.Nga ana tjetër, Tabaku denoncoi faktin se qeveria nuk tregon se në cilin plan territorial është mbështetur, në cilin plan zhvillimor është menduar, ku është studimi i fizibilitetit dhe ku është projekti, duke shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit.“Por më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i Kryeministrit. E njëjta skemë si me koncesionin e TVSH që opozita kundërshtoi dhe detyroi qeverinë të tërhiqej”, tha Tabaku.Ajo parashtroi pesë pyetje drejtuar Ramës, ndërsa i bëri thirrje atij të japë llogari para publikut në lidhje me këtë koncesion korruptiv. “Ky së bashku me koncesionin e Rrugës së Kombit është një skandal mbi skandalet në përmbledhjen e gjatë të abuzimeve 3-vjeçare të Edi Ramës.Si mundet një Kryeministër të hedhë sa në një cep të botës në tjetrin 1700 hektarë të pasurisë kombëtare? Si mundet të flakë në rrugë pronat e 220 familjeve që nuk e dinë se ç’do të ndodhë nesër me ta?Kush fshihet pas këtij projekti?Cilat janë interesat personale të Edi Ramës?Cili klient favorizohet nga këto afera?Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë e të japë llogari për këtë rast. Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj!”, paralajmëroi Tabaku.

Projekti që nuk e beson as vetë mazhoranca, ja pikëpyetjet

Ka ngjallur mjaft interes dhe mbi të gjitha skepticizëm një projektligj për një plan për ndërtimin e një porti gjigant në Karpen të Kavajës, me vlerë 5 miliardë dollarë, sa gjysma e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë. Projekti, sipas draftinvestimit në një port të thellë që mundëson hyrjen e anijeve tregtare, zonë ekonomike dhe logjistike dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase), duke mundësuar hapjen e 70 mijë vendeve pune. Negocimi po bëhet me “Star Bridge Port Developments Limited”, që është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjioze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa.
“Monitor” ka kontaktuar ditët e fundit me deputetë e qeveritarë të mazhorancës për të mësuar më shumë detaje rreth këtij projekti. Nën zë, ata janë skeptikë, teksa thonë që projekti është shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Pikëpyetjet teknike që ngrihen janë disa: – Së pari, nuk ka një plan financiar të qartë për mënyrën se si do të financohet projekti. Në momentin që nuk kemi këtë plan është e kotë të diskutojmë më tej, thotë një zyrtar i lartë i qeverisë. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka pohuar më herët në Kuvend se është e pamundur që të përgatitet një studim fizibiliteti i mirëfilltë me termat e nevojshme që ka studimi i fizibilitetit për një projekt të përmasave të tilla. – Së dyti, është e vërtetë që emrat që qëndrojnë pas “Star Bridge Port Developments Limited” (pavarësisht kjo e fundit është një kompani me kapital vetëm 100 stërlina dhe e dyshimtë), janë të mëdha, por deri tani mësohet se këto firma të mëdha kanë shprehur vetëm letër interesi, por nuk kanë nënshkruar ndonjë kontratë angazhimi. – Së treti, pse u zgjodh Karpeni, një zonë me det të cekët dhe të papërshtatshëm për një port të thellë dhe jo për shembull, zona e Vlorës, ku deti është më i thellë. Kjo zonë ka ndërkohë një potencial të lartë në turizëm, pasi është nga të paktat zona në Golem që nuk është e zënë me ndërtime masive. – Së katërti, një projekt i përmasave të tilla do të kërkonte një infrastrukturë dhe ndërlidhje shumë të mirë rajonale. Sot kjo infrastrukturë mungon dhe ndonëse është në plan të zhvillohet nuk dihet se kur mund të jetë gati (minimumi, Shqipëria sot nuk ka hekurudhë funksionale), duke e nxjerrë jashtë loje portin. Një shqetësim i tillë mësohet se është ngritur dhe nga një prej përfaqësuesve të kompanive të mëdha. Sipas relacionit, projekti synon që duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një tranzit më ekonomik të mallrave. Por, nëse nuk ka lidhje eficiente tokësore me vendet pa det, atëherë projekti del jashtë funksioni. – Së pesti, sipas projektligjit afati për negocim i një kontrate 5 miliardë USD është vetëm 60 ditë dhe më pas 10 ditë kohë për miratim, ndërkohë që në projekt flitet për zhvendosje njerëzish dhe numërohen 220 prona. – Së gjashti, ka pikëpyetje të shumta lidhur me impiantin e gazifikimin (projekti parashikon ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm-LNG). Impiante rigazifikimi bëhen në vende ku importohet LPG nga Katari apo nga vende prodhuese që e eksportojnë me anije. Nëse gazsjellësi TAP do të ketë një dalje për konsum në Shqipëri, ç’kuptim ka që të ndërtojnë edhe impiant rigazifikimi? Për më tepër, nëse ekziston një leje për një impiant të tillë në Seman (i dhënë nga qeveria e mëparshme dhe që nuk është zhvlerësuar akoma), pse duhet edhe një në Karpen?

Artikulli paraprakPas skandalit me Bilalin, Rama i padëshiruar nga Klinton në SHBA
Artikulli tjetërRivlerësimi i pronës: hile qeveritare për të përfituar nga taksa e re mbi pasuritë?