Nga Tritan SHEHU
Kur po na bënin të besonim se Covidin po e “zhduknin” pa vaksinë, sot numrat shkojnë…lart!
Çudia e testimeve shqiptare nuk njeh kufi!
—Sot deklarohen 660 raste të reja me Covid, pra 3,6 herë më shume se dje dhe e disa ditësh në ulje, që po na bënte të besonim se si pasojë e masave “inteligjente” të kësaj Qeverie duke ulur disa herë testimet, ja hodhëm!
Në fakt kjo strategji e uljes së testimeve për të zhdukur virusin, ditët që kaluan dha dhe një efekt tjetër spektakolar, u ulën disa herë humbjet e jetëve, por për çudi sot kur në një farë mënyrë rriten testimet, ngrihen lart dhe ato!
Në fakt kjo nuk është risi, kështu ka ndodhur dhe muajt që shkuan, edhe vitin që kaloi, kështu ndodhi disa herë edhe në Gjirokastër!
Ai që paska “çelësin” e suksesit poshtë tavolinës, ditka ta përdorë sipas nevojës!
-Por përsëri dhe sot, megjithëse raportohet rritje e numrit të testimeve, përqindja e pozitivitetit të tyre qëndron e lartë, rreth 20%, gjë që së paku imponon dyfishimin e tyre, pra arritjen minimalisht në mbi 7000 PCR në ditë, siç ne kemi kërkuar prej kohësh.
Dhe meqë jemi të testimet është e detyrueshme që ky Komitet të bëjë transparence në disa pika:
1. Sa nga testimet që bëhen janë PCR të realizuara nën një metodikë epidemiologjike? Mbi cilat parime bazohet kjo metodikë e si zgjidhen të testuarit, në çfare baze përcaktohen e ndiqen personat e kontaktit, si konfirmohet diagnoza, shkaku i vdekjes, shërimi etj dhe rezultatet e tyre.
2. Sa nga ato janë PCR të realizuara te privati e rezultatet e tyre.
3. Sa janë ato me testet e shpejta imunologjike, mbi çfare metodike përdoren dhe rezultatet e këtij grupi.
4. Pse nuk liberalizohen e nuk lejohet importimi i testeve të shpejta që nga serologjiket e deri te imunologjikët nga fyti, që ato të gjenden kudo, farmaci, laboratore, klinika edhe te veterineri?
5. Frikë nga vetëm transparenca apo dhe inskenime më të rrezikshme pengojnë?
Pa dyshim ka dhe elementë të tjerë që duhen deklaruar si e kërkon shkenca e transparenca, ndryshe çdo gjë është e pabesueshme, as numri i rasteve të reja, as numri i humbjeve të jetës, as të shëruarit, as numri i atyre që duhet t’u “rimbursohen” shpenzimet e trajtimit ambulator, asgjë!