Sokol BALLA
Vezët mbi të në Parlament ditën e enjte, duhet ta kenë bindur Edi Ramën sesa i vetmuar është këto kohë. Gjatë gjithë jetës një njeri me fat – dhe fati zakonisht provohet në ditë të vështira – kryeministri dukej nga portreti se ka filluar te bindet se fatin njeriu e bën vetë. Ose në rastin e tij, nuk e lë dot në duart e ministrave.
‘Astiri’ dhe skandali që ai hapi – aq më keq që habiti dhe amerikanët – i tregoi atij, se më fund duhet të merret seriozisht me letrat zyrtare dhe jo me vizatimet në zyrë. Çështja e Teatrit i tregoi atij se gjithkush duhet të marrë përgjegjësitë e veta, dhe as ai të kreut të bashkisë dhe as kreu i bashkisë atë të ministrit të Kulturës. Rasti i studentëve dhe Kuvendi i PD i tregoi se Shqipëria nuk mund të jetë një vend aq tolerant, sa reformën e arsimit ta bëjnë sponsorët e Lulit, dhe ndërkohë më pas Luli të mbështesë studentët dhe të fusë në radhët e Këshillit Kombëtar, pedagogë të Trustit të Universiteteve, që dhjenë reformën, raportet me studentët dhe me të vërtetën.
Studentët me krizën që krijuan, i treguan atij se vendi nuk qeveriset dot me meme dhe statuse në Tëittter dhe as me fjalime maratonë si Nicolas Maduro në Telesur. Studentët, Astiri, Shkoza, Gjushi, Lala, Sajmiri, dosjet e dukshme dhe te padukshme te gjetura nga Xhafaj, padurimi i Pandit për tu bërë së paku sërish protagonist dhe së shumti kryeministër, shkeljet e syrit majtas e djathtas mu nën hundën e tij, mesa duket kanë bërë që kryeministri të kuptojë atë që kemi ndjerë të gjithë: që kabineti i dytë i Ramës është më i keq se ai i para zgjedhjeve të majit 2017.
Kjo u kuptua edhe në resistencën jo të vogël të brendshme në PS, ndaj zgjedhjes së një kandidature të paoksiduar për ministër, atë të Sandër Lleshajt.
Vetë e kuptova pak ditë më parë kur këtë personazh i veshur varfër si një prift franceskan, por me ide të pasura se si të modernizohet Policia dhe Shteti, e kisha dy orë përballë në emision. Një personazh që me Edi Ramën është 99.99 përqind jo i përshtatshëm, por që e bashkon ideja sesi gjerat janë keq dhe duhen bërë më mirë. Njeriu që me sa duket, edhe para të gjithëve i ka kërkuar atij një plan kombëtar kundër kanabisit dhe që ndryshe nga Fatmir Xhafaj, siç e tha edhe vetë, mendon “qe forca e ligjit duhet të ndihet çdo ditë dhe jo me fushata”.
Nga e hëna prisni më shumë Sandër Lleshaj që të futen në Qeveri. Rama duket se e ka ndarë mendjen që jo të gjitha vezët duhet të jenë për të. Ca t’i hajë edhe Lindita, edhe Damiani, edhe Arbeni (këtë mendon edhe partia e Erion Braçeve, një shumicë e heshtur dhe mbështetëse në kohë të vështirë dhe ankimtare, sa herë qeveria ‘fluturon me pras’ drejt lartësive të panjohura). Po ca vezë duhen edhe në dyert e Shëndetësisë, plot me PPP-ra dhe të pabëra, po ku ende sot vdesin foshnje në qytete periferike a thua se jetojme në Burkina Faso dhe qeveria rezidon në Uagadugu.
Edi Rama ka kuptuar se nuk mund të presë. Ai me dinakëri ka kuptuar se nuk ka luksin e protestave me pushime brenda, siç çuditërisht përfundoi ajo e studentëve. Edi Rama e di që tani se SPAK po ngrihet, dhe nuk ka më luksin të presë që fati, njohjet dhe ndërkombëtarët të mbyllin një sy ndaj atyre që ja hoqen tepsinë e bakllavasë LSI, për të ngjyer buzët dhe mëngët me shërbetin e pushtetit.
Edi Rama e di që para ligjit nuk ka përgjegjësi kolektive, por ama ka kuptuar se para popullit ka gjyq individual, si të atyre që e dhjesin si në Shkodër, Pogradec apo Elbasan. Por edhe aq mirë sa te atyre në bashkinë e Tiranës, që mund t’i rrezikojnë kuotat e sondazheve dhe t”i personalizojnë ato, aq sa ai të jetë i pafuqishëm t’i ndalojë apo ngrijë, sic bëri në shtator 2014. Edi Rama e ka kuptuar se me ngritjen e SPAK, jo vetëm do jetë i pafuqishëm të mbrojë ministra e kryebashkiakë, por s’do ketë ndonjë ndikim të madh edhe ne emrat e zëvendesuesve dhe për këtë, ka ende para syve se qoftë Xhafaj qoftë Lleshaj, erdhën, ikën dhe ikin jo duke i marrë leje atij.
Une e kuptova këtë në intervistën me Ministrin e ri të Brendshëm. Ai e do formën, si Tahiri dhe Rama. Ai nuk harron, si Fatmir Xhafaj. Por ai nuk merr urdhëra, si gjithë të tjerët. Ose së paku, nuk I merr vetëm nga Rama.
Ndaj të hënën, kur Edi Rama të formulojë zyrtarisht nevojën e ndryshimeve të forta në qeveri, prisni gjithnjë e më shumë “UFO” si Sandër Lleshaj të futen në qeveri.
Sepse të hënën Edi RAMA nis procesin e ndryshimeve më të mëdha në një qeveri, që formalisht nuk ka rënë akoma. Një qeveri që nuk ndryshon trekëndëshin më të fortë – Mbrojtje (amerikanët), Rend (Drejtësi) – europianët, Diplomaci (ndoshta dhe Turizëm e Bujqësi), por që mesa duket do të prekë të gjitha ato sfera të jetës sociale, ekonomike dhe politike që janë menaxhuar kaq keq, qe para majit 2017. Edi Rama kërkon të krijojë shpejt dhe pa humbur kohë (deri në Asamblenë e 29 dhjetorit gjithçka mbyllet totalisht), një kabinet mbrojtës, duke rrëzuar kështu vetë i pari iluzionin e paprekshmërisë, përballë një opozite të dobët, e cila pritet shumë shpejt, edhe ajo nga SPAK dhe Amerikanët, të marrë një goditje në themel dhe një tërmet që mund ta shkundë rëndë dhe për një afat të gjatë.
Kryeministri e ndjen se po vijnë kohë të këqija. Ai i i njeh mire ato, se ka bërë 8 vjet në opozitë. Dhe I duhet një kabinet me energji dhe vizion tjetër, që të përgatisë vendin për epokën e re që jo domosdoshmërisht lidhet me datën e zgjedhjeve lokale dhe as atyre të përgjithshme.
Edi Rama do të ndryshojë qeverinë këtë javë, dhe do bëjë shumë mirë. Por ai duhet edhe të qartësojë mirë se cfarë do bëjë me zgjedhjet lokale. Të zyrtarizojë kandidimin e Veliajt dhe moskandidimin e Dakos dhe Sejdinit and co. Dhe t’i japë fund dilemës amatoreske por infective që është përhapur dhe që insinuon largimin e Veliajt nga drejtimi i Tiranës dhe moskandidim në 30 qershor. Unë mendoj me frikën e këtyrë ditëve dhe ndryshimet në qeveri që do t’i thotë të hënën, ai e ka pranuar këtë. Por kesaj rradhe kryeministri duhet vërtet të bindë kryeministrin të parin, se nuk është prekur nga sindroma e Prasit që prek cdo maxhorancë në mandatin e dytë të saj.
Edi Rama punoi aq shumë që në fushatë vjet që të na mbushte mendjen se ky ishte mandati i tij i parë si kryeministër, saqë përfundoi ta besonte atë dhe vetë. Sinjalet janë që e ka kuptuar gabimin dhe se të hënën nis reflektimin, duke filluar nga vetja. Te ajo pike – pra te vetja e tij – ka qënë gjithmonë shumë i kujdesshëm. Si gjithmonë ka fat. Në kohë të vështira, difektet personale jo rrallë e kanë ndihmuar të dalë I fituar, edhe atëherë kur nuk e ka kuptuar as vetë.
“Javaneës.al”