Rama në 2010: Qeveria të japë dorëheqjen nga përmbytjet

Ndërkohë që moti kish përmbytur tërë vendin, dhe ka shkaktuar tre viktima, Edi Rama ka gjetur kohën për t’u marrë me përgjigjet e njerëzve që e kritikojnë në Facebook, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e masave, mungesën e investimeve dhe neglizhencën në raste fatkeqësish natyrore. Në fakt, reshjet nuk janë punë e kryeministrit, por po t’i referohemi vetë asaj çka ka thënë ai gjithmonë, faji është i pushtetit dhe dorëheqja në rast përmbytjesh duhet të jetë e vetë kreut të qeverisë.

Kryeministri të largohet
Në dhjetor të vitit 2010, Edi Rama do të deklaronte se “Kryeministri duhet të largohet. E vetmja rrugë për t’i trajtuar këto probleme ashtu siç janë të rënda të ndërlikuara të akumuluara në vite e vite është rruga që hapet me largimin e Saliut dhe të pushtetit të tij të votave të vjedhura”. Citimi është marrë i drejtpërdrejtë nga një takim me gazetarët të zhvilluar në dhjetor të atij viti, vetëm një ditë pas përmbytjes. Sipas Ramës, koha prej tre apo katër vjetësh në qeverisje është e mjaftueshme për t’i zgjidhur këto probleme, dhe se fatkeqësitë në Shkodër nuk ndodhin për shkak të harbimit të kohës, por për “faj të Saliut”. Por ja që rasti e solli, që rrebeshet të jenë prezente dhe gjatë qeverisë së Atij, që  dukej sikur me të marrë pushtetin do të ndalonte shirat, vrullin e lumenjve dhe mbushjen e digave.

1.5 miliardë euro borxh
Në këtë mandat që po e mbyll qeverisja Rama ka marrë rreth 1.5 miliardë euro borxhe, të cilat në shumicë kanë shkuar në PPP e famshme, ndërsa për investime na servir atë që ai preferon ta quajë rilindje Urbane. Në fakt, kjo farë Rilindje nuk është gjë tjetër vetëm se disa lopata beton të hedhura në disa qytete periferike. E njëjta situatë ndodhi dhe në Jugun e Shqipërisë, në janar të këtij viti, por atëmot Rama nuk ndodhej në zyrën e tij, ndërsa qytetarët gdhiheshin e ngryseshin në mes të ujit, por kishte shkuar të kalonte disa ditë pushimesh në Majemi, së bashku me Lindën i thirrur siç tha atëherë nga një miku i tij në një dasëm. Menjëherë, pasi erdhi nga një studio televizive, i pyetur nëse do kishte më përmbytje do përgjigjej se “Kur të flas në telefon me Zotin, do mund tju jap një përgjigje”. Në fakt, taksapaguesi nuk po i kërkon asgjë tjetër vetëm se të rikujtojë dhe një herë deklaratën e viteve të tij në opozitë “Kush mund ta besojë më sot në Shqipëri se këto përmbytje janë fati ynë dhe duhet të jetojnë me këtë fat, sepse ja qeveria bëka më të mirën e mundshme, por prapë ndëshkimi i Zotit a i natyrës qenka i destinuar të vazhdojë ta përmbytë Shqipërinë e ta përmbytë Shkodrën. Kush i ha këto?”. Me çfarë shihet as telefonata me Zotin s’do i bënte punë.

Dështim dhe viti i fundit
Edi Rama ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes së tij dhe tashmë është në fund të mandatit të tij. Koha siç ka thënë ai ka qenë e mjaftueshme për t’i mbajtur këto premtime, që ai i bënte pa doganë, kur ishte në opozitë. Por që prej vitit 2013, Shqipëria është përmbytur sistematikisht nga Jugu në Veri. Premtimin më të fundit, Rama do e bënte në 17 shtator të këtij viti në Lezhë, kur tha se, “Lezha nuk do të ketë më përmbytje”. Në fakt, Lezha dje u gdhi nën pushtetin e ujit. Ajo çka është më e veçantë në të gjithë këtë  katrahurë, është përmbytja e mbi tre herë rresht e një prej akseve më jetike të vendit autostrada Tiranë – Durrës dhe veçanërisht në aksin Tiranë-Vorë, i ndërtuar prej më shumë se 20 vjetësh, por që nuk ishte përmbytur kurrë. Në fakt, kjo është histori më vetë, e cila ka të bëjë me abuzimin e fondeve për të vendosur disa palma anash rrugëve që kanë bllokuar kanalet kulluese, duke na dhënë dhe pamjet e katastrofës që pamë sot. Në rast se i referohemi deklaratave të mëparshme të tij, atëherë zgjidhja është e thjeshtë. Edi Rama duhet të largohet!

Kryeministri duhet të largohet
Kryeministri duhet të largohet. E vetmja rrugë për t’i trajtuar këto probleme (përmbytjet) ashtu siç janë të rënda të ndërlikuara të akumuluara në vite e vite është rruga që hapet me largimin e Saliut dhe të pushtetit të tij të votave të vjedhura (Cit Edi Rama)

Përmbytjet, ska faj Zoti, por qeveria
Faktikisht koha për t’i mbajtur këto premtime ka qenë më se e mjaftueshme dhe faktikisht përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur dhe se kjo që ndodh nuk ndodh për shkak të Zotit nuk ndodh për shkak të harbimit dhe çmendimit të lumenjve (cit Edi Rama)

Opozita nuk është problemi
Nuk mundet dot të zgjidhen problemet e përmbytjeve nuk mundet dot të zgjidhen problemet e panumërta që ka i gjithë territori i vendit, nuk mundet dot që të zgjidhen problemet e pamundura që kanë familjet shqiptare, duke u marrë ditë natë me luftën kundër opozitës. (cit Edi Rama)

Vetëm një orë shi, Tirana zhytet në errësirë
Disa zona në qytetet më të prekura nga përmbytjet kanë mbetur dje pa energji elektrike prej disa orësh. Edhe në kryeqytet, disa lagje nuk kanë pasur energji. Për shkak të motit të keq gjatë natës, i rënduar gjatë orëve të mëngjesit, janë përmbytur disa kabina dhe për pasojë OSHEE është e detyruar të stakojë energjinë deri në uljen e nivelit të ujit. Përmbytje ka edhe në TEC-in e Kombinatit, ndërsa janë dëmtuar dy fidrat 25 dhe 26 nënstacioni Selitë.
Zonat pa drita në Tirane menjëherë pas rrebeshit
Rruga “Tish Daia”, “Eleonora”,
Pranë Kopshtit Botanik,
Kodra Diellit,
Zona pranë ish-Drejtorisë së Ujërave (Selitë),
Zona pranë ish-SMT,
Zona pranë shkollës “Bajram Curri”,
Zonat Rruga “Bardhyl”, Porcelani, ish-Kinostudio,
Zona e Kombinatit, Rruga e “Qelqit”, Yzberisht, etj.

Exit mobile version